Biden fton Vuçiç në ShBA

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç priti në një takim të enjten ambasadorin amerikan në Beograd, Majkëll Kirbi (Michael Kirby), i cili i përcolli ftesën e Zv.Presidentit amerikan, Xhozef Bajden (Josef Biden) për të vizituar Shtetet e Bashkuara. Vuçiç dhe Kirby diskutuan për lidhjet politike dhe ekonomike mes dy vendeve, por edhe për mundësinë për investime të reja të ShBA-ve në Serbi. Ambasadori amerikan tha se reformat e ndërmarra nga qeveria serbe kanë filluar që të prodhojnë rezultate të dukshme, ndërsa është e dukshme se situata ekonomike në vend po përmirësohet, shkruan “In Serbia”.

Zyra e shtypit e qeverisë serbe njoftoi se dy zyrtarët ranë dakord se është bërë progres në dialogun Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Kryeministri serb theksoi se vendi i tij është plotësisht i angazhuar në rrugën evropiane, si dhe për stabilitetin politik dhe ekonomik të rajonit, si një bazë për progres në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Mirëpo ambasadori Kirbi, duke folur për “B92” shokoi me deklaratën e tij se serbët janë paksa “skizofrenë”, pasi “zemra i tërheq nga lindja, kurse kokën e kanë të drejtuar nga Perëndimi”. Sipas tij, dilema ndërmjet Evropës dhe Rusisë është e zgjedhje e rrejshme, e cila po vendoset para interesit të Serbisë.

“Ekziston paqartësi me këtë zgjedhje. Ju do të vazhdoni të keni miq edhe në Lindje edhe në Perëndim, tani i keni ata dhe në SHBA edhe në Rusi”, pati thënë ai, duke shtuar “tani nuk shtrohet pyetja e miqësisë, por ajo e interesit të Serbisë. Duhet t’i zbatoni të gjitha reformat që t’i afroheni sa më shumë Bashkimit Evropian. Të tjerat janë zgjedhje të rrejshme”.

Pra, ambasadori amerikan në Serbi e ka bërë të qartë se nuk ka rrugë tjetër për integrimin e Serbisë në BE, përveç asaj të reformave./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button