Zeroja e Bllacës

Nuk ka kthim në Pikën Zero pas gjithë kësaj çfarë ndodhi në Bllacë. Qeveritë e Kosovës dhe të Maqedonisë, do të duhej të blerima shalandryshonin me themel qasjen e tyre. Këtë vit u shënua dhjetëvjetori i Samitit të Selanikut (qershor, 2003), i Bashkimit Evropian, i cili hapi dyertë e BE-së për shtetet e Ballkanit Perëndimorë. Prej atëherë, Sllovenia, Kroacia, Rumania, Bullgaria, janë bërë shtete anëtare të BE-së.

Në Listën e Pritjes janë edhe Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

Në vitin 2006, Kosova (në emër të saj, Administrata Ndërkombëtare e OKB-së, UNMIK-u), Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Moldavia dhe Bosnja e Hercegovina, nënshkruan Marrëveshjen për ta zgjeruar CEFTA-n (Marrëveshjen për tregti të lirë të Evropës Qendrore). Kjo Marrëveshje çeli portat e tregtisë së lirë në mes të këtyre shteteve.

Nuk kalon një vit i vetëm, pa së paku një Takim më nivelin e lartë të liderëve të shtetit të rajonit, i cili i përbashkon ata në Agjendën evropiane, dhe në zotimin për bashkëpunimin dhe fqinjësinë e mirë.

Ka nisma të nduarnduarta në këtë aspekt, të cilat duket që do të fitojnë një dinamikë të re veçmas pas 1 korrikut të këtij viti, kur Kroacia u bë shteti anëtar i 28-të i BE-së.

Nuk janë të rralla as vizitat dhe takimet bilaterale në mes të liderëve të shteteve të kësaj ane të Evropës, të cilat tok bëjnë një Ishull në pjesën më të ndishme të Evropës.

Gjatë këtyre takimeve dhe veçmas në prononcimet para mediave, kryepolitikanët e shteteve që bisedojnë në kryeqytetet e tyre, nuk lënë pa theksuar dhjetëra herë kryeporosinë e tyre: Jemi Evropë, jemi Perëndim, duhet sa më parë të grisim flamurin tonë në Bruksel, në BE.

Buzëqeshjet dhe përqafimet rëndom përcjellin prezentimin para mediave.

Tash i kthehemi realitetit të javës së shkuar.

Le të harrojmë për pak çaste çfarë u shkrua më parë.

Ja deklarata e javës, e thënë nga një shqiptar i Kosovës, në kufirin në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, te Hani i Elezit, para kamerave televizive: ‘Nuk e di a jam në kufirin e Turqisë me Sirinë, apo në kufirin e Kosovës me Maqedoninë?’.

Nuk e di ku jam. Në Zonë të luftës, diku në Azi, apo midis Ballkanit, midis Evropës, në kufirin që do të duhej të zhdukej (i tëri), për disa vite, më së largu, ta zëmë, për 10-12 vjet. Nuk di cili vit është ky: 2013 apo 1999 (kur shqiptarët e Kosovës dëboheshin masovikisht nga shteti i Serbisë)?

Këtë e tha saktë, qëndrueshëm, dhimbshëm, ky qytetar.

Nuk bëri politikë, nuk u mundua të jetë patriot, nuk ishte i përfshirë në fushatë parazgjedhore, nuk interesohej shumë për fatin e ndonjë lideri a një qeverie.

E tha këtë, si thuhet ndër ne, prej zemrës së plastë.

Ai veç bëri një përshkrim që u ndërtua mbi një krahasim në mes të dy ngjarjeve: Njërës që është qind për qind tragjike, atje në kufirin e Turqisë dhe Sirisë, dhe tjetrës që është qind për qind farsike, këtu, në kufirin e Kosovës dhe Maqedonisë. Njërës që tash e sa kohë është lajm global, tjetrës që është objektivisht, lajm lokal.

Këtë të shtunë, me 14 shtator pra, ky rrëfim politik në kufijtë e Kosovës dhe Maqedonisë, do të duhej të merr fund. Me një Marrëveshje në mes të Prishtinës dhe Shkupit zyrtar që e kthen gjendjen ku ka qenë, u tha shpesh, në Pikën Zero, duke mundësuar kështu vazhdimin e tregtisë së lirë dhe të qarkullimit të lirë të njerëzve.

Por do të ishte gabim i madh të mendohej, në Prishtinë dhe në Shkup, që ky kallëzim i një telenovele disaditëshe, do të duhej të harrohej sa më parë, duke e shpjeguar atë në njëqind mënyra, duke e ndërlidhë me zgjedhjet që po vijnë në Kosovë dhe në Maqedoni, me mbetjet e një mentaliteti politik të epokave zyrtarisht të perënduara, me këmbënguljen e dëshmimit të sovranitetit shtetëror aty ku më së paku duhet, me synimin për të ngritur veten duke e ulur fqiun, etj.etj.

Çfarë ndodhi në shtatë-tetë ditët e fundit, është një dëshmi që shumëçka nuk është në rregull me vetë Agjendën kyç strategjik të hyrjes së këtyre dy shteteve në BE, që Brukseli do të duhej njëkohësisht të ishte më i angazhuar, më i saktë, më i prerë në relacionet e tij me këtë pjesë të Ballkanit, që marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Maqedonisë nuk janë çfarë duhet të jenë apo çfarë na është thënë deri sot që janë, që në Qeverinë e Kosovës ka probleme të llojllojshme sa i përket vetë procesit të vendimmarrjes etj.etj.

Në gjithë këtë rrëmujë që u krijua në kufirin e Kosovës dhe Maqedonisë, e cila ri-ktheu Bllacën si kryelajm në mediat e Kosovës dhe të Maqedonisë pas tmerrit të pranverës së vitit 1999, i vetmi që e dha provimin ishte qytetari anonim i Kosovës, i cili me vetëpërmbajtjen që tregoi për ditë me radhë, shmangu shndërrimin e një krize false që shfaqi të vërtetën e shumëfishtë për politikën këtupari, në këtë anë të Ballkanit, në një krizë të mirëfilltë politike e cila në këto anë, sa çel e mëshel sytë mund ta bëjë pluhur e hi stabilitetin e brishtë ballkanik.

Nuk ka pra kthim në Pikën Zero pas gjithë kësaj çfarë ndodhi në Bllacë.

Qeveritë e Kosovës dhe të Maqedonisë, tash e tutje, do të duhej të ndryshonin me themel qasjen e tyre kur flitet për relacionet në mes të këtyre dy shteteve.

Fqinjësia e mirë, bashkëpunimi i njëmendtë politik, tregtar, ekonomik, mirëkuptimi për të gjitha çështjet që objektivisht, janë interes i përbashkët i Prishtinës dhe Shkupit, nuk duhet të jenë vetëm pjesë e deklaratave të liderëve në takimet bilaterale, apo në Samitet e ndryshme, por do të duhej të bëheshin politikë e përditshme. Ndryshe zatën, nuk bën.

*Autori është Nënkryetar i Parë i AAK. Kolumna është botuar së pari në Gazetën Express.

Lajme të ngjashme

Back to top button