Sot vendoset për fatin e komandantit Limaj

Për herë të tretë në Kosovën e pasluftës, Fatmir Limaj, ish- komandant Çeliku, do të ngrihet të martën në këmbë para trupit gjykues dhe do të dëgjojë nëse është fajtor apo jo për akuzat në rastin “Kleçka”.

Verdikti i gjykatës pritet që të shpallet mesditën e së martës ndaj Fatmir Limajt dhe nëntë ish-bashkëluftëtarëve të tij të dikurshëm. Për dhjetë personat e akuzuar e të riakuzuar nga prokurori i EULEX-it Maurizio Salustro, ky i fundit në fjalën përfundimtare ka kërkuar dënim. Pavarësisht që dëshmitë e prezantuara nga dëshmitarët dallojnë shumë nga dëshmitë që i ka ofruar Salustro, gjatë dhjetëra seancave gjyqësore, Salustro pretendon që është vërtetuar fajësia e të akuzuarve.

Por, mbrojtja e Fatmir Limajt, Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës, Naser Krasniqit, Arben Krasniqit, Behlul Limajt, Refki Mazrekut, Sabit Shalës, Shaban Shalës e Besim Shurdhajt edhe njëherë kanë kërkuar aktgjykim lirues për luftëtarët e dikurshëm.

Mbrojtja pohon se klientët e tyre nuk kanë përgjegjësi penale për krimet që pretendon Maurizio Salustro. Ndërkaq, ky i fundit provat e tij i bazon në dëshminë e dëshmitarit Agim Zogaj, i cili është vetëvrarë në Gjermani në shtator të vitit 2011. Mbi këtë dëshmi ishte ngritur aktakuza e parë ndaj Limajt dhe të tjerëve në korrik të vitit 2011. Limaj akuzohej për dhënien e urdhrit për vrasjen e dy policëve serbë, që ishin zënë robë në fshatin Kleçkë.

Pavarësisht aktakuzës dhe gjykimit të mbajtur, vdekja e dëshmitarit X dhe mosdëgjimi i tij në seancat gjyqësore kishte bërë që gjykata të shpallte si të pavlefshme dëshmitë e këtij dëshmitari, si dhe ditarin e tij të shkruar sa ishte gjallë. Hedhja poshtë e këtyre dëshmive ka bërë që Fatmir Limaj të marrë aktgjykim lirues.

Ky aktgjykim lirues ishte i dyti për Fatmir Limajn, i cili në 2006-ten ishte shpallur njashtu i pafajshëm për krime lufte nga Trubunali Ndërkombëtar për krime lufte në Hagë. Pavarësisht pse dëshmitë e X-it ishin shpallur të papranueshme nga Gjykata e Qarkut, Gjykata Supreme pas ankesës së prokurorit këto dëshmi i kishte shpallur të vlefshme ndërsa lëndën ndaj Limajt dhe të tjerëve e kishte kthyer në rigjykim.

“Nesër do të shpallet aktgjykimi për z. Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij. Unë si avokat i z.Limaj jam i bindur se nëse trupi gjykues e bazon vendimin përfundimtar në bazë të ligjit, drejtësisë dhe provave, atëherë mund dhe duhet të kemi vetëm aktgjykim lirues”, ka thënë të hënën avokati Tomë Gashi. /Zeri

Lajme të ngjashme

Back to top button