Fat apo taksirat

Në krejt katrahurën demokratike dhe institucionale që po përjeton Maqedonia këto ditë sigurisht se nuk do bëjmë debat jashtëkohor për gjëra dhe fenomene të caktuara nëse ato janë fat apo taksirat. Madje tash aktualisht duhet suspenduar edhe marrëdhëniet dhe garën ndëretnike në Maqedoni për shtetin vetëm sepse është rrezikuar vet ekzistenca e shtetit, tani kur zbulojmë se gjatë vite ka qenë i kapur nga vetëm një familje në emër të disa partive.

Kështu që tani ky debat mbetet vetëm nëse është fat apo taksirat kjo gjendje tani për BDI-në. Kjo sepse njëra prej çështjeve dhe zhvillimeve më interesante për monitorim është dhe mbetet sjellja e kësaj partie, tani pasi plasën në opinion gjithë këto skandale e që kishin qenë të vërteta për qeverisjen e vendit viteve të fundit.

Me të drejtë, duke parë krejt padrejtësitë dhe diku diku edhe aparteidin për qytetarët shqiptarë viteve të fundit, kishte edhe zëra në shqip se në fakt shqiptarët edhe nuk kanë patë nevojë për “bomba” që të dinë këto që i ndodhin atyre edhe shtetit. Por, momenti politik që u krijua në vend me shpalosjen e “bombave” në kuadër të projektit “E vërteta për Maqedoninë” vërtetoi shumë mbrapshti të shtetit dhe institucioneve, edhe për shqiptarët, por edhe për një numër të madh të krejt qytetarëve. Me çka si moment edhe artikulimi shqiptar për këto padrejtësi në parim bëhet më i lehtë dhe më i qartë. Kjo edhe është në njëfarë mënyre përfitimi më i madh politik shqiptar në Maqedoni nga krejt kjo pritje dhe ndjekje të “bombave”.

Njëkohësisht kjo edhe është ndjenja e pathënë në të cilën dëshirojnë të luajnë disa qarqe proqeveritare me tribuna dhe mitingje që mendojnë ta mbrojnë “Maqedoninë” nga Maqedonia dhe e vërteta, pra nga Maqedonia e vërtetë, sovranitetin e të cilës e bëjnë dhe bartin gjithë qytetarët e saj. Se mos ndoshta kështu ia arrijnë që të vazhdojnë t’i fryjnë konspiracionit se çdo ndryshim i qeverisjes nga “familja” dhe “kushërinjtë” është keq për Maqedoninë.

Të kthehemi te BDI për të sqaruar se ku është edhe dështimi më i madh i saj pas krejt fryrjeve se përfaqëson shqiptarët dhe se është artikulues politik i tyre. Ai dështim konsiston në atë se ata sollën shqiptarët në pozitë që vetëm të presin ndonjë të mirë kolaterale nga zhvillimet tjera dhe të tjerëve për Maqedoninë. Shkurt thënë mjafton si dështim për Ahmetin dhe të tjerët që bënë që shqiptarët të kthejnë sytë ka Zaevi ose dhe Gruevski. Kjo pasi edhe me ato pak shqiptare dhe në shqip që u shpalosën në “bombat” qytetarët shqiptarë patën rastin të shohin fatin dhe taksiratin e BDI-së me këtë qeverisje.

E para se nëse ishte taksirat i BDI-së me këtë bandën në qeveri, atëherë ju kishte ndodhë si pilotit dhe ekuipazhit tjetër me kopilotin në germanvings-in fatkeq. Kur timoni i mbeti për shkurt kopilotit, ai e shkatërron krejt shtetin. Ashtu edhe BDI me këto me një sjellje “haj se s’ka gajle” gjatë kohë e kishin lënë në tërësi politikën e tash edhe nëse trokasin në derë për ty kthyer në kabinë për të normalizuar fluturimin, zor. Shkoj dëm krejt, me gjithë ata.

Këtu edhe ndahet nëse kjo është kjo fat apo një taksirat. Pasi ka indikacione serioze që tregojnë se aktualisht BDI dhe DPMNE jo vetëm që mbahen bashkë, por edhe aktivisht ndihmohen mes vete për të ruajtur qeverisjen aktuale kriminele dhe jolegjitime. Pra, ndajnë të njëjtin fat. DPMNE e bën këtë me atë që në disa raste përmend marrëdhëniet dhe rrezikun ndëretnik për një çështje e cila në parimisht është çështje qytetare: sovranitet i vjedhur nga qytetarët. Me çka ajo e mbron BDI-në nga shpalosja eventuale e “bombave” të ndërlidhura me BDI-në nga ana e opozitës. BDI nga ana tjetër i kthen këtë me atë se në kontest të zgjidhjes së krizës të tanishme shtetërore e përmend edhe mundësinë për zgjidhjen e çështjes se emrit ndërkombëtar te vendit. Gjë që nuk është dhe nuk mund të jetë rast përgjatë zgjidhjes imediate që kërkon kjo krizë aktuale shtetërore. Me këtë BDI vetëm mund t’i ndihmon DPMNE-se që të fryj në konspiracionin se çdo ndryshim i qeverisjes nga “familja” është keq për Maqedoninë.

Fat apo taksirat nëse BDI shumë shpejt nuk do din të kthehet do përjetoje shah-mat edhe nëse dëshiron ti duket vetja në situatë se është pata-pat.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button