fbpx

Kampi i refugjatëve në Damask, ‘situata më dëshpëruese se kurrë’

Situata në kampin palestinez të Yarmouk-ut në Damask është tejet shqetësuese. Një zyrtar i OKB-së tha se “18.000 mijë refugjatë jetojnë atje në kushte çnjerëzore”.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara kërkoi leje për t’i ardhur në ndihmë mijëra personave që gjenden në këtë kamp. Situata u përkeqësua që pas 1 prillit, kur militantët e ISIS nisën një ofensivë. Nga ana tjetër, grupet paelstineze brenda kampit janë duke udhëhequr luftën ndaj Shtetit Islamik.

Kryesuesi i Këshillit të Sigurimit, ambasador i Jordanisë Dina Kawar, bëri thirrje për “mbrojtjen e civilëve, akses humanitar dhe ndihmë për të shpëtuar jetët e njerëzve në nevojë”.

Një përfaqësues i një agjencie palestineze të ndihmave, Pierre Krahenbuhl, tha se situata në kampion e Yarmouk-ut në Damask “është më dëshpëruese se kurrë më parë”.

Ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour, i bëri thirrje vendeve anëtare për të zhvendosur refugjatët diku tjetër në Siri, apo jashtë vendit.

Kampi është ngritur fillimisht në vitin 1948, gjatë luftës së vendeve arabe me Izraelin për të pritur dhe strehuar përkohësisht refugjatët palestinezë. Që prej asaj kohe është shndërruar në shtëpinë e qindra-mijëra palestinezëve të zhvendosur, si pasojë e konfliktit të stërzgjatur me Izraelin.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në kamp aktualisht jetojnë rreth 18 mijë palestinezë, të cilëve u privohen ushqimet, medikamentet dhe uji i pijshëm.

Para nisjes së luftës civile në Siri në kamp numëroheshin 150 mijë refugjatë palestinezë, por konflikti i stërzgjatur mes forcave të opozitës dhe ushtrisë së Assad e kanë shndërruar herë pas here kampin në një ‘mejdan’. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button