Qytetarët në hall me përmbaruesit, si të veprohet në këtë rast

Përmbarimi definohet si procedurë ligjore që inicohet me kërkesë të kreditorit me ç`rast në mënyrë të detyrueshme realizohen kërkesa të caktuara (monetare ose jomonetare) të definuara me dokumentin përmbarues. Gjatë përmbarimit zbatohen masa të caktuara të detyrimit ndaj debitorit (borxhliut) i cili në mënyrë vullnetare nuk e ka plotësuar obligimin e tij ndaj kreditorit në afatin e paraparë me dokumentin përmbarues.

Pra, përmbarimi ka natyrë specifike pasi nga njëra anë kreditorëve u realizohen të drejtat e tyre ndërsa nga ana tjetër kjo për debitorin (borxhliun) paraqet çështje ekzistenciale në të cilën nuk duhet të ketë gabime.
Me Ligjin për përmbarim (“Gazeta Zyrtare e RM-së” nr. 35/2005) që është plotësuar dhe ndryshuar disa here, u transferua kompetenca e përmbarimit nga gjyqet në përmbaruesit privat me çka Maqedonia përqafoi një koncept modern të përmbarimit sipas të cilit përmbaruesi është person me autorizime publike që për veprimet zyrtare të ndërmarra ka të drejtë të inkasojë shpërblim në përputhje me tarifën. Kjo nga ana tjetër presupozon motivimin e përmbaruesit për një përmbarim të shpejtë, efikas dhe të ligjshëm.

Mirëpo, edhe pse përmbarimi zbatohet në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë, zbatimi i tij shkakton reagime të shumta në raport me mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të palëve, e posaçërisht të debitorëve (borxhlinjve). Gjegjësisht, problemet e qytetarëve debitorë (borxhlinj) në raport me përmbarimin dhe përmbaruesit më së shpeshti kanë të bëjnë me:

-Dorëzimin joadekuat të urdhëresave për përmbarim dhe akteve tjera përmbaruese. Sa i përket këtij problemi, ai buron nga mënyra se si bëhet dorëzimi i urdhëresave për përmbarim dhe akteve tjera përmbaruese. Gjegjësisht, te qytetarët mbisundon bindja se dorëzimi i akteve përmbaruese mund të bëhet ekskluzivisht me postë dhe atë personalisht në dorë, bindje kjo e gabuar pasi në raste të parapara me ligj, dorëzimi mund të bëhet edhe me shpallje publike.

-Bllokimin e tërësishëm të xhirollogarive të debitorëve (borxhlinjve) nga ana e bankave (në bazë të urdhëresave për përmbarim). Ky problem shkakton ankesa nga ana e debitorëve (borxhlinjve) në drejtim të asaj se për fillimin e procedurës përmbaruese ato kuptojnë vetëm pas bllokimit të tërësishëm të xhirollogarive të tyre nga ana e bankave me çka zbatohet përmbarimi komplet i të ardhurave të tyre në bazë të rrogës ose pensionit duke mos u respektuar neni 105 i Ligjit për përmbarim i cili nuk lejon përmbarimin mbi një të tretën e këtyre të ardhurave.

–  Zbatimin e përmbarimit në të ardhurat që janë të përjashtuara nga përmbarimi siç janë të ardhurat në bazë të asistencës ligjore, ndihmës sociale, papunësisë së përkohshme, shtesave fëmijërore dhe përjashtimeve tjera të sanksionuara me nenin 104 të Ligjit për përmbarim. Kjo paraqet shkelje flagrante të të drejtave të qytetarëve debitorë (borxhlinj) në procedurën e përmbarimit, posaçërisht nga fakti se këto janë kategoria më e rrezikuar sociale e popullsisë të cilët shpesh janë të paudhëzuar me mjetet juridike që i kanë në disponim për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

– Zgjedhjen e mjeteve të përmbarimit nga ana e përmbaruesit. Në përputhje me Ligjin për përmbarim, përmbaruesi ka të drejtë që të bëjë zgjedhjen e lartpërmendur, por gjithmonë duke pasur parasysh se duhet të veprojë me respekt të duhur ndaj personalitetit të debitorit dhe anëtarëve të familjes së tij si dhe për atë se përmbarimi duhet të zbatohet me mjete që do të jenë më të volitshme për debitorin.

Lidhur me problemet e lartpërmendura, debitori (borxhliu) duhet së pari të kontaktojë me përmbaruesin dhe ti bëjë me dije për lëshimet eventuale, njëkohësisht duke ia dorëzuar dokumentet e nevojshme me të cilat do ti dëshmojë pohimet e tij si dhe të kërkojë nga përmbaruesi që të veprojë në përputhje me dispozitat ligjore.
Në të kundërtën, Ligji për përmbarim parasheh që pala ose pjesëmarrësi i cili konsideron se gjatë përmbarimit janë bërë parregullsi, mund të paraqesë parashtresë për mënjanimin e tyre deri te kryetari i gjykatës themelore në rajonin e të cilit zbatohet përmbarimi. Parashtresa mund të paraqitet në afat prej 3 ditësh pas ditës së njohjes me parregullsitë, por jo më vonë se 15 ditë pas përfundimit të përmbarimit.

Gjithashtu, qytetarët duhet ta dinë se puna e përmbaruesve përveç nga gjyqet, mbikëqyret edhe nga Ministria e Drejtësisë, Dhoma (Oda) e Përmbaruesve dhe nga institucionet tjera të pavarura siç është Avokati i Popullit, ku ata gjithashtu mund të drejtohen me parashtresa.

Duke marr parasysh se problemet e lartpërmendura përsëriten dhe shpesh ngelin të pazgjidhura për shkak të mos informimit të qytetarëve për të drejtat e tyre, si dhe duke marr parasysh se bllokimi i xhirollogarive është mjet përmbarimi më diskret se regjistrimi dhe shitja e pasurisë së debitorit (borxhliut), propozoj që bankat të shqyrtojnë mundësinë për klasifikimin e të ardhurave të klientëve të tyre fizik, në bazë të shifrave përkatëse, kështu që të evitohet shkelja e nenit 104 dhe 105 të Ligjit për përmbarim.

Gjithashtu, në fund të këtij shkrimi propozoj që ligjvënësi të shqyrtojnë mundësinë e ndryshimeve ligjore me të cilat të parashihet që personat fizik të kenë xhirollogari të veçanta që do të përdoren vetëm për pranimin e rrogave dhe ndihmave të ngjashme sociale.

Lajme të ngjashme

Back to top button