Lëvizja “Besa” reagon ndaj tekstit të botuar në gazetën “Veçer”

Lëvizja “Besa” ka reaguar ndaj tekstit me titull “Pasi që e refuzuan qytetarët, Zoran Zaevi nxit xhihad fetar në rrugë”, të publikuar në të përditshmen “Veçer” më 05.04.2015

Pas tekstit të publikuar edhe në ballinën e gazetës “Veçer”, në të cilin Lëvizja BESA përmendet gjoja në një bashkëpunim të mundshëm për organizimin e incidenteve me partinë opozitare maqedonase LSDM, me Lëvizjen VETËVENDOSJE! nga Kosova, si dhe me disa struktura radikale religjioze të Maqedonisë, Lëvizja BESA e informon opinionin bëhet fjalë për spekulim të pastër dhe për një shpifje dashakeqe në stilin e urdhrave që ua jep Naçallniku buletineve partiake (gjegjësisht mediave qeveritare) për nxirjen e të gjithë atyre që ai i konsideron armiq.

“Është indikative se buletini partiak i VMRO-DPMNE-së shkon deri aty sa, përmes këtyre grushteve nën bel, dëshiron të krijojë atmosferë të panikut se diçka e keqe po i përgatitet shtetit, që kështu të shkaktojë tensione ndëretnike, të cilat do të ishin shpëtimi i vetëm për ata. Fakti që buletini i këtillë partiak, gazeta “Veçer”, i mbron degët e VMRO-DPMNE-së, pra VMRO-DUI dhe VMRO-DPA, është tregues i mjaftueshëm që vetvetiu flet në çfarë kuzhine janë gatuar këto prodhime dhe cili është qëllimi i tyre. Në atë tekst, mes rreshtash, mund të lexohet se ata tashmë janë marrë vesh për ndonjë skenar të zi, ndërsa tash vetëm i krijojnë fajtorët. Njësoj si në rastet “Brodec”, “Sopot”, “Monstra” etj., në të cilat shqiptarët e DUI-t dhe DPA-së shërbenin vetëm si përkrahës, ndërsa disa shqiptarë të tjerë e paguanin llogarinë e tyre me jetë, me burgim disavjeçare, madje edhe me burg të përjetshëm. Por, kësaj radhe janë mashtruar keq”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

Lëvizja BESA distancohet nga akuzat e tilla, deklaron haptazi se nuk ka kurrfarë lidhje me ato ngjarje dhe plane, madje as me LSDM-në – e cila po ashtu në mënyrën e saj e mbron BDI-në. E vetmja gjë e saktë janë marrëdhëniet tona miqësore, personale dhe të mira me Lëvizjen VETËVENDOSJE! nga Kosova.

Me këtë rast Lëvizja BESA konsideron se lidhjet gjoja tendencioze qe bëhen me shtete mike ndaj Republikës së Maqedonisë, por edhe ndaj shqiptarëve, janë shumë të liga dhe me tendencë. Lëvizja BESA është e përkushtuar për bashkëpunim të mirë me ato vende, ngase mendon se ato, para së gjithash, janë shtet mike të popullit shqiptar.

Lëvizja BESA konstaton se akuzat e këtilla në një shtet normal do të përfundonin me padi për shpifje, por kur tashmë dihet se kush i merr vendimet gjyqësore në Maqedoni dhe se drejtësia në shtetin tonë është një nocion i harruar, Lëvizja BESA shpreson në përfundimin sa më të shpejtë të krizës politike, që pastaj të kërkojë që akuzat e tilla të dëshmohen në një gjykatë tjetër të drejtë.

Krejt në fund Lëvizja BESA u apelon shqiptarëve, por edhe gjithë qytetarëve të tjerë në Maqedoni, që mos të bëhen pre e këtyre kurtheve dhe planeve, të mos harrojnë se ne edhe më tej do të duhet të jetojmë bashkërisht dhe ta kultivojmë bashkëjetesën dhe mos të lejojmë që dikush edhe një herë mbi gjakun e qytetarëve tanë të ndërtojë pushtet dhe të sundojë me ne në këtë mënyrë. Ne bëjmë thirrje për gjakftohtësi, paqe dhe stabilitet, ndërsa qëndrimi jonë mbetet se për secilin akt kriminel, të kryer nga ndonjë person, përgjegjësia duhet të jetë vetëm individuale dhe në asnjë rast kolektive.

Lajme të ngjashme

Back to top button