Ademi: Mbyllje e kapaciteteve pa standarde ekologjike

Qeveria mbetet në qëndrimin se nuk do të prolongohet afati për marrjen e lejes së integruar ekologjike deri në prill të vitit 2014, theksoi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Abdilaqim Ademi.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri, Ademi theksoi se kompanitë kanë mjaft kohë të përgatitem që t’i implementojnë të gjitha standardet ekologjike, ndërsa për mosrespektimin e detyrimit do të sanksionohen.

“Dënimi më i madh dhe i vetëm për mosrespektimin e Ligjit do të jetë mbyllja e instalimit. Ligji është miratuar në vitin 2005 dhe që atëherë të gjitha instalimet në Maqedoni e kanë ditur se duhet të aplikojnë me plane konkrete operative që të sigurojnë A leje të integruar dhe deri në prill të vitit 2014 të gjitha planet operative t’i implementojnë”, tha Ademi.

Deri më tani, shtoi ai në Ministri kanë aplikuar 135 kompani për A dhe B leje të integruara. Janë lëshuar 50 A leje të integruara dhe po kaq janë në procedurë, të cilat do t’i marrin së shpejti.

Përfaqësues të Qeverisë dhe nga kompanitë javën e kaluar mbajtën takim, ku u është potencuar se afati nuk do të vazhdohet.

Lajme të ngjashme

Back to top button