Thaçi: Anëtarësimi i Kosovës në OKB, një proces i natyrshëm

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një intervistë me të përditshmen kroate, “Veçernji List”, gjatë vizitës në Kroaci.

Thaçi do të takohet me zyrtarët më të lartë të Republikës së Kroacisë, kryetaren e re Kolinda Grabar-Kitaroviq, kryeministrin Zoran Millanoviq, kryeparlamentarin Jerko Leko, dhe zëvendëskryeministren e Parë dhe ministren e jashtme kroate, Vesna Pusiq.

Në intervistën për të përditshmen kroate, zëvendëskryeministri Thaçi ka thënë se e ka filluar detyrën e re me dy synime. Për të avancuar ambiciet euroatlantike të Kosovës dhe për të mbështetur qeverinë drejt tranzicionit të qetë nga axhenda e shtetndërtimit deri në procesin e integrimit në Bashkim Evropian si dhe reformat e domosdoshme në rrugëtimin drejt anëtarësimit. Ai tha se bashkëpunimi rajonal është jetik për jetësimin e këtyre synimeve. “Kosova ka arritur me sukses të transformohet nga një importues i burimeve të sigurisë në një eksportues të nismave të paqes. Së kendejmi, tha Thaçi, Kroacia është një partnere kyçe për Kosovës meqë mund t’i ndajë me ne përvojat e freskëta në rrugën e saj drejt NATO-s dhe BE-së”, ka shtuar Thaçi, transmeton RTK.

Thaçi tha se Kroacia dhe Kosova gëzojnë partneritet të posaçëm me faktin se Kroacia e mbështeti Kosovën ne periudhat më të rënda gjatë viteve të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta, përballë regjimit serb, por edhe falë kontributit të jashtëzakonshëm që e dhanë gjeneralët dhe ushtarët kosovarë për lirinë dhe pavarësinë e Kroacisë.

Sa i përket koalicionit të ri qeverisës, Thaçi tha se qeveria e re është qeveria e parë që është formuar pa asnjë përfshirje të komunitetit ndërkombëtar, se formimi i qeverisë ishte një proces i gjatë, por i suksesshëm në fund.

I pyetur rreth marrëveshjes me kryeministrin Isa Mustafa për postin e kryetarit të vendit më 2016, Thaçi dha një përgjigje afrimative duke thënë se do të bëhet kryetar i Kosovës vitin e ardhshëm pas përfundimit të mandatit të kryetares Atifete Jahjaga, gjë që, sipas tij, është një ndarje korrekte e punës që siguron stabilitet të vazhdueshëm.

Në lidhje me zhvillimin ekonomik të vendit, Thaçi tha se në shtatë vitet e fundit ekonomia e Kosovës pati rritje mesatare prej 4%, me gjithë krizën financiare dhe se nuk ka pësuar nga recesioni në asnjë muaj të vetëm. Ai shtoi se Kosova ka ndërtuar 1,500 km rrugë dhe autostrada, por edhe 100 shkolla, prandaj 40% e buxhetit të vendit ishin investime publike. Gjithashtu, Thaçi theksoi se pagat janë rritur në shkallë prej 70% në shtatë vitet e fundit, se Kosova ka shkallën më të ulët të borxhit publik në Evropë, me një borxh prej afro 5% të GDP-së për të gjitha këto vite.

Zëvendëskryeministri Thaçi siguroi se Trepça është dhe do të mbetet e Kosovës, ndërsa vendi po i shqyrton modelet e qeverisjes apo privatizimit të minierave të çmuara. Në anën tjetër, Thaçi u shpreh optimist se deputetët serb do të kthehen në Kuvend së shpejti sepse e vetmja mënyrë që mund të kontribuojnë për përmirësimin e pozicionit të serbëve në Kosovë është përmes pjesëmarrjes në institucionet e Republikës së Kosovës.

Rreth bisedimeve me Serbinë në Bruksel, Thaçi nënvizoi se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të kurorëzohet me hapjen e ambasadës së Republikës së Kosovës në Beograd.

Zëvendëskryeministri Thaçi foli edhe për reparacionet e luftës, duke thënë se Serbia, herët a vonë, do të bëjë kompensimin e dëmeve të luftës nga shteti serb, i cili është përgjegjës për shkatërrimin e mbi 60% të pronave private në Kosovë në vitet 1998-1999, dhe kjo do të jetësohet përmes gjykatave kompetente. Ai tha se zbardhja e plotë e së vërtetës do t’i shërbejë Serbisë që të lirohet në tërësi nga ngarkesat historike dhe se kështu do të reralizohet pajtimi i plotë në Ballkan.

Thaçi tha se është mëkat që Bosnja e Hercegovina po dëshmohet, në disa segmente, më jokonstruktive sesa Serbia përballë Kosovës. Ai tha se qytetarëve të Kosovës i duhen viza për të hyrë në Bosnje meqë kjo e fundit nuk i njeh pasaportat e Kosovës, në kohën kur kosovarët mund të udhëtojnë për në Serbi me letërnjoftime. E njëjta vlen edhe për diplomat e lëshuara nga institucionet arsimore të Kosovës.” Uroj që qeveria e re në Sarajevë do të reflektojë mbi domosdoshmërinë e ndërtimit të marrëdhënieve miqësore në Ballkan si parakusht për procesin e integrimit evropian”, u shpreh Thaçi.

Në fund të intervistës për “Veçernji List”, zëvendëskryeministri Thaçi tha se rrugës së anëtarësimit të Kosovës në OKB do t’i paraprijë nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si hap i parë formal drejt anëtarësimin në BE. Më pas, Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës por edhe në disa agjenci të OKB-së, në Partneritetin për Paqe të NATO-s. Thaçi tha se për të është më e rëndësishme që Kosova, e njohur nga shumica e shteteve anëtarë të OKB-së, të jetë një demokraci funksionale dhe e avancuar, e lidhur ngushtë në procesin e integrimeve me BE dhe NATO dhe në paqe me të gjithë fqinjtë, ndërsa anëtarësimi në OKB do të ndodhë natyrshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button