fbpx

Thaçi: Idenë e “Shqipërisë së Madhe” e krijoj Serbia

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, është keqinterpretuar dhe se, dëshira e shqiptarëve është integrimi në Bashkim Evropian.

“Ideja e Shqipërisë së Madhe është e krijuar në Serbi dhe s’ka asnjë lidhje me shqiptarët”, ka thënë të enjten për Al Jazeera, ministri jashtëm Thaçi gjatë vizitës në Slloveni, transmeton Indeksonline.

Kjo deklaratë e Thaçit vjen pas deklaratave të Edi Ramës për bashkimin kombëtar si dhe reagimeve serbe dhe atyre të BE-së.

“Beogradi e akuzoi padrejtësisht Ramën… Anëtarësimi në BE është dëshira e popullit dhe udhëheqjës së Kosovës dhe Shqipërisë, të gjithë shqiptarëve”, ka thënë zv/kryeministri i Kosovës.

Thaçi ka folur edhe për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhenieve më Serbisë dhe se si serbët lokal janë integruar në institucionet e vendit, duke përfshirë edhe policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin në tërësi.

Ai po ashtu ka thënë se ëndrra serbe për copëtimin e Kosovës ka përfunduar përgjithmonë.

“Nuk do të ketë autonomi të asaj pjesë të Kosovës, as ‘Republika Srpska’, e as ndarje të Kosovës. Qëllimi i Serbisë për ta ndarë Kosovën ka qenë shumë i rrezikshëm, sepse secili vend i rajonit e ka nga një Mitrovicë si ne”, ka thënë ai. /Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Back to top button