Publikohet një tjetër video e vrasjes së afro-amerikanit në Karolinën e Jugut

Një video e re është publikuar nga autoritetet në Karolinën e Jugut ku tregohen momentet e para kur oficeri i policisë, Michael Slagger, ndalon afro-amerikani Walter Lamer Scott, të cilin e ekzekuton më pas duke e qëlluar pas shpine.

Në video duket makina e Walter Scott dhe oficeri i policisë që i kërkon dokumentet. Në momentin që Slagger largohet nga automjeti, afro-amerikani përpiqet të largohet duke vrapuar ku qëllohet për vdekje.

Michael Slagger u arrestua për vrasje pas publikimit të një tjetër video vetëm dy ditë më parë, ku dukej qartë se Scott, jo vetëm nuk kishte bërë rezistencë, por edhe nuk përbënte kurrfarë rreziku për policin.

“Kur e ke gabim, e ke gabim. Dhe kur merr një vendim të gabuar, nuk më intereson fare nëse je pas një mburoje, apo një qytetar i thjeshtë në rrugë. Ti, për veprimin e bërë duhet të mbash përgjegjësi”, tha Keith Summey, kryebashkiak i North Charleston.

Oficerët e policisë në Shtetet e Bashkuara qëllojnë e vrasin me qindra vetë në vit, por vetëm një numër shumë i vogël rastesh i sheh ata të vendosur përballë akuzave penale. Incidenti i fundjavës nisi nga një ndalim i thjeshtë i Scottit, për shkak të një poçi të thyer të makinës që ngiste. Pati një shkëmbim fjalësh, pastaj 50-vjeçari nis të vrapojë dhe polici e qëllon me disa plumba në shpinë.

Vëllai i viktimës, Anthony tha për “Washington Post” se Walter mund të ketë tentuar të largohej, pasi nuk kishte paguar detyrimet e fëmijëve, e për këtë edhe ishte prangosur më parë. Rrezikshmëria e tij, me sa duket, nis e mbaron këtu.

Familjarët e Scottit e përshëndetën ngritjen e akuzave ndaj oficerit të bardhë dhe falënderuan kalimtarin që dorëzoi videon, duke e cilësuar “një hero” për shkak të gjestit të tij, i cili sipas tyre ishte ndihmesa më e madhe e mundshme për të vënë drejtësinë në vend./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button