“Beteja” për naftën, Rama: Nuk do të lejojmë zhvatjen e pasurive

Kryeministri Edi Rama deklaroi nisjen e një auditi ndërkombëtar ndaj koncesionarit ‘Bankers Petroleum’ mbi problematikat e kontratës së kompanisë me shtetin shqiptar.

Sipas një auditi financiar të AKBN-së, ‘Bankers Petroleum’ ka shlyer investimin në vitin 2011, datë pas së cilës duhet të niste pagesën e tatim-fitimit në masën 50 %.

“Bazuar tek auditi ndërkombëtar, ne do të marrim edhe rezultatin e të gjitha problematikave që ka kompania me kontratën, me shtetin dhe me qytetarët shqiptarë. Për çdo problematikë që do të rezultojë si një problem mes kompanisë dhe shtetit, kompania do të vihet përpara përgjegjësisë, njësoj siç vihet përpara përgjegjësisë në SHBA, Kanada, Francë, Gjermani apo kudo qoftë. Nuk kemi luksin që të mbyllim sytë apo që të humbasim, qoftë edhe një litër naftë nga kjo pasuri që nuk na e kanë dhënë të huajt dhe nuk mund të na e marrin të huajt e të na e zhvasin si t’u teket atyre”, tha Rama.

Kryeministri tha se qeveria ka trashëguar kontrata skandaloze, siç u shpreh ai, me kompanitë që shfrytëzojnë burimet shqiptare të nëntokës. Por kontratat që do të nënshkruhen në të ardhmen, theksoi kryeministri, nuk do të lejojnë zhvatjen e pasurive kombëtare.

“Nuk do të ketë më kompani fantazmë, as kompani që vijnë në Shqipëri dhe të gjejnë kushëririn e duhur për të hapur burime ku të munden dhe për të marrë sa të munden nga nafta e shqiptarëve, por nën qeverinë tonë, çdo kontratë e re, jo vetëm do të jetë e standardeve ndërkombëtare, por do të bëhet vetëm me emra të mëdhenj dhe të panjollosur botërisht”, tha Rama.

Kryeministri përfitoi nga aktiviteti me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për të shpallur një tjetër aksion të rëndësishëm, atë kundër çdo tregtari që mashtron konsumatorët me cilësinë e karburantit.

“Kush u shet shqiptarëve naftë që nuk përmbush standardet e parashikuara të cilësisë, ka vetëm pak javë kohë për t’u kthyer njëherë e përgjithmonë brenda kornizës së parashikuar nga ligji”, tha Rama./TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button