Hill: Maqedonia asnjëherë nuk do të heq dorë nga emri

Ish ambasadori amerikan në Maqedoni Kristofer Hill deklaroi se e din se Maqedonia asnjëherë nuk do të heq dorë nga emri i saj kushtetues, dhe se në bisedimet me Greqinë nevojitet të gjendet ndonjë zgjidhje e cila do ta hap rrugën për qasje në Bashkimin Evropian pa ndryshimin e emrit kushtetues.

“Mendoj se përgjigjja ende duhet të jetë një lloj pako për emrin që do të jetë i pranueshëm për të gjithë, por do ta ruaj emrin kushtetues. Maqedonia nuk do ta ndryshojë emrin kushtetues, por duhet të ketë disa lëshime për të tejkaluar këtë, duke nënkuptuar se emri kushtetues duhet të mbetet dhe se duhet të ketë pako me të cilën do të hyjnë në Bashkimin Evropian. A mundet ndokush ta zgjidh këtë kontest tani? Mendoj se jo. E di se maqedonasit nuk do ta ndryshojnë emrin. Për ta dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës emri është Republika e Maqedonisë. Gjithashtu e di se duhet të ketë një lloj të procesit ku do të ketë edhe diçka për grekët, por në këtë moment nuk mund të them se çka do të jetë ajo”, deklaroi Hil në pyetjen e Televizionit të Maqedonisë, derisa fliste në Universitetin Xhon Hopkins në Uashington. Ambasadori Hil shtoi se kontesti rreth emrit është çështje e rëndë, që shihet nga vet fakti se zgjidhja e tij zgjat mbi 20 vjet. Hil ishte ambasadori i parë amerikan në Maqedoni, dhe ishte aktivisht i përfshirë në arritjet e Marrëveshjes kohore mes Maqedonisë dhe Greqisë në vitin 1995, me të cilën u vendos referenca e përkohshme për Maqedoninë, u ndërpre embargoja greke dhe Greqia u obligua që më tej mos ta pengojë pranimin e Maqedonisë në institucionet ndërkombëtare Duke folur për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, Hil shtoi se sheh polarizim të Maqedonisë, jo në marrëdhëniet etnike, por në ato politike.

“Maqedonia ka çështje të brendshme, me të cilat duhet të ballafaqohet dhe duhet të zgjidhen jo vetëm lidhur me shumicën që ka fituar në zgjedhje, por edhe lidhur me ata që nuk kanë fituar. Të gjithë duhet të ndjejnë se janë pjesë e sistemit. Por, krahas kësaj, edhe pse ka shumë ankesa dhe askush nuk është i kënaqur, ende mendoj se Maqedonia është pjesë e përhershme e hartës së Evropës dhe të gjithë duhet të jenë të krenohen për këtë”, deklaroi ambasadori Hil. Ai tani është dekan në Universitetin e Denverit, në Kolorado, dhe e promovon librin e tij me përkujtime nga karriera diplomatike, e cila, përveç në Maqedoni, e dërgoi si ambasadori edhe në Poloni, Korenë e Jugut dhe në Irak

Lajme të ngjashme

Back to top button