Shqipëria refuzon ftesën e Putinit

Shqipëria nuk do të marrë pjesë në paradën ushtarake të Rusisë më 9 maj, për të festuar 70 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Shqipëria nuk do të marrë pjesë në paradën ushtarake të Rusisë për të festuar 70 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Vendi ynë i ka kthyer përgjigje negative ftesës së Presidentit rus, Vladimir Putin, duke qenë në të njëjtën linjë me qëndrimin e partnerëve strategjikë.

“Në ceremoni të tilla ftohen krerët e shteteve. Gjithsesi, qeveria shqiptare e ka dënuar ndërhyrjen ruse në territorin ukrainas dhe i është bashkuar komunitetit euro-atlantik në qëndrimet e mbajtura. Ne jemi në të njëjtën linjë me partnerët tanë strategjikë”, thonë burime zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ftesa për “superparadën” e 9 majit është refuzuar nga liderët e BE-së, Angela Merkel dhe David Cameron, për shkak të krizës së Ukrainës dhe aneksimit të Krimesë. Kancelarja gjermane i ka thënë “jo” kësaj ftese që në datën 11 mars. Ndërkohë që BE kërkon të dalë me një konkluzion të qartë, por negociatat vijojnë ende.

Ndërkaq, Presidenti serb, Tomislav Nikoliç dhe komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura e kanë pranuar ftesën e ministrit të Mbrojtjes së Rusisë, Sergey Shoigu dhe kanë rënë dakord që ushtarët serbë të marrin pjesë në paradën ushtarake të 9 majit, raportojnë mediat serbe.

Mediet serbe shkruajnë se disa nga liderët më në zë të BE kanë vendosur të bojkotojnë Putin për shkak të krizës në Ukrainë, por çështja shtrohet sesi do ta shohë BE pjesëmarrjen e Serbisë në paradën ushtarake.

Rusia fton forcat e armatosura nga 16 vende mike, anëtarë të koalicionit anti-Hitler, duke përfshirë edhe Serbinë. 10 prej tyre e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, dy kanë refuzuar ftesën dhe mbeten ende katër vende që nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.

Pak ditë më parë presidenti çek, Milos Zeman deklaroi se do të merrte pjesë në ceremoni, madje duke ngrirë marrëdhëniet me SHBA, ndërsa sot mediet çeke raportojnë se Presidenti duhet ta vetëfinancojë vizitën në Moskë. Zeman është i vetmi lider në BE, i cili ka pranuar deri më tani ftesën për t’iu përgjigjur marshimit, i cili u kritikua gjatë fundjavës nga ambasadori amrikan Andrew Shcapiro për planet e tij për të marrë pjesë në marshim, të cilit ai iu përgjigj se dyert për ambasadorin janë të mbyllura. /Shekulli/

Lajme të ngjashme

Back to top button