Bukurojsha Adrola Dushi, rrugës drejt “Victoria’s Secret” (FOTO)

Ajo është një nga ato vajzat fatlume që ambiciet e veta i vënë në jetë në një kohë shumë të shkurtër, por edhe nga ato që e ndjekin ëndrrën nga pas, sado larg të jetë. Jeta i ka marrë një kthesë të fortë dhe të suksesshme në një kohë shumë të shkurtër: ka fituar konkursin “Miss Universe Albania 2012”, lindi një vogëlush të bukur, Troi, bëri një ceremoni të rrallë martese me njeriun e ëndrrave dhe sot është ende rrugës… për në “Victoria’s Secret”, transmeton Revista Class.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën e përjavshme “Paloma”, Adrola Dushi rrëfen projektet e afërta, ato që e presin, ato që ëndërron dhe një ndjesi që nuk përshkruhet… të qenit nënë.

Dy vite më parë ishte një vajzë e thjeshtë nga një qytet i vogël si Rrësheni, ndërsa sot, dy vjet më vonë, Adrola është një vajzë me zemrën dhe shpirtin plot, “e plotësuar”, siç e cilëson ajo veten: “Për vetëm dy vite në jetën time kam përjetuar emocione shumë të forta. Nga një vajzë e thjeshtë që jetonte në një qytet të vogël si Rrësheni, erdha në Tiranë si studente, më pas njoha djalin i cili sot është bashkëshorti im, fitova kurorën e “Miss Universe Albania”, udhëtova drejt Amerikës për të përfaqësuar Shqipërinë, u ktheva për një arsye të vetme – Adisi (bashkëshorti im), derisa mora vesh se do të sillja në jetë një fëmijë…” – tregon ajo.

Ndonëse para pak kohësh kishte deklaruar se modelingu nuk ishte fusha në të cilën ajo aspironte, sot e shikon ndryshe.  Sapo ka firmosur dy kontrata mjaft të rëndësishme në Amerikë, një në New York, një tjetër në Boston dhe është e gatshme për të nisur një jetë të re. Familja e saj jeton në SHBA dhe për këtë arsye ajo prej kohësh shkon e vjen shumë shpesh përtej oqeanit. Por tani që ka edhe arsye pune do të zhvendoset atje për një periudhë më të gjatë.

Së fundmi, Adrola është bërë pjesë e “Click models Agency”, një agjenci modelesh me bazë në Boston, fare thjeshtë, siç thotë ajo dhe pa u lodhur, me një aplikim të thjeshtë, pavarësisht se “një stazh pune” nga pjesëmarrja në kompeticione mode ishte favorizuese për të. Megjithatë, beson se ky është momenti i duhur për të ndjekur karrierën: “E kam nisur me këmbë të mabrë. Besoj se në kompleks kam gjithçka që më duhet për të arritur atë që dua”,- shprehet bukuroshja.

Ndërsa ndjesinë e nënës, të cilën e ka përjetuar ende pa mbushur të 20-at, Adrola nuk mund ta përshkruajë, vetëm “mund t’ju them me bindje se ditën që Troi erdhi në jetë jam tjetërsuar. Jam ndier totalisht e plotësuar”. Sigurisht, kjo jetë ka pasur edhe kufizime për të, por Troi është njeriu pa të cilin ajo nuk jeton dot.

Dhe kështu, përgjatë këtij rrugëtimi, Adrola e sheh veten larg: “Ëndrra ime më e madhe është ta shikoj veten si modele të “Victoria’s Secret”. Nëse do ta arrij këtë ëndërr, do mund të them me kokën lart: Po, ia dola!”

Lajme të ngjashme

Back to top button