Putin: Greqia nuk na ka kërkuar borxh

Athina nuk i ka kërkuar zyrtarisht ndihmë financiare Moskës për të paguar borxhin, tha presidenti i Rusisë, Vladimir Putin pas takimit me kryeministrin e Greqisë, Aleksis Cipras në Moskë.

“Pala greke nuk ka bërë asnjë kërkesë për ndihmë”, tha Putin kur u pyet nga gazetarët nëse Rusia do të ndihmojë Greqinë për barrën e huasë.

Rusia nuk do t’i ofrojë ndihmë të drejtpërdrejtë Athinës për pagesën e borxhit prej 316 miliardë euro, por Moska mund ta ndihmojë duke blerë asetet shtetërore greke apo me investime në projekte të tjera bëri me dije Putin.

Gjatë vitit 2015, qeveria greke planifikon të privatizojë asete me vlerë 1.5 miliardë euro. “Gazprom” u përpoq të merrte kontrollin e Korporatës Publike të Gazit në Greqi për 900 milionë euro në vitin 2013 kur kryeministër ishte Antonis Samaras.

Së fundmi ka pasur spekulime se Cipras udhëtoi për në Moskë një ditë para se t’i paguante FMN-së 500 milionë dollarë dhe se këtë gjë do ta bënte për t’i kërkuar Rusisë ndihmë financiare. Në fillim të muajit shkurt, ministri rus i Financave, Anton Siluanov tha se Rusia ishte gati të ofronte ndihmë për Greqinë nëse kjo e fundit do të kërkonte një gjë të tillë.

Lajme të ngjashme

Back to top button