fbpx

Të ulemi dhe të mësojmë!

Si i pari i mëhallës së katundit nga provinca erdha në qytet dhe u bëra i pari i qytetarisë studentore, jo se më zgjodhi kush, por se u zgjodha vetë.

Duke marrë parasysh se kohëve të fundit si shumë po formohen parti politike dhe shoqata të ndryshme edhe unë në bashkëpunim me “mu” formova shoqatën “Unioni i varur i studentëve të pavarur-Sallamadi” ku do të anëtarësohemi vetëm “unë” me “mu”, sepse më lehtë mund t’i zgjedhim organet e saj dhe askush nuk mund të na përzihet. Pasi e formuam unionin, kryesia vendosi që unë të jemë kryetar dhe arkëtar i unionit, sekretar nuk zgjodhëm se nuk na duhet.

Kjo ide më lindi (edhe ideja edhe fjalori i përdorur janë të vjedhura), duke marrë parasysh se të gjithë ata që deri më tani kanë formuar parti apo shoqata të ndryshme, punët obligimet që marrin përsipër t’i kryejnë ua lënë “miqëva tanë ndërkombëtar”, thash…pse mos ta bëjë edhe unë një gjë të tillë, e gjithë kjo, me qëllim të mirë, punët e mija si student t’i kryej sa më lehtë, domethënë të mi kryej tjetër kush.

E gjithë kjo bëhet në rradhë të parë për të mirën time, të studentëve dhe arsimit në përgjithësi, sidomos për ngritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në arsim (sa me më pak mund të arrijmë rezultate sa më të mira), rritjen e racionalitetit e kjo bëhet me studime afat shkurtëra dhe të shpejta (për të kursyer mjete dhe kohë). Me këtë do të luftohej dukuria e maltretimit të studentëve nga ana e profesorëve, sepse ka edhe profesor të atillë që në provim na pyesin për materialin e lëndës, derisa ne as emrin e lëndës nuk dijmë ta shqiptojmë si duhet… emrin e profesorit e dijmë se e kemi shok në facebook.

Pra, gjithmonë, duke u nisur nga fakti se ka student të atillë që edhe pas dy tre vitesh studimi në fakultet, nuk arrijnë ta kryejnë fakultetin që zgjatë katër vite ose më tepër (si puna ime), gjë që pengon realizimin e orientimit strategjik të studentëve që në afat të paracaktuar ta kryejnë fakultetin dhe të paraqiten në konkursin për punësim në qeveri që hapet sa herë që ka zgjedhje apo krizë në shtet (sepse kur nuk je i diplomuar, të thonë… ah, sikur ta kishe diplomën! Se për dije s’të pyet njeri);

Duke qenë të bindur se kjo krizë në arsim është pasojë e defekteve strukturore dhe organizative e univerziteteve tona shumetnike, shumëfetare, shumëgjinore, shumë fshatare dhe shumëqytetare;

Duke e patur parasysh edhe përvojën nga e kaluara, ku studentëve u është imponuar tendenca që të mësojnë nga librat e profesorëve dhe prirja për promovimin e supremacionit ideor të profesorëve ndaj studentëve dhe me këtë promovimin e ideve centrifugale në llogari të atyre centripetale;

Unioni i varur i studentëve të pavarur vlerëson se edhe situata momentale, që ka ardhur si pasojë e defekteve sistemore të universiteteve, nuk mund të zgjidhet me ndreqje kozmetike, sepse duke marrë parasysh kualitetin e kozmetikave që importohen nga Kina, ekziston rreziku që ato të shkryhen dhe të na bëjnë berbatë (njollosin).

Unioni i varur i studentëve të pa varur propozon që në universitet të bëhen këto ndryshime radikale…

Unioni i varur i studentëve të pavarur duke qenë i vetëdijshëm për kompleksitetin e situatës, zgjidhjen përfundimtare në arsim e sheh në dy faza:
Në fazën akute, studentët aktual të ”amnistohen” dhe deri në fund të Qershorit të pajisen me diploma në fakultetet përkatëse.
Në fazën e dytë, që është afatgjate dhe strategjike, duhet të formohet një trup i (pa) varur në cilësinë e lehtësuesit dhe realizuesit të projektit në përbërje: NATO, BE, SHBA, FBI, UEFA, FIFA, …, të cilët do të formulonin dhe realizonin projektin i cili do të parashikonte që:

1. Studimet në fakultet të zgjasin më së shumti 1 vit,
2. Studimet të jenë pa pagesë,
3. Ligjërata të ketë vetëm dy herë në vit dhe të mos jenë të obligueshme,
4. Praktikë dhe punime seminarike mos të ketë fare,
5. Provimet të mbahen vetëm formalisht sipas dëshirës së studentit,
6. Përgjigjet në provim të jenë të gatshme,
7. Euro tripet të organizohen për çdo javë…pa pagesë

Lista ngel e hapur dhe mund t’i shtohen edhe kërkesa tjera sipas nevojës dhe dëshirë së studentëve.

Unioni i varur istudentëve të pavarur, është i bindur se këto kërkesa janë legjitime dhe se do të merren në konsideratë, në rast të kundërt nëse kërkesat tona nuk do të përfillen do të jemi të detyruar që të ndërmarrin hapa më radikal…të ulemi dhe të mësojmë!

Kushtrim Jashari,
Student i Informatikës në USHT

P.S. Kur mundet që gjithë ato burra të mëdhenjë, disa edhe me mustaqe e me mjekra, e që i kanë thënë vetes se janë lidera të popullit, për çdo punë që është obligim i tyre e që e kanë marrëmandatin nga populli ose shpresojnë ta marrin i drejtohen faktorit të jashtëm t’ua zgjidh problemet e brendshme… e pse këtë të drejtë të mos e kemi edhe ne studentët që dikush tjetër ta kryej fakultetin për ne, apo jo?

Lajme të ngjashme

Back to top button