Rastet e Hagës, plagë e pashërueshme që ende e dridh Maqedoninë

Amnistimi politik i rasteve të Hagës vlerësohet nga shumë faktorë të jetë kyç për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend në atë kohë. Pas publikimit të “bombës 18” ku përmenden ato në kontekstin e demaskimit të kryeministrit Nikolla Gruevski, ekspertët thonë se Zaev po prek një çështje senzitive e cila ka më shumë efekt propagandistik sepse bëhet fjalë për një proces të mbyllur me konsenzus politik.

Kështu vlerëson analisti Ismet Ramadani, sipas të cilit, proceset kanë mbaruar dhe ato nuk është mirë që kjo “plagë” sërish të hapet. Sipas tij lideri i opozitës Zoran Zaev po mundohet që me materialin e publikuar të demaskojë nacionalizimin dhe patriotizmin e kryeministrit Nikolla Gruevski, por siç e shohim ‘bombat’ kanë edhe efekte anësore.

“Mendoj se më shumë ka efekt propagandistik sesa të besoj dhe premtoj se mund të hapen këto procedura. Kjo është çështje e mbaruar. Mirëpo lideri i opozitës maqedonase ka gjetur material dhe atë e publikon me qëllim që ta demaskojë patriotizmin, nacionalizmin e kryeministrit Gruevski para elektoratit të tij. Në këto kushte si është tani Maqedonia nuk është mirë të hapen këto procese. Shqiptarët nuk e kanë pritur mirë këtë gjë, mirëpo ata që janë në rrjedha politike i dinë efektet dhe e pranojmë këtë si më të relaksuar. Këto raste prekin raportet ndëretnike mjaftë, por prapë mendoj se e gjithë kjo bëhet për të diskredituar dhe të bëhet shpalosja e të vërtetës rreth kryeministrit. U pa që caku i ‘bombave’ të opozitës janë disa funksionarë të lartë shtetëror, mirëpo ato kanë edhe efekte anësore, dhe për këtë çështje konkrete nuk duhet të brengosemi sepse edhe po të vjen ndonjë qeveri tjetër, nuk do të hapë çështjet e Hagës”, tha për Portalb, Ramadani.

Juristi Osman Kadriu thekson se sa përmendet hapja e procesve të cilat mund të tensionojnë marrëdhëniet ndëretnike në vend, më mirë do ishte që të punohet për përmirësimin e tyre, pasi që edhe tani ndodhemi në një situatë mjaft të brishtë sa i përket marrëdhënieve ndëretnike.

“Çështja e rasteve të Hagës ka përfunduar me ligjin për amnisti i cili i soll në 2002 menjëherë pas konfliktit të 2001 në Maqedoni. Këto rase u analizuan nga gjykatat e vendit dhe kishte dy opsione, e para të sanksionohen dhe e dyta të amnistohen. Unë isha pjesë e juristëve që analizuam këto dhe unë isha për amnisti por meqë kishte mendime të ndryshme, parlamenti organizoi një seancë të veçantë dhe solli interpretimin autentik të ligjit diskutabil dhe u konstatua se rastet do të amnistohen dhe ato u mbyllën. Me këtë u arrit një shkallë e duhur drejt përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike, mirëpo tani sërish ballafaqohemi me probleme tjera ndëretnike, siç është urrejtja, nxitja dhe ndodhemi në një situatë të vështirë, marrëdhëniet ndëretnike qëndrojnë në këmbi mbi qelq andaj mendoj se duhet të rregullohen këto çështje dhe jo të përkeqësohen me hapjen e rasteve, të cilat theksova se janë të mbyllura qysh në 2002-ën”, tha për Portalb, Kadriu.

Nga ana tjetër profesoresha Mrijana Maleska thekson se rastet e Hagës janë mbyllur me shpejtësi me qëllim që qeveria të qeverisë në ‘rehati’.

“Situata ndëretnike në Maqedoni nuk është në krizë. Në krizë është shteti demokratik dhe juridik, i cili na tangon të gjithëve. Kjo sërish nuk do të thotë që një qeveri e korruptuar mund të vazhdojë qeverisjen e saj dhe të krijojë rrethana në të cilat mund të ketë shkëndijë ndëretnike e cila shuam shpejtë mund të krijohet në flakë. Nga bisedat e fundit të publikuara kuptuam se rastet e Hagës janë mbyllur me shpejtësi me qëllim që qeveria të qeverisë në ‘rehati’. Krimet e luftës kundër civilëve sipas të drejtës ndërkombëtare nuk vjetërsohen. Gjatë interpretimit autentik të ligjit për amnisti ka përparësi politika mbi logjikën e drejtësisë. Nuk do të thotë se në të ardhmen, në rrethana tjera, me garniturë tjetër politike, nuk do të hapet sërish pyetja për krimet kundër civilëve, dhe eventualisht të vendoset ‘interpretim autentik’ të ligjit momental, ose të përpunohet një ligj i ri.”, tha për Portalb, Maleska.

Ajo shtoi se krimi është individualizuar.

“Gjegjësisht faji për këtë lloj të krimit kundër civilëve maqedonas dhe shqiptarë si dhe të tjetër është individualizuar. Nuk janë fajtor popujt për atë se disa persona kanë bërë krim gjatë 2001-it. Sipas mendimit tim përmirësimi i gjendjes ndëretnike do të ishte më i shëndoshë nëse do të publikoheshte e vërteta për personat e  zhdukur  dhe gjetjen e fajtorëve”, shtoi Maleska.

LSDM: Jemi kundër interpretimit autentik

Edhe pas kësaj kohe LSDM ende mbetet kundër interpretimit autentik të ligjit. Në konferencën e djeshme, lideri i kësaj partie Zaev tha që kjo parti mbetet në qëndrimin që e kishin në 2011-të.
“Ne atëherë votuam kundër dhe mbetemi në qëndrimin e njejtë.” tha ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button