Shpejt, se vjen ministri…!!!

Në të kaluarën, të nderuar lexues, ishte zakon që kur kuptohej se do na vizitonte dikush, i afërm, i familjes, i largët, i panjohur, shok, mik, bile edhe ndonjë udhëtar rasti, trazohej e tërë familja për të ndërmarrë aksion për pastrimin, rregullimin, renditjen e dhomave të shtëpisë, bile edhe të vetë anëtarëve të asaj amvisërie, vetëm e vetëm për t’i lënë mbresa të mira, pozitive, të ngrohta e mikpritëse mysafirit në fjalë, pavarësisht statusit të tij shoqëror. Dhe krejt kjo nuk bëhej për shkak se ekzistonte dembellëk apo papërgjegjësi në atë familje, por për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike në të cilën ndodheshin shumica e njerëzve (shqiptarëve) në ato kohëra, ndoshta edhe sot…!

Kjo traditë kohëve të fundit duket se ka tendencë të kopjohet, huazohet a trashëgohet në një rrafsh krejt tjetër – atë institucional, duke përfshirë institucione shëndetësore, edukative-arsimore, fetare, komunale, etj. Të gjitha këto duket se bëjnë punë vetëm kur të njëjtëve u paralajmërohet vizitë e ndonjë personi “të madh”, e ndonjë ministri, drejtori, inspektori, përgjegjësi, kryetari, kryeministri, etj. Atëherë, që të gjithë, pa përjashtim, trazohen nga shtrofullat e tyre dhe me klithmën ndër dhëmbë, “Shpejt, se vjen ministri…!!!” nisin dhe rregullojnë zyrat, korridoret, rrugicat, parkingjet, trotuaret, rrugët, lulet, parqet (nëse ka të tilla), lumin, e çfarë jo tjetër!!! Çfarë absurdi! Ku janë këta njerëz në ditë të tjera? Ku janë këta njerëz kur në bazë ditore duhet t’i shërbejnë popullit, nxënësit, mësuesit, pacientit, lutësit, nga të cilët ata marrin rroga dhe ushqejnë vetveten dhe familjarët e tyre? Ku janë këta njerëz kur qytetarët çdo ditë të Zotit ballafaqohen me mungesë uji, me ajër të ndotur, me gërmadha mbeturinash, me pluhur pa fund, me rrugë të shkatërruara, me trotuare të zaptuara, me rrugë të bllokuara, me turma të hutuara qensh, me shërbime të mjera institucionale, me tatime dhe fatura marramendëse… Ku janë???

Dhe kur dikush ngrihet dhe kërkon atë që i takon, me ligj, me kanun, me konventa kombëtare e ndërkombëtare, me anekse e nën-anekse, me kushtetutë a me çka jo tjetër, atëherë bëhet bujë – kush është ky që ka dalë e po kërkon “mrekullira”, “çudira”… ngase kemi ardhur deri në atë derexhe që kushtet elementare të jetesës në shekullin 21 në Evropë t’i quajmë me epitete si këto që i përmenda më lart! Paramendoni! Çfarë turpi, çfarë absurdi, çfarë hipokrizie, çfarë injorance!!! Zot na ruaj!

Për fund po ju bashkëngjis disa foto sa për të konstatuar me fakte këtë që përmenda më lart!

Mbeturinat ne Tetove Mbeturinat ne Tetove1 Mbeturinat ne Tetove2 Mbeturinat ne Tetove3 Mbeturinat ne Tetove4 Mbeturinat ne Tetove5

Mbeturinat ne Tetove6

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button