Shqiptaret nuk lindin më si më parë

Përgjysmohet natalitetit në Maqedoni në 63 vitet e fundit. Nëse në vitin 1950 në Maqedoni kanë lindur 50.000 foshnje, sipas të dhënave të fundit të Entit të Statistikë lindshmëria në vitin 2013 ka rënë në vetëm 23.334 foshnje. Trendi i uljes së vazhdueshme të natalitetit në dekadat e kaluara mbështetet edhe me faktin se dhjetë vite më vonë, respektivisht në vitin 1960 kanë lindur 42 mijë foshnje, në vitin 1980 – 39.784 fëmijë dhe në vitin 2000 janë lindur 29.000 foshnje. Kjo do të thotë se prej vitit 1950 deri në vitin 2013 në Maqedoni janë lindur dyfish më pak fëmijë, apo për 63 vjet numri i foshnjave të lindura është zvogëluar për 27.000, njofton KOHA.

“Shkaqet për uljen e natalitetit në Maqedoni janë të shumta dhe kanë të bëjnë me faktorët ekonomik, social e kështu me radhë. Këtu kemi të bëjmë me emancipimin e femrës si dhe shkollimin se vjen e më të madh, edhe të femrës shqiptare. Gjithashtu kohët e fundit ndryshon mënyra e jetesës që është përshpejtuar. Shumica e çifteve vonë martohen, ndërsa ndikon edhe migrimi jashtë i popullatës”, thotë eksperti i demografisë dhe profesori universitar, Resul Hamiti.

Sipas tij, megjithatë faktit se edhe te shqiptarët shënohet rënie e natalitetit, sërish ai në raport me popujt e tjerë ballkanik është shumë më i lartë.

“Edhe pse edhe te shqiptarët kemi ulje të natalitetit në të gjithë Ballkanin, megjithatë në raport me popujt e tjerët si maqedonasit, grekët apo serbët, si komb kemi shtim natyror mbi mesataren. Në nivel vetëm të Maqedonisë mund të them se 70-80 për qind e shtimit natyror që e ka vendi, ka të bëjë me familjet shqiptare që ndërlidhet edhe me koncentrimin e madh të tyre në viset rurale si dhe ndikimit më të madh të traditës fetare te shqiptarët”, thekson Hamiti.

Lajme të ngjashme

Back to top button