fbpx

Ligji i përfitimit dhe i pabarazisë

Para katër vitesh, në shtator të vitit 2011 Lëvizja për Bashkim kishte drejtuar akuza të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën e vlerësonte si një subjekt politik që shpërdoron paranë publike. Këto akuza ishin bërë me rastin e largimit të dy deputeteve të Lëvizjes për Bashkim nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Atë botë Lëvizja Vetëvendosje nga buxheti i shtetit pat marrë të holla në emër të fondit për mbështetje të partive politike. Vetëm për vitin 2011 për 14 deputetet, dy nga të cilët ishin të Lëvizjes për Bashkim kishte marrë 284 mije e 410 euro. Për mandatin 4 vjeçar kjo shumë ka arritur 1 milionë e 137 mijë euro. Nga një shumë e tillë Lëvizja Vetëvendosje nuk ia pat ndarë Lëvizjes për Bashkim asnjë lek edhe pse për dy deputetet i takonin brenda një viti 40 mijë euro, kurse brenda mandatit 4 vjeçar 162 mijë euro.

Ketë mënyrë të financimit të partive politike e parasheh Ligji për financimin e subjekteve politike (Nr.03/L-174). Ky ligj i privilegjeve dhe i përfitimit për partitë politike ishte miratuar në shtator të vitit 2010.

Neni 9 dhe paragrafi i parë i këtij ligji thotë:”Për financimin e aktiviteteve të rregullta të subjektit politik, mjetet nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike, ndahen në mes të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend në bazë të numrit të ulëseve për atë mandat”.

Pra në bazë të kësaj norme Lëvizjes për Bashkim do të duhej ti takonte një pjesë e shumës së të hollave në kohën kur ishte në një grup parlamentar me Lëvizjen Vetëvendosje.

” Nëse një deputet vendos të largohet nga subjekti politik, ku ka fituar mandatin, nuk do të bartë mjetet financiare të ndara nga Fondi për atë mandat në subjektin e ri politik”, kështu thotë paragrafi i dytë i nenit 9 të këtij ligji i cili nuk ka vlejt për deputet e LB-së sepse ata ishin larguar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje vetëm atëherë kur nuk kanë marrë pjesën e të hollave që u takonte.

Se Lëvizja për Bashkim kishte të drejtë ketë e vërtetojë edhe Gjykata themelore në Prishtinë në qershor të vitit 2014.

Lëvizja Vetëvendosje në njërën anë terë kohën bënë akuza për shpërdorim të parasë publike në drejtim të qeverisë, ndërsa në anën tjetër ka shpërdoruar dhe përvetësuar fondin për mbështetje të partive politike, në të cilën kishte hise edhe LB-ja.

Në fillim të këtij viti kemi parë pamje shqetësuese, ku mijëra shqiptar iken jashtë vendit.

Në të gjithë ketë tragjedi qeveria brengosej që mos këta qytetarë, të cilët kërkojnë azil në vendet e BE-së do t’ua vonojnë liberalizimin e vizave, ndërsa opozita brengosej se si të arrinte të përfitonte politikisht nga ky eksod duke bërë akuza në drejtim të qeverisë.

Edhe pse u miratua një rezolutë për ndaljen e migrimit, ajo mbeti vetëm në letër dhe askujt nuk ju kujtua e në ketë rast as partive politike se ligjet sikurse ai për financimin e partive politike të abrogohet dhe këto mjete të shfrytëzoheshin për hapjen e vendeve të reja të punës, eh rrjedhimisht ndaljen e migrimit.

Si mund të ndalet migrimi dhe të luftohet papunësia në vendin tonë, kur sipas agjencisë kundër korrupsionit çdo i treti zyrtar i lartë ka me shumë se një vend të punës, ku secila nga partitë politike që është pjesë e Kuvendit të Kosovës është përfitues i këtij ligji, duke marrë para të majme nga buxheti i shtetit.

Si shtylla kryesore e një sistemi demokratik janë partitë politike. Edhe pse vendi ynë është një sistem pluralist demokratik, partitë politike ende gjenden në një stad të ulët të zhvillimit dhe larg përkufizimit si parti politike demokratike.

Mungesa e transparencës si nga jashtë ashtu edhe nga brenda, financimi i tyre, mungesa e debatit brenda partisë, mos mbajtja e kuvendeve zgjedhore brenda afateve të përcaktuara, fuqia e madhe e liderit brenda partisë vetëm sa dëshmojnë nivelin me të ulët demokratik.

Ky nivel i ulët i demokracisë në partitë politike reflekton rrjedhimisht edhe në në punën e institucioneve  të shtetit, në të cilat kemi deficit të demokracisë.

Nëse një subjekt politik merr për çdo deputet nga 2500 euro në muaj, atëherë nëse ka 25 deputet i bie të merr 62.500 euro në muaj. Brenda një viti merr 750 mijë euro, ndërsa brenda një mandati 4 vjeçar 3 milionë euro.

Këto privilegje që gëzojnë partitë politike dhe deputetet vetëm sa dëshmojnë se në Kosovë ekzistojnë dy shtresa të qytetarëve dhe atë shtresa e pasur, pjesë e së cilës janë politikanet dhe shtresa e varfër e përberë nga qytetarët e zakonshëm, ndërsa shtresa e mesme, e cila pothuajse çdo herë bënë ndryshime pozitive brenda një vendi në Kosovë  fatkeqësisht nuk ekziston.

Ligjet nuk duhet të jenë privilegje për politikanet, por barazi dhe garanci për qytetarët.

Financimi i partive politike duhet të jetë mikst dhe atë nga buxheti i shtetit dhe nga donacionet e personave fizik dhe juridik. Nga buxheti i shtetit për partitë parlamentare caktohet një shumë, gjë që në Bashkimin Evropian shuma e cila caktohet ne buxhet për partitë politike është rreth tre euro për zgjedhës, ndërsa në Kosovë duke marrë parasysh gjendjen e rendë ekonomike duhet të jetë rreth 0.50 cent për zgjedhës.

Donacionet që jepen nga personat fizik dhe juridik, do të duhej të përcaktohej një limit dhe nuk do të duhej të kalonin shumën e rreth 5 mijë eurove në vit.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button