Maqedoni, matje kush është më patriot LSDM apo VMRO?

Kanë vazhduar përplasjet mes dy partive kryesore politike në Maqedoni, VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, lidhur me atë që quhet “aferë e përgjimeve”.

Kjo situatë ka filluar pas publikimit të disa bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë, siç pretendon opozita, ku ata merren vesh se si Kuvendi duhet të mbyllë përfundimisht rastet e Hagës, që kishin të bëjnë me konfliktin e vitit 2001, e që në shënjestër kishin drejtuesin e lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, si dhe drejtues të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në qeveri, transmeton REL.

LSDM-ja ka akuzuar kryeministrin maqedonas, Nikolla Gruevski, se gjatë gjithë këtyre viteve, “ka aktruar patriotizëm të lartë ndërsa në anën tjetër ka miratuar vendime për të amnistuar krimet e luftës“.

Por, akuzave të këtilla, VMRO-DPMNE-ja i është përgigjur me “miratimin e këtij ligji në vitin 2002 kur në pushtet ishte pikërisht Lidhja Social-Demokrate“.

Njohësit e çështjeve politike, thonë se partitë në vazhdimësi kanë luajtur me kartën e patriotizmit për të ruajtur pozitat e tyre, gjë që sipas tyre, dëshmohet edhe nga bisedat e publikuara.

Zdravko Savevski, analist, thotë se me ndjenjat patriotike në veçanti është shërbyer VMRO-ja dhe kryeministri, Nikolla Gruevski.

“Ai është politikan shumë pragmatik dhe në interes të ruajtjes së pushtetit din të bëjë edhe kompromise që mund të shkojnë në dëm të qëndrimeve të tija nacionaliste, por edhe në këtë rast ai din që këto lëshime t’i maskojë në atë mënyrë që në opinion të mbrojë qëndrimin se nuk lëshon pe kur janë në pyetje interesat kombëtare“, thotë Savevski

Ndryshe, opozita deri më tani ka mbajtur 18 konferenca për media ku janë prezantuar mbi 200 biseda telefonike të zyrtarëve të lartë shtetëror, që sipas saj “dëshmojnë punën kriminale të qeverisë, ndërhyrjen në pushtetin gjyqësor, në pavarësinë e mediave, në përftime të ndryshme financiare, në kurdisjen e tenderëve, e deri në falsifikimin e zgjedhjeve“.

Lideri i opozitës, Zoran Zaev, fillimisht kishte paralajmëruar se pas “bombës” së tretë, siç i quan ai bisedat e publikuara, qeveria do të detyrohej të jepte dorëheqjen, por edhe pas një muaji e gjysmë të nisjes së publikimit të aferës, qeveria vazhdon funksionimin normal ndërsa akuzat e opozitës i quan “tradhëti kombëtare e cila përmes shërbimeve të huaja sekrete tenton rrëzimin e pushtetit të zgjedhur në mënyrë demokratike“.

Njohësit e çështjeve juridike, theksojnë se kriza do të vazhdojë derisa të mos ketë përgjegjësi politike dhe juridike, apo derisa të mos dorëhiqen qeveria dhe kryeprokurori, në të kundërtën, sipas Osman Kadriut, ekspert juridik, situata mund të përshkallëzohet, meqë siç shprehet ai, pakënaqësia në opinion vazhdon të rritet.

“Sa më shumë që zvarritet procedura e përgjegjësisë politike dhe juridike, pasojat për Maqedoninë do të jenë tejet të rënda. Përsëri do të konstatohet si brenda ashtu edhe jashtë vendit se kriza në Maqedoni vazhdon të thellohet edhe më shumë”.

“Nëse nuk do të ketë përgjegjësi politike dhe juridike atëherë vështirë të dihen pasojat e kësaj krize, opinioni do të vazhdojë me reagimet dhe me siguri se kjo pakënaqësi do të shndërrohet në manifestime të ndryshme, në protesta, përfshirë edhe padëgjueshmërinë qytetare që do të jetë një masë shumë e rëndë për sigurinë dhe stabilitetin e shtetit“, thotë Osman Kadriu, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin Fon të Shkupit.

Ai dhe Zdravko Savevski, shpresojnë se raundi i ri i negociatave që pritet të vazhdojnë pas pashkëve ortodoske, mund të sjellë ndonjë risi edhe pse bazuar në qëndrimet e partive, zgjidhja duket e paarritshme.

Opozita kërkon qeveri kalimtare e cila do të kishte për detyrë organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, kërkesa këto që janë hedhur poshtë nga kryeministri, Nikolla Gruevski.

Lajme të ngjashme

Back to top button