Argjend Beqiri merr timonin e Gostivarit

Pas dorëheqjes së trajnerit Mensur Jakupi, Kryesia e Klubit të futbollit Gostivarit ia ka dhënë besimin legjendës së futbollit në Gostivar dhe në vend, Argjend Beqirit që ta udhëheq klubin.

Ndeshja e parë debutues për trajnerin Beqiri do të jetë ajo kundër Napredokut, para publikut vendas.
“Pas dorëheqjes së shokut dhe kolegut tim Mensur Jakupi, dorëheqje që ne nuk e prisnim, kryesia më dha besimin që unë ta udhëheq ekipin. Është një sfidë e re për mua, kështu që me potencialin tim, me dijen por edhe me autoritetin që e kam ndaj lojtarëve, besoj se do jenë korrekt edhe ata ndaj meje. Pas humbjes me Dritën, ne duhet të fokusohemi në ndeshjen e ardhshme me Napredokun që është autsajderi i ligës, por pa marrë parasysh ne duhet të përgatitemi dhe të luajmë sikur në një ndeshje finale. Për momentin nuk më interesojnë matematikat e klubeve tjera, por loja jonë e nesërme, me angazhim maksimal mund të korret fitorja dhe të kthehet atmosfera në ekip. Nga ana e kryesisë e kemi besimin e plotë edhe unë edhe lojtarët që të vazhdojmë në synimin tonë për të hyrë në Ligën e Parë”, deklaroi trajneri i KF Gostivarit, Argjend Beqiri.

Beqiri deri më tani e ka ushtruar postin e drejtorit sportiv të KF Gostivarit. /Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button