Multikultura, izmat e rinj dhe plagjiarizmi

Jeta intelektuale nganjëherë di të vijë me dallgë aq lëkundëse sa që s’e dini ku e keni kokën, kur s’ia dilni të mendoni fare e lëre më që të përjetoni institucionin që në sociologji quhet “kohë e lirë”. Tamam konform konceptit të Thomas L. Friedman që flet për botën e shpejtë (fast world), apo të stërpërshpejtuar. Javën që shkoi e shënuam shumë të ngjeshur me akivitete shkollare, udhëtime, leksione dhe konferenca. Në hapësirat e UEJL-së ADI dhe Ambasada Britanike, më 26 mars, organizuan seancën përmbyllëse të projektit të tyre për multikulturalizmin si praktikë në gjashtë komuna të RM-së, ku mbajtëm një ligjëratë për perspektivat për socializim të multikulturalizmit.  Një segment interesant ishte shënimi i ish-ministrit të punëve të brendshme që verifikoi edhe një herë konstatimin se shumëkulturësia po atakohet me dorën e pushtetit aktual, se pas vitit 2006 e këndej fryma e Ohrit dita-ditës po zbehet, se po i vëndohet një ndërkëmbëz bashkëjetesës në emër të disa halucinacioneve politike, se historia maqedonase po shkruhet në bazë të asaj serbe, pra se maqedonasit nuk kanë një histori autentike të veten, të pastër nga ndikimi ekstern, të shkruar nga ata vetë.

Në vazhdim, në ekspozenë tonë theksuam se monokulturalizmi, në veçanti në epokën e globalizmit është një e pamundur, sepse jetojmë në një botë jashtëzakonisht dinamike ku nuk ka më largësi dhe monolitizëm, se s’mund të mbyllemi në guacën tonë, se Maqedonia e ka në gjenin e vet shoqëror multikulturalizmin, porse shtetarët tanë synojnë ta rrënojnë si frymën e trashëguar nga sistemi otoman i miletit, ku diversiteti s’ka përbërë problem, ashtu edhe atë të një qyteti simbol të solidaritetit, të Shkupit të pastërmetit 1963, të Kenzo Tanges, arkitektit japonez që kishte projektuar një qytet të hapur e jo berlinizim a bejrutizim të stilit të barok-burek revolucionit që synon t’ia ndryshojë fizikusin këtij qytetit të lashtë. Mes tjerash nënvizuam se ne jemi shoqëri multikulturore, por jo edhe shtet me politika multikulturore, se duhet të ndodhë procesi i socializimit të kësaj fryme pozitive për të ardhmen e të gjithëve, e ky socializim mund të ndodhë vetëm kur njihemi mirë mes vete sepse “njeriu është armik i gjërave dhe njerëzve që s’i njeh”.

27 mars, Bursa. Me të arritur, ligjëratë në “Fondacionin e Unitetit” me një auditor të përzier, një pjesë e të cilit përbëhej nga shqiptaro-turqit tanë, bursakë dhe studentë ballkanikë që ndjekin studimet në këtë qytet që kohëve të fundit është shumë aktiv edhe në albanosferë. Në derë na prit një mezoburrë me prejardhje nga Gjilani, familja e të cilit ishte shpërngulur në vitin 1957, që e fliste mirë shqipen ndonëse kishte lindur atje. Atmosfera shumë miqësore. Në mesin e debatuesve edhe një ish-deputet që flet për përvojën e vet në politikë, turbulencant nëpër të cilat kanë kaluar si shoqëri. Të nesërmen konferenca në të cilën zbërthyem një temë shumë sensibile,

“Lëvizjet e reja islame në albanosferë gjatë 25 viteve të tranzicionit”, ku mes tjerash elaboruam vijën e kohës kalimtare që gjeneroi një revivalizëm (rigjallërim) fetar, por edhe hapësirë të përshtatshme për shfaqjen e frymave dhe lëvizjeve të reja religjioze, një pjesë e të cilave bien ndesh me kulturën fetare konvencionale të këtyre trojeve, që herë janë në formë të purizmit fetar (vehabizmi-selefizmi) e herë të aksionerizmit shpirtëror-kulturor dhe të islamit politik (ihvanizmi), të atij arsimor enigmatik (gylenizmi), të ideologjizmit fetar me ndikim sipërfaqësor afatshkurtër (shiizmi), të politikës shqiptare fraksionafirmuese (bektashizmi i VIPizuar). Në këtë kontekst theksuam se letargjia e institucionit zyrtar fetar (BFI-së) në hapësirën gjithshqiptare apo kriza e teologjisë shqiptare (Bardhi), ku Shqipëria del e arsyetuar për shkak të hendikepit të vakuumit fetar 1967-1991, ka mundësuar që misionarizmat ideologjikë të lulëzojnë gjithandej shqiptarisë, duke formatuar mendjen e islamit shqiptar sipas botëkuptimeve parcialiste e jo sipas frymës universale islame, ku inkluzivimi është primar e jo ekskluzivizmi (tekfir) që të gjithë të tjerët i fut në ferr, pos vetes të cilën e vendos në një parajsë karrakatinë (Okujan), të ngushtë ku do të hyjë vetëm grupi i shpëtuar, të cilin prapë e asocojnë me veten. Për të ilustruar risitë e fetarizmës tranzicionale dhash një shembull nga përvoja. Para dy vitesh, muajin e agjërimit, isha në namaz nate në Gazi Babë në një fushë sporti, dhe imagjinata sociologjike s’më la rehat, s’munda pa u përshëndetur dhe pak diskutuar-problematizuar pak me imamin e cili në hapësirë të hapur pas mesit të natës i printe xhematit.

Disa pyetje i shtruam: Pse ky namaz jashtë xhamie kur vetëm 200 metra andej është xhamia e Isa Beut, ku njerëzit kanë piketuar një zonë-objekt lutjeje para shumë shekujsh me estetikë, me shatërvan, avlli, zërim natyral, me tepihë, me mure të bukur, ku gjithçka është paraparë përkundër këtij beduinizmi në mes të qytetit, mbi asfallt? Pyetjet pasuan me radhë: Çfarë nëse dikush tjetër ka një park të bukur para shtëpisë së vet, nja treqind metra më andej, gjen një imam dhe formon një xhemat tjetër? Tjetri, e tjetri…. Çfarë nëse në këtë mjedis, diku afër ka një shtëpi jomuslimane dhe një foshnjë që do të flejë, apo një të sëmurë që dergjet? Është kjo falje e ndërgjegjshme, duke pasur faltore të institucionalizuara nga katragjyshët? Përgjigjja: “Unë nuk jam përgjegjës, më kanë thirrur që t’iu prij gjatë muajit të bekuar!” Ja pasqyra e ndryshimeve fetare që kanë sjellë gjallëri fetare (!) por edhe dekonstruksion perceptimor, shoqëror, brendafamiljar, përplasje teologjike, institucionale etj.   Në kthim, në aeroportin e Stambollit njoftoj Nexhmedin presparin, një kurtbetqar në SHBA, që më gëzoi me faktin që djalin e kishte student të shkëlqyer të drejtësisë në njërin nga universitetet më me famë të botës, UCLA, dhe, pa i treguar për konferencën e multikulturalizmit, më përshkroi Resnjën e vet siç është: “Dikur kur ktheheshim për pushime, edhe maqedonasit vinin na vizitonin, kurse sot kjo frymë ka vdekur!”

Dhe destinacioni i tretë, Wroclaw, Poloni, konferenca e E-metodologjisë, 31 mars-1 prill, e trendeve të reja në sferën e ligjërimit, kërkimeve shkencore në epokën e galaksisë së internetit. Me të arritur në Varshavë, bëhemi tok me kulturën e shpejtë, me atë të makdonaldizimit. Marrim trenin drejt pikësynimit. Rrugës diskutojmë me kolegët, profesorin Jonuz dhe Ylber, treni frinko i ri, toka gjithë e punuar. Në duar mbaj librin e Charles Taylorit, kanadezit të mirënjohur, që flet për shumëkulturësinë. Polakët, si gjithë europianët, me sytë te librat. Edhe ne lexojmë, me pauza. Ndërkohë konstatojmë një gjë shumë interesante: kalon karroca e shërbimit gratis me kafe, çaj, lëngje dhe thuajse askush nuk merr, nuk kërkon gjë. Imagjino – thotë miku Ylber – gjendjen tek ne, marrim edhe nëse nuk jemi të etur apo nuk na e ka ëndja, vetëm pse pijet janë përfshirë në biletin e udhëtimit, pra pse janë falas. Ky është dallimi, kjo është mendësia dhe ndërgjegjja gradën e të cilës duhet ta arrijmë. Njeriu mëson sa është gjallë, nga gjithkush. Nuk është me rëndësi referenca, por porosia. Taksisti që do na shpiente në hotel goxha në moshë, i pakënaqur nga realiteti BE, pagat e ulëta, s’ka familje këtu tek ne – thotë, po tkurremi, “ikim në Britani”.

Vendosemi në hotel dhe të nesërmen nëpër tunelin e hekurudhës kalojmë në hapësirat e Institutit të Psikologjisë, ku takojmë kinezë, italianë, irlandezë, ukrainas… Zbërthejmë temën e plagjiarizmit në e-epokë, kur libri dhe tekstet klasike të letrës po zëvendësohen nga formatet virtuale, kur te studentët dhe më gjerë mbizotëron wikimania, copy-paste teknika, kur “pandershmëria akademike” është shumë më e përhapur, kur shumë duhet të investohet në kurset e etikës, që studiuesit e rinj të kenë me vete veglën e vetëpenalizimit, sepse plag-detektorët dhe ndëshkimet e jashtme herë mund të jenë efektive e herë jo. Në menzë-kafiterinë e këtij instituti nuk i vërejmë ndejat studentore karakteristike për tek ne. Gjatë gjezdisjeve nëpër këtë qytet konstatojmë frymën gjermane, në stacionin e trenit shënuar shprehjen “…strasse”, Hauptbahnhofi i dikurshëm. Ky qytet deri në LDB ka qenë gjerman, emri i vjetër i tij është Breslau (prusianët, Perandoria Gjermane, Gjermania e Vajmarit, ajo naziste) dhe ka një stil të veçantë të godinave dhe fasadave që flasin për një kulturë autentike, që ka kapërcyer regjime e sisteme por që ka mbetur në këmbë me gjithë autenticitetin e vet, klasik, jo si kjo klasika jonë artificiale “2014”: ministria e drejtësisë barok, ndërtesat anash me xhama e beton, moderne. Absurd gruevist. “Tana të melat ne nji ven” – do kishin thënë shkodranët. Arhitorturë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button