Lëvizja BESA në Kërçovë: Vendi të ridefinohet si shtet i përbashkët

Lëvizja BESA sonte ka qëndruar në Kërçovë, ku e shpalosi platformën e saj “RIDEFINIMI”. Me këtë rast para të pranishmëve këtë platformë të Lëvizjes në detaje e sqaruan disa nga anëtarët të Këshillit Koordinues të kësaj Lëvizjes BESA.

I pari të pranishmëve iu drejtua Zeqirija Ibrahimi, i cili foli për vetë nocionin e ridefinimit në aspektin gjuhësorë, duke shpjeguar se pse është kaq shumë i rëndësishëm definicioni si koncept, e në këtë rast edhe definimi i shtetit të Maqedonisë. Ai bëri shpjegime, përmes shembujve, se fakti që Maqedonia ka krijuar definicione të gabuara për shtetin, ka prodhuar diskriminim për të gjithë qytetarët jomaqedonas, veçmas për shqiptarët. “Për këtë arsye, BESA kërkon që Maqedonia të ridefinohet si shtet i përbashkët i shqiptarëve dhe maqedonasve dhe, konform këtij përkufizimi, të bëhet edhe ndërtimi i shtetit”, tha Ibrahimi.

Pas tij foli juristi Blerim Sejdiu, i cili bëri elaborime më të thukëta për përmbajtjen e platformës dhe ofertën e Lëvizjes BESA në aspektin juridik si dhe definimin e statusit juridik dhe kushtetutës. Ai më shumë u koncentrua në atë se si gjatë gjithë historisë së këtij shteti shqiptaret çdo herë ishin komb dhe asnjëherë nuk u bënë popull, siç janë maqedonasit. Ndër të tjerat ai tha: “Shqiptarët ishin pjesëmarrës në kryengritjen e Ilindenit, pjesëmarrës në organet shtetërore të Republikës së Krushevës, si dhe pjesëmarrës të përbashkët me maqedonasit në luftën kundër fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe pas gjithë kësaj shqiptarët ngelën të anashkaluar dhe asnjëherë nuk u quajtën shqiptar por çdo herë ngelen si pakicë e asnjëherë nuk u thirren si shqiptarë”. Në fund Sejdiu theksoi: “Po që se e analizojmë takimin e dy subjekteve më të mëdha maqedonase në Bruksel para një jave (VMRO dhe LSDM) të cilët shkuan atje pa asnjë përfaqësues nga pala shqiptare), vetvetiu mund të konstatojmë edhe njëherë se kur janë në pyetje çështjet shtetërore, shqiptarët janë të përjashtuar. Kështu pra, është dizajnuar ky shtet,” përfundoi ai.

“Është e patjetërsueshme të formohet një qeveri ekspertësh të cilët do të jenë të pavarur ku do të duhet të bëjnë regjistrimin e popullsisë dhe organizimin e zgjedhjeve. Është e patjetërsueshme të formohet një prokurori dhe gjykatë specialistësh të pavarur të cilët do të jenë të drejtë dhe transparentë. Për të dalë nga kjo krizë njëherë e përgjithmonë ky shtet duhet të Ridefinohet, ku duhet të behët: Ridefinimi i shtetit me marrëveshje mes shqiptarëve dhe maqedonasve; Ridefinim i emrit të shtetit në pajtueshmëri me shqiptarët; Ridefinimi i simboleve shtetërore ku do të theksohen edhe simbolet tona kombëtarë shqiptarë; Ridefinimi i buxhetit të barabartë”, tha Afrim Gashi.

Objektivat kryesore ekonomike të Lëvizjes BESA janë: krijimi i sistemit në të cilin shumica e njerëzve do të kenë qasje te resurset maksimale; vendosja e individit në qendër të vëmendjes dhe interesit, në kuptimin e shanseve të barabarta në të gjitha aspektet; maksimizimi i shportës së të mirave që një konsumator individual mund t’i konsumojë (standardi jetësor); minimizimi i pabarazisë në shpërndarjen e të ardhurave, pa e dhunuar sistemin dhe dekurajimin e ndërmarrësisë dhe kufizimi i  marzhave maksimale në shportën e konsumit bazik, që kështu ta rritë aftësinë blerëse të konsumatorëve, posaçërisht të mallrave bazike.

Në fund të pranishmëve iu drejtua edhe Kryetari i Lëvizjes BESA, i cili përveç shpjegimeve të përgjithshme, në cilësi të ekonomistit, bëri elaborime për ofertën ekonomike të Lëvizjes BESA. Kasami shpjegoi se Lëvizja BESA ka program afatgjatë ekonomik për të dalë nga kjo krizë ekonomike. Më këtë program ne ofrojmë rrugëdalje nga dalja e kësaj krize ekonomike ku aty janë të parapara zgjidhje afatgjate të këtyre problematika.

Lajme të ngjashme

Back to top button