Gruevski me lopatë promovoi burgun e ri, me kapacitet prej 1600 persona

Me vendosjen e gurthemelit, sot në Shkup filloi ndërtimi i objektit të ri të burgut të Idrizovës, institucioni më i madh dhe i ri i dënimit në Maqedoni. Ndërtimi do të zhvillohet në tri faza dhe do të përfshijë ndërtimin e sektorit pranues, burgut gjysmë të hapur, rikonstruksionin e sektorit të hapur, derës kryesore, qendrës për vizita, klasë të re shëndetësore, sallës sportive, punëtori, magazina, mur të ri sigurimi, rrethore, stacion të ri trajnimi dhe klasa të reja në burgun e femrave. 

Kryeministri Nikolla Gruevski, i cili ishte i pranishëm në fillimin e ndërtimeve theksoi se bëhet fjalë për projekt kapital duke u bazuar në eksperiencën më të mirë në këtë sferë nga vendet e Bashkimit Evropian.

“Bëhet fjalë për investim të madh, që do ta përmirësojë qëndrimin dhe trajtimin e personave të burgosur. Ata janë të dënuar me burg për një krim të kryer, por duhet të respektohet dinjiteti dhe të drejtat e tyre njerëzore. Republika e Maqedonisë, me këtë hap do tu ndihmojë personave të cilët gjenden në burg me një qëndrim dhe trajtim më human, por të njëjtën kohë do t’i plotësojë edhe disa kritere të caktuara nga standardet evropiane sepse ky projekt është punuar sipas standardeve të BE-së”, ka thënë Gruevski.

Investimi është me vlerë prej 52 milion eurove, i siguruar nga Banka për zhvillim në Këshillin e Evropës dhe nga Buxheti i shtetit, ndërsa do të mundësojnë standarde evropiane lidhur me kushtet e të dënuarve dhe do ta zmadhojë kapacitetin prej 900, në 1600 persona.

Lajme të ngjashme

Back to top button