АNALIZË: Ata luftojnë për të mbijetuar, qeveria i ndërron vitrinat?

Përderisa qeveria e përgatit planin për unifikimin e pamjes së dyqaneve në Çarshinë e vjetër të Shkupit, ku kryesisht janë të vendosur zejtarët, në terren, sipas shoqatave të esnafëve, zejtarët luftojnë për të mbijetuar. Këtë vit kanë ndryshuar kushtet për aplikim për ndihmë shtetërore për zanatet, këtu janë edhe obligimet për përgatitjen e elaborateve, fiskalizimi dhe një sërë taksash të tjera, të cilat sipas esnafëve e vështirësojnë gjendjen. Në muajin maj, sipas qeverisë do të dihet dizajni i vitrinave të reja në Çarshinë e vjetër të Shkupit. Sipas zejtarëve dhe shoqatave të zejtarëve, qëllimi i këtij vendimi është i paqartë dhe hap shumë dilema.

Do të ndryshohet pamja e dyqaneve në Çarshinë e vjetër – pse? 

Nëse me të vërtetë dëshirohet t’u ndihmohet zejtarëve, qeveria nuk duhet ta ndryshojë pamjen e dyqaneve, por të mendojë për lartësinë e taksave dhe obligimeve ndaj shtetit, konsiderojnë zejtarët. Numri më i madh i esnafëve gjendet në Shkup, ku ka rreth 1.200 prej tyre, ndërsa rreth 400 ka në Manastir.

“Prej një janarit të këtij viti, zejtarët që kishin të ardhura më të larta se një milionë denarë kanë obligim të vëndojnë edhe arka fiskale. Më parë kjo vlente për të ardhurat mbi dy milionë denarë. Nga ana tjetër, gjithnjë e më i madh është numri i zejtarëve që i vendojnë dry dyqaneve për shkak se nuk mund të mbijetojnë, thotë për “Portalb”-in një zejtar nga Manastiri.

Një zejtar tjetër nga Shkupi thekson se prej viti në vit obligimet ndaj shtetit janë gjithnjë e më të mëdha, e në qoftë se nuk përmbushen, pasojnë dënime.

“Ne si dyqanxhi jemi financiarisht të shtrydhur deri në fund. Kemi për obligim të bëjmë elaborate, të fusim sistemin HASAP, të përgatisim deklarata për siguri gjatë punës, këtu është edhe fiskalizimi, dhe të gjitha këto kushtojnë para. Tani mezi se e arrijmë fundin e muajit, e duhet të paguhen edhe të dhënat ndaj shtetit, për shkak se në të kundërtën na kërcënohen me dënime, poashtu duhet t’i paguajmë edhe rrogat, etj. Askush nuk ka para për investime”, thotë një zejtar nga Çarshia e vjetër e Shkupit.

Përderisa zejtarët luftojnë të mbijetojnë, qeveria është duke e shtyrë përpara idenë për unifikimin e pamjes së dyqaneve në Çarshinë e vjetër, fillimisht në Shkup, e pastaj në rend dite do të vijnë edhe ato në Manastir dhe në Ohër.

Sipas paralajmërimeve të Ministrisë për Ekonomi, ideja është që në mënyrë tipike të rregullohen artaritë, dyqanet për çanta, argjendaritë dhe në mënyrë të veçantë të karakterizohen objektet hotelierike. Përpiluesi i kësaj zgjidhjeje konsideron se e gjithë kjo do të realizohet me dimensione të përcaktuara saktësisht të madhësisë së vitrinës, të shenjave, shkronjave, ndriçimit, dhe me këtë rast duhet të ruhet autenticiteti i Çarshisë. Ministria për Ekonomi pas 20 prillit do t’i shqyrtojë propozimet e dorëzuara.

Nga Oda e zejtarëve në Shkup thonë se nuk janë të informuar dhe nuk i dijnë detajet e planit qeveritar për unifikimin e Çarshisë.

“Nuk kemi informata konkrete, mirëpo nga ajo që e di, mendoj se ka disa çështje të hapura. Para së gjithash si do të unifikohen dyqanet e një shitësi të kësulave, një artari dhe një farkëtari, kur ato janë profile të zejeve të ndryshme të zejeve, të esnafëve. Ne kemi evidencë se veprojnë rreth 800 njësi afariste, mirëpo është e paqartë se a do të unifikohen të gjitha”, thonë nga Oda e zejtarëve në Shkup.

Qëndrim të ngjashëm kanë edhe esnafët e Manastirit.

“Çfarë vlere ka brendimi dhe unifikimi i çarshive, kur zejtarët gjithnjë e më shumë i mbyllin dyqanet. Nëse në Manastir më parë kishte mijëra zejtarë, tani ka vetëm 400. Mbyllja e dyqaneve bëhet për disa arsye, e para fiskalizimi, pastaj dënimet e larta dhe obligimet ndaj shtetit”, thotë Dimçe Palenzov nga Oda e zejtarëve në Manastir.

Sipas informatave nga zejtarët, këtë vite kanë ndryshuar edhe kushtet për marrjen e ndihmës shtetërore për veprimtari të caktuara zjetare. Në fakt, vitin e kaluar zejtarët kanë pasur mundësi që të aplikojnë për subvencione shtetërore për pajisje dhe materiale, dhe pasi ta nënshkruanin kontratën me shtetin, kanë filluar me investimin, i cili më vonë u është mbuluar me subvencione. Këtë vit, rregullat kanë ndryshuar, gjegjësisht zejtarët fillimisht duhet të futen në ciklin investues e pastaj të aplikojnë për mjete shtetërore, me ç’rast aplikimi i tyre për mjete shtetërore mund edhe të refuzohet.

“Kishte paralajmërime se shteti do të krijojë, gjegjësisht do të ndihmojë të krijohen rrugë zejtarësh, kuarte zejtarësh, ku do të vendoseshin zanatet e vjetra. Mirëpo, siç kalon koha, në vend që zanatet të ndihmohen, atyre u krijohen vështirësi plotësuese. Është e vërtetë se shteti ofroi masë me të cilën zejtarët janë të liruar tre vjet nga pagesa e tatimit personal, që në nivel vjetor është rreth 75.000 denarë, mirëpo unë do të thoja se pa të ardhura prej rreth 150.000 denarësh nuk mund të mbijetohet, kështu që këto masa, në kushte të këtilla, nuk mund të ndihmojnë”, konsideron Palenzov.

Prej vitit 2008, Çarshia e vjetër e Shkupit, është e mbrojtur me Ligjin për trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë. Sipas këtij ligji, janë përcaktuar kufinjtë e të mirave të mbrojtura, gjegjësisht ç’është e lejuar e çka nuk është lejuar të bëhet. Ekspertët thonë se edhe pse dyqanet janë karakteristika kryesore e Çarshisë, simbol i një kohë të kaluar, megjithatë në ligj nuk është theksuar asgjë konkrete rreth ndryshimit të dyqaneve. Në vitin 2010, Ligji për shpalljen e Çarshisë së vjetër të Shkupit si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë, pësoi ndryshime. Në ndryshime u potencua se me qëllim të mbrojtjes, rregullimit, revitalizimit dhe shfrytëzimit racional të Çarshisë së vjetër të Shkupit, do të vlejë një plan urbanistik për gjithë sipërfaqen e saj. Sipas ndryshimeve, plani duhet të përgatitet duke u mbështetur në bazat mbrojtëse-konservatore, të përgatitura nga institucioni kompetent publik për mbrojtje, ndërsa planin duhet ta miratojnë komunat Qendër dhe Çair. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button