Handasah Al Sawt apo Arti i Tingullit   

Ky tekst është marrë nga libri “Atlasi kulturor i islamit” i botuar në vitin 1986 nga shtëpia botuese Macmillan Publishing Company, Nju Jork. Autorë: Isma’īl R. Fārūqī dhe Lois Lamyā al Fārūqī        

Ky kapitull mbi materialet estetike të njohura ndryshe si “muzikë”, është titulluar si Handasah Al Sawt  ose Arti i Tingullit. Këtë mënyrë të titullimit e kemi zgjedhur për arsye se termi “muzikë” apo “mūsīqā”, termi arab, nuk përdoret për të gjitha llojet e aranzhimeve melodike dhe ritmike, qoftë ato vokale apo intsrumentale, ashtu si përdoret termi anglez apo terme të ngjashme të gjuhëve evropiane. Termi “mūsīqā” përdoret vetëm për zhanre të caktuara të artit të tingullit; më së shumti përdoret për ato lloje muzikore të cilat kanë status të dyshimtë apo të pakënaqshëm në kulturën islame. Kështu, ta sqarosh muzikën ashtu si kuptohet në kulturën islame, do ta kufizonte diskutimin dhe në të njëjtën kohë do flisnim për një segment të kufizuar të artit të tingullit në botën muslimane, me çka do përjashtonim zhanret më të rëndësishme dhe më të pranueshme. Nga ana tjetër, ta përdorësh këtë term për këndimin e Kuranit dhe për forma të ngjashme të tingullit, për muslimanët do të thotë jo vetëm mospërshtatje, por edhe blasfemi. Me qëllim që t’i largohemi keqinterpretimeve dhe irritimeve të tilla, në këtë punim shembujt e materialeve tingullimore i kemi quajtur handasah al sawt. Kjo shprehje arabe do t’i përfshijë të gjitha kombinimet artistike të tingujve dhe ritmeve të krijuara në kulturën islame.

Feja islame dhe muslimanët tentojnë të arrijnë unitet në të gjitha mendimet dhe veprimet nën sundimin dhe udhëheqjen e Zotit. Kuran’i ka shërbyer dhe shërben si model për shprehje të ndryshme estetike, me çka shumë lehtë mund ta objektivizojmë edhe esencën e manifestimit estetik në artin e tingullit. Ajo ka ndikuar te handasah al sawt në dy mënyra të rëndësishme: si e para, në pikëpamje sociologjike, me çka interpretuesit dhe dëgjuesit e vlerësojnë dhe e përdorin artin sawt-i në mënyra unike islame; dhe si e dyta, në mënyrë teorike, duke i trajtuar pjesë-pjesë karakteristikat e shembujve aktual tingullimor, ashtu si interpretohen dhe përjetohen nga popujt musliman.

Kategoritë e zhanreve muzikore

Qytetërimi islam e hedh poshtë idenë e ndarjes së jetës fetare nga ajo  laike, gjë që është bartur edhe në sferën e artit të tingullit. Ideja e tawhid-it (koncepti i monoteizmit në islam apo Uniteti i Zotit), është reflektuar jo vetëm në zhanret religjioze të artit të tingullit, por ajo e ka nxitur edhe mendimin e muslimanëve për krijim të formave tjera të artit të tingullit. Në një kontekst islamik, kategorizimi i zakonshëm i cili bëhet për të ndarë njërin lloj muzikor nga tjetri – muzika religjioze nga ajo laike, muzika klasike nga ajo popullore – ka dështuar në krijimin e dallueshmërisë midis zhanreve. Kështu, handasah al sawt reflekton një “unitet gjithëpërfshirës”, ku nëpërmjet urave lidhëse arrihet gërshetimi midis zhanreve dhe kategorizimeve të tyre. Karl Signell e përshkruan “muzikën e xhamisë” si nën-zhanër të muzikës klasike. Amnon Shiloah shkruan per “lidhjet e ngushta” dhe “bashkëveprimeve” midis muzikës fetare dhe muzikës artistike në popujt musliman, po ashtu shkruan edhe për një “depërtim” të muzikës artistike në repertor folklorik.

Mënyrat e interpretimit

Homogjeniteti në artin e tingullit tek shoqëritë islamike vërehet edhe te mungesa e interpretimit preciz në zhanre të ndryshme. Në këtë kulturë ekziston një dallim shumë i lehtë midis të ashtuquajturave zhanre religjioze dhe zhanreve pastër religjioze. Kështu për shembull, këndimi Kuran’or është një zhanr religjioz i handasah al sawt, i cili ka kuptim shumë të gjërë. Ky këndim përdoret çdo ditë gjatë interpretimit të salat-it, një lutje formale islame. Përveç kësaj, atë mund ta dëgjojmë edhe në raste tjera të rëndësishme religjioze: në salatet e veçanta gjatë festave të mëdhaja (Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami), gjatë varrimeve dhe në ritet e mëngjesit për të afërmit e të vdekurve, gjatë lutjeve tarawih të bëra çdo natë gjatë muajit të agjërimit, Ramazan, e të tjera. Por, këndimi Kuranor ose qira’ah (“recitim”)  nuk përdoret vetëm në kontekst religjioz. Atë mund gjithashtu ta dëgjojmë gjatë mbledhjeve të ndryshme publike, raste festive dhe gjatë programeve ditore të radiove dhe televizioneve.
Shumë shembuj të tjerë të artit sawt-i, si poezia e kënduar, improvizimet vokale dhe instrumentale dhe këngët metrike me tekste serioze, janë gjithashtu të interpretuara në  shumë kontekste. Duhet të theksojmë që edhe pse këndimi Kuran’or përdoret në një gamë të gjërë rastesh, është zhanri i vetëm i pranuar i handasah al sawt si pjesë e lutjes formale (salat).

Interpretuesit e zhanreve të ndryshme

Ndarja midis interpretuesve të zhanreve të ndryshme është shumë me pak e theksuar në shoqërinë islame se sa në të tjerat. Një instrumentist si Beni Gudman, i cili me sukses i kalon kufijtë të cilët e ndajnë muzikën klasike nga xhezi, është përjashtim në kulturën muzikore perëndimore. Në kulturën islame interpretuesit e njejtë shpesh luajnë ose këndojnë zhanre krejtësisht të ndryshme dhe për raste krejtësisht të ndryshme. Shumë këngëtarë të suksesshëm të muzikës laike në të njejtën kohë janë trajnuar edhe si recitues të Kuran’it. Një nga shembujt më të njohur është Umm Kulthūm.

Pjesëmarrja e jo profesionistëve në të gjitha tipet e artit të tingullit është po ashtu e rëndësishme, qoftë në këndimin Kuran’or dhe këndimet tjera religjioze ose në interpretimet vokale dhe instrumentale për argëtim shoqëror. Amatorët janë po aq të rëndësishëm për interpretimin sawti aq sa edhe profesionistët.

Pjesëmarrja e publikut

Pjesëmarrja e publikut tregon gjithashtu homogjenitet në përdorimin e artit të tingullit në shoqëritë muslimane. Derisa nuk ekziston ndarje e mprehtë midis kategorive të interpretimit sawti, nuk ekziston as edhe një zhanër i formave tradicionale, i cili preferohet estetikisht nga një segment i popullatës. Në fakt, vetëm muzika bashkëkohore perëndimore dhe muzika klasike kanë një audiencë të kufizuar dhe të pjesërishme, një audiencë e cila varet nga trajnimi special i dëgjuesve potencial. Kështu, homogjeniteti i zhanreve dhe i interpretuesve në kulturën islame ka bërë që estetikisht arti i tingullit të jetë i pranueshëm për të gjithë. Këtu nuk ke nevojë për dëgjim të sforcuar ose për kurse formale vlerësuese.

Përhapja historike

Esenca e unitetit dhe homogjenitetit të handasah al sawt gjithashtu ka dimension historik. Shumë nga karakteristikat të cilat mund të gjenden në shembujt muzikor të këtij shekulli, mund të vërehen po ashtu edhe në materialet e dokumentuara të handasah al sawt të shekujve më të hershëm. Baroni d’Erlanger shkruan që në aspekte melodike dhe ritmike, karakteristikat e përgjithshme të muzikës së fiseve të sotme arabe mund të konsiderohen si një “eho e besueshme” e periudhës paraislamike; dhe Xhorxh Saua e sqaron ngjashmërinë midis praktikës interpetuese mesjetare dhe bashkëkohore në kulturën arabe. Në një përshkrim të një vepre anonime mbi teorinë muzikore arabe, Amnon Shilaoah shkruan që ky dokument është “çelës për të kuptuar sistemin modal, i cili duket që në Safi al-din (shekulli VII (KI)*/XIII (KG)**) dhe Abd al Kadir Ibn Ghaybi ( vitet 389 (KI)/1435 (KG)), një sistem i cili shërben si bazë për sistemin e praktikuar edhe sot.”

Relevanca ndër religjionale

Përveç elementeve të sipër përmendura të homogjenitetit, shprehjet sawti në shoqëritë islame zbulojnë edhe homogjenitet ndër regjional. Edhe pse ndryshimet në teorinë muzikore, në instrumente, në zhanre dhe në praktika interpretuese ekzistojnë nga shteti në shtet dhe nga qyteti në qytet, një numër i konsiderueshëm karakteristikash i bashkon kulturat muzikore të popujve musliman. Këto karakteristika janë evidente në ato shtete ku ka shumicë muslimane, por edhe atje ku islami ekziston si religjion minoritar dhe madje në shumë vende ku islami është pakicë religjioze e konsiderueshme minoritare. Disa karakteristika të sawti-t janë më lehtë të dalluara nëpërmjet një grupi të caktuar instrumentesh.  Ky fakt ka shkaktuar përhapjen e instrumenteve më tipike të muslimanëve të hershëm nga toka arabe në regjionet tjera të botës muslimane. Laramania në instrumente u ndikua shumë nga bashkëveprimi i hovshëm midis popujve musliman. Ky bashkëveprim erdhi si rezultat i zhvillimit të madh të tregtisë, zhvillimeve politike dhe nga udhëtimet të cilat i kanë bërë për edukim dhe piligrimazh. Gradualisht, instrumentet më të rëndësishme të muslimanëve filluan të hasen në çdo regjion. Nganjëherë, ata i mbanin emrat dhe karakteristikt e njejta strukturale, ashtu si instrumentet origjinale; ndonjëherë ata riemërtoheshin dhe përshtateshin sipas parapëlqimeve regjionale dhe materialeve që i dispononin.

Instrumentet aerofone, kordofone dhe membranofone e zënë vendin kyç në interpetimin e handasah al sawt. Edhe instrumentet idiofone gjithashtu përdoren nga muslimanët, mirëpo nuk kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm ashtu si tre grupet e para.

Homogjeniteti ndër regjional ka qenë shumë më i fuqishëm në shekujt e mëhershëm se sa në kohërat bashkëkohore. Në periudhat e para të historisë islame, nuk kanë ekzistuar kufi nacional për të ndaluar lëvizjet e personave dhe ideve. Gjuha arabe, gjuha e Kuran’it, njihej nga shumë popuj. Ajo konsiderohej si kriteriumi i përbashkët i këmbimit kulturor për muslimanët, por qoftë edhe për jo muslimanët, aty ku kultura islame ishte fuqia dominante. Gjuha e përbashkët dhe ngjashmëritë e praktikave sawti, pavarësisht dallimeve regjionale, bënë që shume nga teoritikët e sawti-t të kenë ndikim në tërë botën islame. Trajtimet e tyre nuk lexoheshin vetëm nga pjesëtarët e shekullit kur jetonin ata dhe vetëm nga enklava të caktuara politike apo regjione të caktuara gjeografike.

Mendimet e autorëve të cilët kanë shkruar mbi handasah al sawt, ashtu si Fārābī (339 (KI)/950 (KG)) dhe Șafī al Din al Urmavī (693/1294) janë marrë si shembuj për shekuj të tërë pas vdekjes së tyre nga teoritikë dhe veprimtarë të ngjajshëm.

Sqarim: KI (Kalendari Islam); KG (Kalendari Gregorian)

 Përktheu: Saranda Bajrami, studente e muzikologjisë pranë Fakultetit të Arteve, dega-muzikë, në Universitetin Shtetëror të Tetovës

Lajme të ngjashme

Back to top button