Serbia mbyll çështjen “Bogdanov”: Hyri për të qetësuar gjakrat

Në pritje të vendimit të KAS-it të Lozanës, për apelimin e bërë si nga Serbia, që ka kërkuar t’i kthehen tri pikët pasi Komisioni i Disiplinës në UEFA ia ka hequr pasi “dështoi në mbarëvajtjen dhe organizimin e ndeshjes”, ashtu edhe nga Shqipëria, që ka kërkuar të rishikohet vendimi i Disiplinës (datë 16 dhe 17 vendimet përfundimtare), një tjetër ngjarje është zhvilluar në heshtje.

Një vendim gjykate i marrë në formë të prerë dhe “me silenciator”, pasi janë marrë në pyetje dy dëshmitarë kyç të ngjarjes. Po flasim për tmerrin e Beogradit, atë mbrëmje të 14 tetorit të vitit të shkuar, në sfidën Serbi-Shqipëri, e vlefshme për eleminatoret e “France 2016”.

Një ngjarje e cila vazhdon të bëjë jehonë edhe në ditët e sotme por që, përveç kësaj, ka ndezur edhe një luftë juridike e cila brenda disa ditësh do të mbyllë përfundimisht “kapakun” në istancën e fundit juridike dhe jo sportive, raporton Lajmi.

Por, le të kthehemi tek vendimi i turpshëm që është konsumuar vetëm dy javë më parë, kur Gjykata ka lënë të “lirë” Ivan Bogdanov, ultrasin e Crvena Zvezdës, lider i grupimit “Delije”, duke mos e konsideruar shkelje futjen në fushë bashkë me disa të tjerë, pas minutës së 41-të të ndeshjes Serbi-Shqipëri.

Kanë mjaftuar dy dëshmi të dy policëve që ndodheshin aty atë natë, për të hequr çdo dyshim dhe në mënyrë të turpshme të shpallfin jofajtor Bogdanovin… “Atë mbrëmje, Bogdanov u fut në fushë dhe në fillim menduam se do të shkaktonte trazira, por kur e pamë të fliste me policinë, rojet e sigurisë dhe futbollistët, duke qetësuar të gjithë dhe duke i kërkuar tifoazëve të ktheheshin në tribuna dhe të mos qëndronin aty, kuptuam se kishte hyrë për të kthyer gjithçka në normalitet dhe për të qetësuar gjakrat”.

Një dëshmi e cila ka qenë thuajse e ngjashme me atë të vetë tifozit, i cili ka deklaruar se qëllimi i tij nuk ishte të shkaktonte trazira dhe të prishte punë, por të mundohej të shmangte kaosin që ishte krijuar, duke qenë më pranë tifozerisë vendase.

Edhe avokatja e Bogdanovit, në një deklaratë të dhënë për gazetën “Kurir”, ka mbrojtur klientin e saj duke thënë se ai është “i pafajshëm” dhe s’duhet të përndiqet penalisht nga Prokuroria e Beogradit.

E vërteta – E vërteta e asaj mbrëmje është krejt ndryshe nga historia që serbët tregojnë. Në fakt, Bogdanov bashkë me një grupim prej pesë vetësh, u fut në fushë nga një nga tribunat, duke iu drejtuar futbollistëve kuqezi dhe duke bërë gjeste kërcënuese ndaj tyre. Ishin lojtarët serbë ata që e ndalën duke shmangur ndoshta diçka më të rëndë dhe një konfrontim. Madje, njëri mbante togëzën e rripit në dorë… Nëse ishin futur për të qetësuar gjakrat, pse duhet të drejtoheshin nga lojtarët e Shqipërisë dhe jo ku ishin tifozët e tyre?!

5 Vjet burg rrezikonte Bogdanov, sipas procesverbalit dhe në sajë të faktit se ishte përsërits. Madje, në rast se akuzat do të ishin për akte të dhunshme në fushën e lojës, mund të shkonte deri në 12 vjet burg. Por, asgjë nga këto s’u vërtetua.

Lajme të ngjashme

Back to top button