Nxënësit shqiptarë nën presion dhe frikë!

Vlerësimi i njohurive mësimore në bazë të testimit ekstern, ndikimi i rezultatit në dëftesën shkollore si dhe ndryshimet në maturën shtetërore, futi nxënësit e shkollave të mesme të protestojnë dhe tani të bojkotojnë mësimin.

Ata thonë se duan të takohen me Ministrin e Arsimit dhe Shkencës (MASH), Abdilaqim Ademi më qëllim që të gjejnë një zgjidhje lidhur me këtë çështje.

Përderisa maqedonasit protestuan dhe tani bojkotojnë mësimin, nxënësit shqiptarë nuk kanë përkrahur këtë iniciativë, pasi që deri më tani vetëm nxënësit e shkollave të mesme të Tetovës nuk kanë hyrë në mësim.

Në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, nuk ka bojkot të organizuar po disa nga maturantët kanë marrë iniciativë që të mos paraqiten në mësim.

“Te ne nuk ka bojkot të maturantëve, por ai po zhvillohet në mënyrë individuale dhe jo të organizuar. Nuk jemi dakord që dijenia jonë të testohet me një test skandaloz i cili është një turp i vërtetë për shtetin tonë. Por nuk ka organizim nga shumica, askush nuk e përmend bojkotin përveç disave që kanë vendosur të protestojnë individualisht. Tjerët frikësohen madje edhe të flasin lidhur me këtë çështje. Po të bojkotonin shumica, ma merr menja që bojkoti do ishte total”, thonë disa nxënës të gjimnazit në Shkup.

Nxënësit e shkollës së mesme “Cvetan Dimov”, po ashtu në Shkup thonë se të gjithë janë kundër testimit ekstern mirëpo unioni i shkollës nuk ka marrë ende iniciativë për bojkot të mësimit

“Jemi për bojkot thuajse e gjithë  shkolla por unioni i shkollës nuk po bën asgjë në këtë drejtim, si duket janë ende në gjumë, pasi që nuk ka ende asnjë reagim apo vendim për bojkot”, thonë nxënësit e kësaj shkolle, të cilët po ashtu më parë u ankuan se edhe ankesat për gabime të mundshme në testimin ekstern nuk ju pranuan.

Kurse nxënësit e shkollës së mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov”, thonë se po ballafaqohen me presione të shumta për të mos bojkotuar mësimin.

“Kemi presione të shumta, maqedonasit bojkotojnë kurse ne jo. Na thonë se do na humbin vitin, ose do na ulin suksesi dhe më pas nuk do të mundemi që të regjistrohemi në fakultete. Nuk e dimë çka të bëjmë. Iu treguam prindërve dhe ata na thonë që më mirë të rrimë në mësim edhe pse jemi kundër testimit ekstre, por nuk duam të rrezikojmë ardhmërinë tonë”, thonë nxënësit e kësaj shkolle.

Po ashtu në Kumanovë, nxënësit maqedonas kanë filluar bojkotin kurse nxënësit shqiptarë vijojnë mësimin e rregullt.

“Nxënësit duhet të jenë më të guximshëm, duhet të marrin pjesë në bojkot jo të presin gjithçka hazër, sepse ata janë më të prekurit nga ky testim, i cili po e theksoj që disa herë që është skandaloz dhe jo adekuat për të vlerësuar dijen e nxënësve”, tha për Portalb, Samet Jahiji, kryetar i  LASH-it, Kumanovë.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), nuk duan të komentojnë bojkotin e nxënësve por njoftojnë që ministri Ademi së shpejti do të ftojë në takim përfaqësuesit e Plenumit të nxënësve.

“Ministri Ademi është duke përpiluar agjendën dhe do të ndaj kohë për një takim me Plenumin e nxënësve dhe të bisedojë me ata lidhur me kërkesat që ata parashtrojnë”, tha për Portalb, Goran Galevski, zëdhënës i MASH-it

Ndërkaq nxënësit e shkollave të mesme në Strugë, Dibër dhe Kërçovë ende nuk kanë vendosur që t’i bashkohen bojkotit, por ata ndjekin mësimin me orar të rregullt. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button