fbpx

Jemeni, i mbërthyer nga kaosi. Rajoni më i përgjakshëm i Lindjes së Mesme

Jemeni është përfshirë nga një kaos i madh. Bombardimet e vazhdueshme ajrore të kryesuara nga Arabia Saudite dhe aleatët e saj kanë goditur një shkollë në jugperëndim të vendit, duke vrarë 3 nxënës dhe duke lënë të plasogur qindra të tjerë.

Sipas burimeve, fëmijët ishin në kohën e pushimit të drekës, kur bombardime të fuqishme nisën mbi ta. UNICEF tregon se vetëm në dy javë, 74 fëmijë kanë humbur jetën.

Incidenti i radhës nuk është asgjë tjetër, veçse një tregues që Jemeni po kthehet në zonën më të përgjakshme për momentin në Lindjen e Mesme, duke marrë jetën e civilëve, personave që nuk kanë aspak lidhje me luftën, si dhe të huajt.

Edhe pse mes rebeshit të bombardimeve, rebelët Houthi ende vazhdojnë të kontrollojnë kryeqytetin Sanaa. Por sulmet ajrore kanë shkatërruar shumë infrastrukturën e qytetit. 16 milionë banorë të Jemenit jetojnë pa energji elektrike dhe një pjesë shumë e madhe e tyre nuk kanë as ujë.

Sipas reporterëve, në vendngjarje shumë njerëz kanë guxuar të largohen duke iu drejtuar aeroportit, me shpresën për të mos humbur fluturimin e radhës.

“Jam i rraskapitur nga kjo situatë, natën është një tmerr! Dëgjohet vetëm zhurma e krismave dhe kur ngre sytë nga qielli e sheh atë të ndriçuar nga dritat, që nuk janë gjë tjetër veçse zjarri i armëve. Pastaj dëgjon britma grash dhe fëmijësh, që qajnë me dënesë. Situata është shumë e rëndë”.

Me valixhe nëpër duar, banorët largohen duke marrë përsipër edhe riskun që rebelët Houthi mund t’i ekzekutojnë, pasi ata e kanë aeroportin nën kontroll. Teksa bombardimet ajrore hynë në javën e dytë, organizatat ndërkombëtare paralajmëruan se vendi është drejt një krize të madhe humanitare, duke shpresuar për të sjellë furnizime jetike dhe staf mjekësor, për t’u ardhur në ndihmë të gjithë atyrë që janë nën trysninë e luftës. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button