Elida Zylbeari: Fitoi betejat e tua! (Intervistë)

Elida e udhëheq portalin Portalb në Maqedoni tani për tre vite dhe ajo na tregon neve rrugëtimin që ajo bashkë me bashkpuntorët e kanë bërë për të ngjitur majat e lexueshmërisë. Sfidat dhe mësimet e Elidës gjithashtu mund t’i lexoni në këtë intervistë. Lexojeni dhe shpërndajeni këtë intervistë për të motivuar edhe tjerët!

Intervistoi: Venhar Ramadani

Si duhet të veprojë një i ri në këtë situatë politike në Maqedoni?
E.ZYLBEARI: Nuk e di si ka qenë më herët, por aktualisht është shumë vështirë të jesh i ri që jeton në Maqedoni. Mendoj në aspektin profesional, është shumë vështirë të punësohesh në rrethana kur gjithçka është skajshmërish e politizuar ndërsa vlerat rrallëkush i çmon. Megjithatë,  sido që ta kemi situatën, një i ri duhet të jetë më këmbëngulës, të trokasë në çdo derë, të kaloje dy ose më shumë punë vullnetare për të përfituar përvojë sepse kjo ju mungon shumë. Ata që janë punëtorë dhe të motivuar ndonëse me vështirësi dhe nganjëherë me vonesë ia dalin.

Cila është sfida juaj si udhëheqëse e www.portalb.mk ?
E.ZYLBEARI: Çdo ditë është luftë. Vështirësitë janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga presionet e ndryshme pushtetarësh të cilët nuk kuptojnë që kritika e shëndoshë nuk është personale por për përmirësimin e kushteve jetësore të të gjithë neve. Është sfidë të punosh në këto kushte ku liria e shprehjes është e ngufatur nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka dhe mangësi të kuadrit profesional.

Si duhet të duket CV e një kandidati potencial për tu punësuar në Portalb?
E.ZYLBEARI: Fillimisht të jetë tejet i motivuar dhe i përkushtuar në atë që bën. Të ketë qasje kritike ndaj zhvillimeve që ndodhin përreth ndërsa njohja e gjuhës shqipe (shkrim dhe lexim i gjuhës standarde shqipe) është kusht i patjetërsueshëm. Gjithashtu njohja e gjuhës maqedonase dhe angleze. Përparësi kanë ata që kanë përvojë në gazetari megjithatë ky nuk është ndonjë kusht i domosdoshëm.

A është profesion atraktiv gazetaria në Maqedoni?
E.ZYLBEARI: Për ata që nuk dëshirojnë të “kalben” në ndonjë zyrë, profesioni i gazetarisë është zgjidhja e duhur. Posaçërisht në Maqedoni ku çfarëdolloj ngjarjeje ndodh dhe asgjë nuk është në rregull, ju keni mundësi të reagoni publikisht për këtë. Nuk them se është lehtë por definitivisht është interesante për ata që dëshirojnë të bëjnë ndryshime në shoqëri.

Çfarë gjërash keni mësuar në jetë për këto vite?
E.ZYLBEARI: Të jesh njeri është më e vështirë se gjithçka. Për gjërat tjera, ende mësoj…

Nga e merr inspirimin kur dëshiron të bësh diçka?
E.ZYLBEARI: Nga qëllimet që dëshiroj ti arrij.

A jeni penduar ndonjëherë për diçka?
E.ZYLBEARI: Normal që po. Gabojmë shpesh, ndërsa duhet vlerësuar lartë kur jepet mundësia për ta përmirësuar aty ku keni gabuar.

Si i merrni kritikat? Si mund të ndikojë kritika në punën tuaj?
E.ZYLBEARI: Kritikat janë pjesë e punës tonë. Jemi në vëzhgim të publikut dhe çdo kritikë (e mirëfilltë) është e mirëseardhur sepse fundja jemi në shërbim të popullit (me plot kuptimin e fjalës, jo sikur politikanë tanë që e thonë ).

A mendoni ndonjëherë të leni gjithçka në mes dhe të provoni diçka krejtësisht ndryshe?
E.ZYLBEARI: Mendoj të provoj dhe kam dëshirë të provoj diçka krejtësisht ndryshe mirëpo duke mos lënë asgjë që bëj tani pas dore. Kjo mbase është më vështirë e realizueshme por jo e pamundur.

A qani ndonjëherë?
E.ZYLBEARI: Normal që qaj, ke parë femra që nuk qajnë? 🙂

Si e komentoni gjendjen e medias në Maqedoni? A mendoni se ndikohet jeta e rinisë nga mungesa e kualitetit të mediave?
E.ZYLBEARI: Gjashtë vitet e fundit mediumet janë në gjendje shumë të vështirë dhe këtë e konfirmojnë shumë raporte vendore dhe ndërkombëtare. Shkaqet janë të shumëfishta ndërsa pasojat janë të mëdha si te rinia ashtu edhe te të tjerët. Vend i vetëm për shprehje të lirë ka mbetur Interneti ndërsa aty sundon një kaos i vërtetë pikërisht nga mungesa e vet-rregullimit të gazetarëve. Sidoqoftë, ajo që i dallon mediat tjera online ato dhe në këtë rast Portalbin, është lloji i informatave, ushqimit për publikun që zgjidhet: mund të zgjedhësh të shëndoshin, që më vështirë gjendet apo mund të japish fast-food apo atë të shpejtin- që të bën dëm. Ekipi jonë ka përzgjedhur t’ju jep atë të shëndoshin, informata të verifikuara dhe të pa-anshme, të trajtuara në pajtim me parimet gazetareske.

A janë të rinjtë tanë të gatshëm të marrin procese të rëndësishme në shpinë dhe të fillojnë ndryshimin?
E.ZYLBEARI: Aktualisht nuk më duken aq të përgatitur, mirëpo asnjëherë nuk i dihet kur do të lulëzojnë të njejtit.

A janë startup-et zgjidhje për të zbutur papunësinë e të rinjve?
E.ZYLBEARI: Mendoj që po. Secila iniciativë e cila bëhet me qëllime të pastra, vullnet dhe ide të qartë gjithnjë ka sukses edhe përkundër vështirësive që padyshim e rëndojnë procesin.

Cili është libri dhe filmi juaj i preferuar?
E.ZYLBEARI: “Libri i të qeshurave dhe harresës” nga Milan Kundera dhe filmi “Eternal Sunshine of the Spotless Mind”.

Kjo intervistë është bërë nga vizione.info dhe Portalb.mk i ka të gjitha të drejtat e publikimit të intervistës, sipas marrëveshje së arritur mes palëve. Për më shumë intervista, ndjekni VIZIONE në rrjetet sociale.

Lajme të ngjashme

Back to top button