Shqipëria marrëveshje për doganat edhe me Serbinë

Jo vetëm me Kosovën por tashmë edhe me Serbinë, Shqipëria ka vendosur të bashkëpunojnë në sektorin doganor për të parandaluar, hetuar dhe dënuar shkeljet administrative. Mes dy shteteve është nënshkruar tashmë një marrëveshje që parashikon ngritjen e një skuadre të përbashkët pune, në përbërje të të cilit do të jenë drejtuesit e autoriteteve doganore të të dy palëve.

Marrëveshja tashmë ka hyrë në fuqi dhe është botuar në fletoren zyrtare të vendimeve të qeverisë shqiptare. Konkretisht nëpërmjet autoriteteve të tyre doganore të dy vendet do t’u mundësojnë njëra – tjetrës ndihmë të ndërsjellë, me qëllim që të sigurojnë se legjislacioni doganor është zbatuar në mënyrë korrekte dhe të parandalojnë, të hetojnë dhe të luftojnë shkeljet e legjislacionit doganor.

Kostot për këtë sipërmarrje të të dy vendeve do të mbulohen bashkarisht. Në fakt marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë qenë gjithmonë të mira, pavarësisht problemeve politike që lidhen edhe me qëndrimin e kundërt që dy shtetet ndajnë për njohjen e Kosovës. Shkëmbimet mes dy vendeve janë më shumë të fokusuaranë sektorët e ushqimeve, prodhimeve bujqësore e pijeve. Produktet që zënë peshën më të madhe në shkëmbimet tregtare me Serbinë janë gruri e mielli.

Sipas qeverive të të dy vendeve e gjithë ndihma në kuadrin e Marrëveshjes në fjalë nga secila Palë Kontraktuese do të jepet në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe brenda kompetencave dhe mundësive të autoritetit të vet doganor. “Kjo marrëveshje synon vetëm ndihmën e ndërsjellë administrative ndërmjet palëve kontraktuese; dispozitat e kësaj marrëveshjeje nuk i japin të drejtë asnjë personi privat që të marrë, pengojë ose përjashtojë asnjë provë ose të pengojë ekzekutimin e ndonjë kërkese,” thuhet në marrëveshje.

Po ashtum në marrëveshje saktësohet se autoritetet doganore do t’u japin njëra-tjetrës sipas kërkesës ose me iniciativën e vet, informacion, përfshirë edhe atë të klasifikuar, mbi transaksionet e kryera ose të planifikuara, të cilat përbëjnë një shkelje doganore. Në rastet, të cilat mund të përfshijnë dëmtime thelbësore të sigurisë publike, shëndetit publik, ekonomisë ose çdo interesi tjetër jetësor të një Pale Kontraktuese, autoriteti doganor i Palës tjetër Kontraktuese do të japë informacion me iniciativën e vet sa herë që kjo të jetë e mundur.

“Do të ndihmojnë njëra-tjetrën në lidhje me ekzekutimin e masave të përkohshme dhe procedimeve duke përfshirë bllokimin, vendosjen nën mbikëqyrje ose sekuestrimin e pasurisë; do të trajtojnë pasurinë, të ardhurat ose mjetet e sekuestruara, si rezultat i ndihmës së mundësuar sipas kësaj marrëveshjeje,” thuhet më tej në dokumentin e nënshkruar mes palëve.

Vlefshmëria e kësaj marrëveshje është për një periudhë të pakufizuar kohe, por çdo palë kontraktuese mund të zgjidhe atë nëpërmjet një njoftimi me shkrim. /Telegrafi/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button