Vendimet e para, hiqet portreti i Nishanit

Mbledhja e parë e Qeverisë së re. Portreti i Presidentit zëvendësohet nga Ismail Qemali.

Tavolina ovale, me hartën e Europës së shek.XVI.

Në mbledhjen e parë të qeverisë së tij, Edi Rama mori tri vendime, dy prej të cilave i kishte premtuar që gjatë fushatës zgjedhore. Qeveria miratoi heqjen e portretit të Presidentit nga institucionet shtetërore dhe zëvendësimin e tij me portretin e Ismail Qemalit.

Përmes një njoftimi të shkurtër, të publikuar në faqen e re të Këshillit të Ministrave, njoftohen tri vendimet. “Zëvendësimin e portretit të Presidentit të Republikës në ceremonialin zyrtar me portretin e themeluesit të shtetit modern shqiptar, Ismail Qemalit”, thuhet në njoftim. Me këtë vendim është ndërhyrë në Ligjin për Protokollin e Shtetit, ku përcaktohet përdorimi i portretit të Presidentit të Republikës. Kapitulli “Flamuri Kombëtar” i Protokollit të Shtetit.

Në pikën 1.18 thuhet: “Në zyrat e administratës publike, duke filluar nga niveli drejtor drejtorie deri te titullarët e dikastereve dhe në përfaqësitë diplomatike shqiptare jashtë shtetit është e detyrueshme të vendoset portreti i Presidentit të Republikës”. Po ashtu, qeveria vendosi ndalimin e importit të plehrave, një prej premtimeve të forta të fushatës me të cilën ishte bashkuar dhe shoqëria civile e për të cilën ishte fituar dhe e drejta e zhvillimit të një referendumi popullor. “Këshilli i Ministrave vendosi ndalimin e importit të plehrave në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Një tjetër vendim i pritshëm ishte dhe miratimi i Kodit Etik Ministror, për të cilin Rama është shprehur se është i standardeve të vendeve të njohura demokratike. Në faqen e Kryeministrisë mbrëmë, vetëm janë bërë publike titujt e vendimeve dhe jo përmbajtja e tyre. Burime zyrtare pranë Kryeministrisë thanë për “Panorama” se vendimet e plota, bashkë me referencat ligjore, do të publikohen sot në versionin on line, në faqen e Kryeministrisë.

NDRYSHIMET
Në fotot e bëra publike nga zyra e Kryeministrit, salla e mbledhjeve të qeverisë ka pësuar ndryshime. Tavolina ovale është lyer në ngjyrë të kuqe, po ashtu dhe moketi është i kuq. Vendosja në tavolinë është ndryshe nga ajo e qeverisë së mëparshme. Rama është ulur në krahun e djathtë të tavolinës së qeverisë, ndërsa ka në krah zv.kryeministrin Peleshi dhe ministren e Integrimit të LSIsë, Klajda Gjosha. Në qendër të hapësirës që krijon tavolina ovale, ishte vendosur një hartë e vjetër e Europës.

Artan Lame shpjegoi për “Panorama” se ajo është një imazh i idealizuar i Europës së shekullit XVI, ku shtetet janë vendosur në një femër të shtrirë dhe mes të cilëve shquhet dhe Shqipëria (Albania). Kjo hartë, shpjegon Lame, ishte harta kryesore e ekspozitës së hapur në Bruksel dhe që tërhoqi vëmendjen e vizitorëve që dallonin Shqipërinë si pjesë të Europës ndër shekuj./ Panorama

Lajme të ngjashme

Back to top button