Deklarata e Zaevit – reagojnë shqiptarët

Nuk kanë të ndalur reagimet për qëndrimin të Zoran Zaevit dhe LSDM-së kundër interpretimit autentik të Ligjit për amnisti të katër rasteve të Hagës, ku rëndoheshin krerët e lartë dhe ish-ushtarë të UÇK-së.

Dje, gjatë publikimit të bombës së 18-të, në pyetjen e gazetës KOHA se cili është qëndrimi i tij lidhur me marrëveshjen për amnistinë e katër rasteve të Hagës, Zoran Zaev tha se “qëndrimin tonë atëherë e kemi shprehur qartë dhe fuqishëm.

LEXO: Rastet e Hagës, plagë e pashërueshme që ende e dridh Maqedoninë

Grupi ynë parlamentar ka votuar kundër këtij interpretimi autentik të ligjit për rastet e Hagës”. Kjo deklaratë e tij ka ngjallur reagime te shqiptarët të cilët janë befasuar me këtë qëndrim të vjetër të liderit të ri të LSDM-së.

Pollozhani: Lojë mirë e planifikuar e Zaevit

Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së ish të Përndjekurve dhe të Burgosurve Politik Shqiptarë thotë se publikimet e fundit për rastet e Hagës të liderit të LSDM-së Zoran Zaev, i quan pjesë të një “loje politike të mirë planifikuar se sa të një lëvizje politike që do ta ndryshonte mentaliteti politik në Maqedoni”. Sipas Pollozhanit tendenca për ta nxitur opinion publik më rastet e Hages prek direkt një plage të vjetër, që është shëruar me shumë sakrifica. “Skenari i Zoran Zaevit është mirë përgatitur, kur marrim shembull edhe rastet kur publikon ofendimet ndaj shqiptareve, por edhe tani me rastet e Hagës, me të cilat tenton që nga pala maqedonase të bëj me dije se nga VMRO-DPMNE nuk janë aq patriot si paraqiten, por gjithçka e kanë bërë në interes partiak. Por të tentosh të luash më rastet e Hagës është sikur të tentosh të ngacmosh seriozisht një plagë të vjetër të shqiptarëve e cila me shumë mund dhe sakrifica është shëruar apo mbyllur tash e një kohë. S’e besoj se do të ketë sukses që ta gjuaj topin aq lehtë tek shqiptarët”, thotë aktivisti Shpëtim Pollozhani. Ai thotë se ky veprim i Zoran Zaevit është i “papastër moralisht” dhe nuk beson se do të ketë sukses për arritjen e qëllimeve politike.

Ismaili: Tendencë e LSDM-së për poenë politik

Analisti politik Imer Ismaili lëvizjen e fundit të Zaevit me rastet e Hagës e quan tendencë të LSDM-së për t’ia arritur qëllimin politik, ndërsa duke komentuar qasjen e Nikolla Gruevskit në bisedat rreth amnistisë thotë se ai ka qenë i detyruar të respektojë legjislacionin ndërkombëtarë. “Zoran Zaev i bën këto lëvizje për përfitime politike që natyrisht nuk janë qëllim mira në favor të përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike. Për qasjen e Nikolla Gruevskit mendoj se ai vetëm ka respektuar normativën ndërkombëtare duke qenë më shumë i detyruar ta bëj këtë, e jo nga vullneti politik i tij. Kryeministri Gruevski në pozicionin e tij në raport me partitë politike shqiptare nuk është puna se ka lëshuar pe për ta ruajtur pushtetin, por për të qenë bashkëpunues prej zori me ndërkombëtarët ka ndërmarrë një hap të tillë, se s’ka pasur mënyrë tjetër se si të veprojë”, vlerëson analisti Imer Ismaili.

Ramadani: Rastet e Hagës, çështje e mbyllur

Ismet Ramadani ndërkohë thotë se me qëndrimin kundër “amnistisë” Zoran Zaev dëshiron të arrijë një qëllim tjetër, që sa ma shumë ta demaskojë dhe komprometojë figurën e kryeministrit Nikolla Gruevski para elektoratit maqedonas, por në anën tjetër në elektoratin shqiptar ka një farë ndjeshmërie kur bëhet fjalë për rastet e Hagës. “Sipas meje kjo çështje është e mbyllur dhe nuk do të hapet, por vetëm se mund të fitojë opozita karshi Kryeministrit dhe partisë VMRO për nevoja të politikës ditore me qëllim të uljes së besimit dhe të krijon opinion negativ për udhëheqjen e kësaj qeverie. E gjithë kjo do të mbetet në suaza të një propaganda politike, sepse nëse nesër LSDM-ja vjen në pushtet nuk do të ketë asnjë fuqi që përsëri të hap çështje për rastet e Hagës pasi cilado parti shqiptare që do të jetë në koalicion në asnjë mënyrë nuk do të lejon hapjen e plagëve të mbyllura”, thotë analisti politik Ismet Ramadani.

Gashi: Ngritja e kësaj teme, hedhje kripë në plagë

Lëvizja BESA konsideron se, “ngritja e kësaj teme sot nga LSDM dhe vënia në pikëpyetje e këtij vendimi për ne paraqet hedhje kripë në plagë dhe ne mendojmë se kjo nuk i kontribuon aspak kultivimit të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni”. “Ngritja e kësaj teme sot dhe vënia në pikëpyetje e këtij vendimi për ne paraqet hedhje kripë në plagë dhe ne mendojmë se kjo nuk i kontribuon aspak kultivimit të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni. Për Lëvizjen BESA, janë krejt legjitime dhe të arsyetueshme veprimet e krerëve të UÇK-së në vitin 2001 gjatë luftës, por veprimet që i kanë bërë këta njerëz pas përmbylljes së konfliktit, janë të paamnistueshme dhe për ato vërtet duhet të japin llogari”, thotë Afrim Gashi, zëdhënës i Lëvizjes BESA.

Xhemaili: Nuk na habit qëndrimi i LSDM-së

Ish-deputeti i BDI-së dhe aktualisht kryetar Këshillit Komunal të Tetovës, Hisen Xhemaili, njëri nga të dyshuarit e prokurorisë maqedonase për rastin “Punëtorët e Mavrovës”, thotë se qëndrimi i LSDM-së kundër amnistisë së rasteve të Hagës nuk është për t’u çuditur, pasi kjo parti ishte kundër edhe kur u miratua nga Parlamenti interpretimit autentik i Ligjit të amnistisë. Sipas tij, bëhet fjalë për një kontinuitet që si qëndrim nuk është i drejtë, sepse me interpretimin autentik të rasteve të Hagës u përmbyllën plagët e 2001-shit. “Bëhet fjalë për një qëndrim në kontinutitet që kjo parti pati edhe gjatë miratimit të interpretimit autentik të Ligjit për amnisti. Ky qëndrim nuk është për t’u habitur dhe kjo parti edhe atëherë doli kundër. Ky qëndrim i LSDM-së nuk është i drejtë, sepse me këtë vendim të Parlamentit, u vendos që të mbyllen plagët e luftës së 2001-shit”, thotë Xhemaili.

Misini: S’e di ku është interesi i LSDM-së që t’i hap këto plagë

Deklarata e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, se është kundër amnistisë të rasteve të Hagës është kthim prapa, thotë ish-deputeti i BDI-së, Hajrulla Misini, i njohur me nofkën e luftës si komandant “Shpati”. Ai nga Prokuroria e Maqedonisë në rastet e Hagës dyshohej për rastin “Ventilet”. “Kjo është kthim prapa. Nuk e di ku është interesi i Maqedonisë dhe i LSDM-së që t’i hap këto plagë. Unë edhe atëherë, nëse ju kujtohet deklarata ime, kam deklaruar se jam i gatshëm të ballafaqohem me organet e drejtësisë për ta hequr këtë njollë të zezë që po i vishet luftës së UÇK-së”, thotë deputeti Hajrulla Misini.

Leka: Zaev me këto deklarata pezmaton situatën

Ish deputeti i PDSH-së, Daut Rexhepi, i njohur me nofkën e luftës si komandant “Leka” gjithashtu ishte një nga të dyshuarit e Prokurorisë së Maqedonisë për rastin e “Neproshtenit”. Ai thotë se përsëritja e qëndrimit të LSDM-së dhe kryetarit të saj Zoran Zaev kundër amnistisë së rasteve të Hagës është vazhdimësi e politikës së vjetër që e kishte edhe pararendësi i tij, Branko Cërvenkovski ndaj shqiptarëve. “Deklaratat e këtilla konfirmojnë se Zaev ndjek politikat e pararendësit të tij. Me hapjen e këtyre plagëve dhe pezmatim të situatës kthehemi para 2001-shit. Këto deklarata të Zaevit çojnë në atë kohë dhe na kthejnë atje”, thotë ish-deputeti i PDSH-së Daut Rexhepi-Leka. (Gazeta Koha)

Lajme të ngjashme

Back to top button