BESA: Ministër, na shpëto nga helmi ose ik!

Në Ditën Ndërkombëtare të Shëndetësisë, 7 prilli kur në mbarë botën flitet për rëndësinë e shëndetit dhe kultivimin e vlerave shëndetësore, Lëvizja BESA  rri aktualizon problemin e madh të banorëve të Pollogut për ajrin e ndotur.

“Tashmë kur janë thyer të gjitha normat e lejuara të ndotjes së ajrit, kur nuk mund të flasim më për ndotje, por vetëm për helmim masiv të qytetarëve, por edhe kur janë konsumuar thuaja të gjitha mjetet që ky pushtet të detyrohet të ndërmarrë diçka për t’i shpëtuar banorët e Pollogut nga ky helmim, në këtë ditë të rëndësishme të shëndetit, dëshirojmë t’ia kujtojmë këtij pushteti dhe këtij ministri të Ndotjes së Mjedisit se indiferenca e tyre është duke u bërë shkak për shkatërrimin edhe të të ardhmes së Pollogut. Në të vërtetë, helmi të cilin e thithin të gjithë banorët e kësaj zone, përfshirë edhe familjen e ministrit dhe kreun e BDI-së, nga ekspertiza profesionale rezulton se është jashtëzakonisht i dëmshëm për shëndetin e vajzave të reja dhe djemve të rinj, që nesër duhet të bëhen prindër. Këto grimca helmuese është dëshmuar shkencërisht se janë shkaktare të drejtpërdrejta të sterilitetit”, thotw BESA.

BESA i bën thirrje ministrit Nurhan Izairi, që ta shfrytëzojë këtë ditë dhe ta bëjë hapin më njerëzor në jetën e tij: të marrë vendim për zgjidhjen e problemit të Jugohromit ose të japë dorëheqje të parevokueshme.

“Kështu banorët e Pollogut, megjithatë, do të mund t’ia falnin dështimin e deritanishëm dhe do të kishin mirëkuptim. Në të kundërtën, ne konsiderojmë se ai po bëhet pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i stimulimit të sterilitetit, kancerit, sëmundjeve të mushkërive, mutacioneve gjenetike, aborteve spontane dhe, rrjedhimisht, po e shkruan me shkronja të zeza emrin e tij në historinë e kësaj ane”.

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button