E la e dashura, e rrëmben me shokun për 3 orë

Një i ri mori peng ish-të dashurën, pasi nuk pranonte dot ndarjen me të. Ngjarja u shënua në orën 16:00 të ditës së djeshme, në aksin rrugor Fushë Krujë-Laç, pranë mbikalimit të fshatit Luz.

Sipas burimeve policore, ishte vetë e rrëmbyera që bëri kallëzimin në polici ndaj ish-partnerit. Incidenti ishte paramenduar nga shtetasi L.B., 24 vjeç, i cili u ndihmua të kryente “krimin” bashkë me shokun e tij, shtetasi E.R., 29 vjeç.

Dy djemtë po udhëtonin me një mjet tip ‘Golf’ në momentin që u përplasën me makinën tip “Benz”, që drejtonte 33-vjeçarja K.G. Pas aksidentit, 24-vjeçari bashkë me mikun e tij morën me dhunë 33-vjeçaren, duke e futur në makinën e tyre.

Çifti mësohet se ishte ndarë një muaj më parë, por 24-vjeçarin, i cili duket se është 9 vjet më i vogël, nuk e pranoi ndarjen, duke kërkuar që K.G. të rikthehej tek ai.

Denoncimi për rrëmbimin u bë rreth tre orë pasi kishte ndodhur ngjarje, rreth orës 19:40. Në deklaratën e dhënë në polici, e dëmtuara tha se ish-i dashuri nuk ka kryer asnjë veprim ndaj saj. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërkohë që dy “pengmarrësit” janë shpallur në kërkim./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button