Makineria e ligjeve e quajtur Parlament shndërron deputetët në “indijanë”

Parlamenti i Maqedonisë është shndërruar në një makineri e cila po prodhon ligje me votën e shumicës, të cilat cilësohen të jenë pazare politike dhe nuk kujdeset për nevojat e qytetarëve.

Analistët politik vlerësojnë se ky fenomen ekziston që moti dhe se parlamenti nuk po vepron sipas kushtetutës, por nën urdhrin e Qeverisë e cila demokracinë e ka kuptuar si forcë dhe me të mbizotëron institucionet.

“Kjo nuk është asgjë e re, është një fenomen i vjetër de fakto, të cilin e kanë përdorur edhe përbërja parlamentare e mëhershme edhe kjo tani. Parlamenti nuk e bënë punën për të cilën është paraparë me kushtetutë, por luan rolin vërtetues të qeverisë dhe si një organ që krijon dhe ndërton ligje mbi nevojat e popullit. Parlamenti nuk ka forcë sepse politikanët e kanë kuptuar demokracinë si një lloj force pasi që qeveria po sundon mbi gjithçka, dhe në praktik ne nuk kemi demokraci. Situata e njëjtë mbisundon edhe te maqedonasit, por te shqiptarët është më e theksuar pasi kemi edhe mungesë të medieve kritike të cilat do të mundeshin të luanin rolin korrigjues dhe të shtynin deputetët që të jenë më kritik”, tha për Portalb, analisti Ibrahim Mehmeti.

Si shtoi se ofendimet e kryetarit të Parlamentit kanë të bëjë me nënçmimin e shqiptarëve të cilët i kategorizon dhe emëron si indianë.

“Ajo që dëgjuam në përgjime ku kryetari i Parlamentit Veljanovski përdori shprehjen indianë sipas mendimit tim ka të bëjë me nënçmimin e shqiptarëve të cilët i kategorizon dhe emëron si indianë. Ai sipas meje ka bërë banalizime të argumenteve historike ku bëhet garë se kush është popull më i vjetër në Maqedoni . Ato që dëgjuam ishin biseda kafenesh, por edhe në të tilla një person në funksionin siç është Veljanovski nuk duhet të shprehet ashtu sepse ai tregon mendimin e tij real që ka për shqiptarët dhe vërteton trajtimin jo të njëjtë të qytetarëve në Maqedoni”, shtoi Mehmeti.

Sa i përket situatës momentale në Maqedoni, profesori Jove Kekenovski vlerëson se politizimi i parlamentit ekziston që 25 vite në Maqedoni, vetëm se tani puna e tij është sofistikuar, pasi që deputetët nuk përfaqësojnë qytetarët të cilët ua dhanë mandatin, por përfaqësojnë liderët e tyre të cilët i futën në listë.

“Situata në të cilën ndodhemi është rezultat i shumicës parlamentare, ku që 25 vite partitë politike bëjnë ashtu si ju konvenon atyre. Tani ndryshimi është se këto vepra janë sofistikuar dhe deputetët nuk punojnë për popullin por punojnë për liderët e tyre. Këtu nuk mund të flasim për demokraci dhe përgjegjësi të deputetëve. Ata nuk u japin përgjegjësit qytetarëve falë të cilëve morën mandatin, por u nënshtrohen liderëve të tyre të cilët i futën në lista zgjedhore. Ata si duket nuk ndjejnë farë përgjegjësi ndaj qytetarëve. Kjo gjë nuk është e lejueshme në sistemet plurale të cilat pretendojnë të jenë demokratike”, tha për Portalb, Kekenovski.

Ai kritikoi tej mase punën e Vlejanovskit, duke theksuar se ai duhet të mban përgjegjësi politike dhe morale dhe të lëshojë funksionin pasi që u dëshmua dështimi në kryerjen e tij.

“Sa i përket Veljanoskit ai është një turp për të gjithë e sidomos për VMRO-në. Ai është servil dhe shkaktar kryesor i gjendjes momentale që po mbizotëron në vendin tonë. Ai duke mbrojtur fotelen e tij shkel mbi qytetarët për të arritur interesat personale. Ai s’ka kapacitet as legjitimitet që të mbajë këtë pozicion. Ai duhet të mban përgjegjësi politike dhe morale dhe të lëshojë pozicionin, pasi që ka dështuar në të gjitha pikëpamjet”, tha Kekenovski. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button