Marin Mema demaskon “patriotët” e partive shqiptare në Maqedoni (Video)

Gazetari i Top Channel, Marin Mema, i njohur për ciklin e tij të emisioneve “Shqipëria Tjetër” dhe “Exclusive” ku me guxim të jashtëzakonshëm gjurmon dhe sjell në ekran shqiptarë dhe troje shqiptare të ngelura jashtë kufijve. Ai bëri bujë në Maqedoni pas dokumentarit në fshatrat e Rekës së Epërme, banorë shqiptarë ortodoks që prej rrethanave politike u asimiluan dhe kishin frikë të tregojnë se janë shqiptarë.

Edicioni i fundit i titulluar “Të (mos) jesh shqiptar”, që u transmetua të dielën, fliste për Ohrin shqiptar, për qytetin e lashtë ilir, që deri para 100 viteve banohej 80% me shqiptarë, e që sot fatkeqësisht kanë ngelur më pak se 6%.

Mema me kamerë të fshehtë kishte xhiruar biseda me banorë ortodoks që flisnin shqipen e që thonin se janë maqedonas, ashtu si myslimanë që në shqip thonin se janë turq.

“Në Ohër është më lehtë të jesh maqedonas dhe turk sesa shqiptar”-thotë gazetari Mema. Madje ai jep edhe të dhëna shqetësuese ku nga 300 të punësuar në Komunën e Ohrit, vetëm tre janë shqiptarë.

Marin Mema akuzon partitë dhe politikanët shqiptarë për këtë fenomen.

“Është koha që “patriotët” e partive politike shqiptare në Maqedoni të shohin veten në pasqyrën e realitetit që vetë e kanë prodhuar në qytetin e Ohrit. Të shohin se si humbi  një qytet me mëse 80% shqiptarë dhe sesi vazhdon edhe sot të manipulohet historia e tij. S’ka doreza, veç të vërteta si kurrë më parë. E pas tyre le të “përdridhen” sërish këta politikanë në FB për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni”- shprehet Marin Mema, transmeton Portali Vatra.

Sipas Memës fajtorë kryesorë për këtë gjendje të shqiptarëve të Ohrit janë partia shqiptare në pushtet, por edhe të tjerat që kanë provuar kolltuqet qeveritare.

“Këto janë të vërtetat që nuk mund ti mohojë askush. As ata që flasin bosh për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, e as ata që zihen flokësh për një post në qeveri”- përfundon Marin Mema në dokumentarin e tij për Ohrin Shqiptar./Vatra/


Lajme të ngjashme

Back to top button