Pushteti ka frikë, ka fshehur sa ka harxhuar

Afatet ligjore kanë kaluar – Llogaria përfundimtare për buxhetin e vitit 2012 akoma nuk është dorëzuar. Ekspertët zëshëm i bëjnë thirrje pushtetit që ta dorëzojë në Kuvend dokumentin kyç që paraqet një përmbledhje të të hyrave të realizuara dhe të shpenzimeve, në pako me deficitin buxhetor për vitin e kaluar.  

“Llogaria përfundimtare është dokument i rëndësishëm, i paraparë me Ligj. Ajo do të tregojë ku është bërë gabim gjatë vitit të kaluar, në kuptim të të hyrave dhe të dalave të projektuara gabimisht. Tani, ko që ndodh është rezultat i inatit të qeverisë që të mos bëjë edhe një rebalanc gjatë vitit 2012, nëpërmjet të të cilit do t’i “hekurosin” të hyrat, të dalat dhe deficitin”, sqaron Kire Naumov për “Portalb”-in. 

Sipas Ligjit për buxhetet, llogaria përfundimtare është dokument i obligueshëm. Ja se çka shkruan në ligj:

“Ministri për financa, më së voni deri më 31 maj, Qeverisë së Republikës së Maqedonisë ia dorëzon llogarinë përfundimtare të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë. Së bashku me llogarinë përfundimtare dorëzohet edhe raporti i revizorit të autorizuar shtetëror për revizionin e kryer në buxhetin kryesor, së bashku me komentet e Ministrisë për financa, si dhe llogaritë përfundimtare të komunave” dhe “Pas miratimit të llogarisë përfundimtare nga ana e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, ajo i dorëzohet për shqyrtim dhe miratim Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, më së voni deri më 30 qershor.”

Afatet kanë kaluar, Kuvendi duhet të reagojë dhe ta detyrojë Qeverinë që ta publikojë Llogarinë përfundimtare, thotë për “Portalb”-in njëri nga ministrat e mëparshëm për financa, Nikolla Popovski.

“Kur ndodh që Qeveria të refuzojë ta përgatisë dhe t’ia dorëzojë Kuvendit Llogarinë përfundimtare për buxhetin e vitit të kaluar në afatin e paraparë, ose, siç është rasti tani, krejtësisht refuzon t’ia dorëzojë Llogarinë përfundimtare Kuvendit, paraqitet fenomeni i moskorrektësisë dhe papërgjegjësisë së saj ndaj të cilës Kuvendi patjetër duhet të reagojë sipas ligjit dhe Kushtetutës dhe ta detyrojë ta bëjë atë menjëherë. Atë procedurë formale me kërkesën për sqarim nga qeveria duhet ta fillojnë menjëherë Kryetari i Kuvendit dhe organi kuvendor që është kompetent për çështje të buxhetit, në këtë rast Komisioni për financim dhe buxhet. Nënkuptohet, në qoftë se edhe Kuvendi sillet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet dhe në qoftë se dëshiron t’i kryejë kompetencat e tij kushtetuese”, thotë Popovski dhe shton:
“Si duket në këtë moment edhe vetë Kuvendi, sikurse edhe Qeveria nuk e dëshirojnë këtë. Sjellja e tillë nxit dyshime sa i përket mënyrës në të cilën pushteti ekzekutiv e ka realizuar buxhetin që e ka miratuar Kuvendi.”

Cilat janë motivet për shkeljen e ligjit? Naumovi thotë:
“Qeveria nuk ka frikë nga konstatimet e revizorit, i cili do të konstatonte zhvendosje në pozitat buxhetore, por nga publiku. Anashkalimi i vjetshëm i debatit për rebalancin e buxhetit e problematizoi Llogarinë përfundimtare. Tani, sipas meje, Qeveria përpiqet t’i shmanget publikut, gjegjësisht të mos dalin në shesh shumë shmangie në përqindjet buxhetore. Për shkak se llogaritjet tregojnë dështim te të hyrat për 11,4 miliardë denarë, konsideroj se deficiti buxhetor nuk është 3,5 për qind, siç planifikonte pushteti, por 3,8 për qind”.

Kush do të përgjigjet për shkeljen e ligjit?
Nëse një kompani private për çdo vit duhet ta dorëzojë Llogarinë përfundimtare për punën e saj financiare, pse atëherë këtë të mos e bëjë edhe Qeveria e cila i harxhon paratë e popullit, pyesin ekonomistët.

Llogaria përfundimtare për buxhetin është dokument i obligueshëm sipas ligjit, por nuk janë paraparë dënime në rast të mosrespektimit të ligjit. Opozita paralajmëroi se do të propozojë ndryshime në zgjidhjen aktuale ligjore.

“Sa i përket dispozitave ndëshkuese, me rregullativën aktuale ato nuk janë paraparë, siç është rasti, për shembull, në rast të mosdorëzimit të llogarisë përfundimtare për firmat ose për mosdorëzim të fletëparaqitjes tatimore për qytetarët. Ideja është të futet një obligim i shoqëruar jo vetëm me “Moral, por edhe me dënim real”, thotë profesori universitar Vanço Uzunov nga LSDM-ja.

Para do kohësh, kërkesës së LSDM-së për publikimin e Llogarisë përfundimtare për buxhetin, VMRO-DPMNE-ja iu përgjigj me komunikatë partiake:

“Të dhënat për financat shtetërore janë publike dhe në dispozicion për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe institucionet financiare ndërkombëtare ku jemi anëtarë. Thirrja e LSDM-së është përpjekje dëshpëruese për tërheqje të vëmendjes dhe shtrembërim të së vërtetës”, vlerësuan nga partia në pushtet.

Vitin e kaluar, Llogaria përfundimtare për Buxhetin e vitit 2011 u miratua në fillim të muajit shtator, pasi paraparakisht e kaloi filtrin kuvendor.

Në ndërkohë, një pjesë e ekonomistëve konsiderojnë se për shkak të zvogëlimit të të hyrave buxhetore në vjeshtë qeveria do të duhet ta rebalancojë arkën buxhetore. Nga Ministria për financa njoftuan se është përpiluar buxheti i ri, i cili do të jetë rreth 3 miliardë euro.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button