Ndikimi heraldik i Evropës Perëndimorenë Shqipëri dhe dukja e stemave shqiptare

Lexo pjesën paraprake: Depërtimi i stemave në vendet ballkanike

Ndër të gjitha popujt ballkanikë, ndikim heraldik më të hershëm nga Evropa Perëndimore si dhe më të fortë ka pasur Shqipëria, e pikërisht prej shekullit XI. Ndikimi heraldik i Evropës Perëndimore në Shqipëri u ndie në tri etapa. Vale e parë prej Evropës Perëndimore ishte në lidhje me depërtimin e normanëve e të kryqëzorëve në Shqipëri prej vitit 1080 deri më 1108. Në tetëdhjetë vitet e shekullit XI pronat ballkanike të Bizantit sulmoheshin prej normanëve, që udhëhiqeshin prej Robert Gusikardit e të birit Boemundi. Zgjerimi norman bëhej nga Italia Jugore, nëpër Shqipëri kah Selaniku. Pas fitores së madhe në Durrës në vitin 1082, normanët depërtuan thellë në pronat bizantine. Në vitin 1083 Bizanti përsëri u mund në Janinë, e kështu normanët pushtuan një pjesë të madhe të Shqipërisë dhe shumë qytete maqedonase. Boemundi e pushtoi Ohrin, e komandanti i tij Petar Alif dy Pollogjet, kurse konti Puntes Shkupin. Pastaj u pushtuan edhe Beri, Megleni, Pellagonia, Trikalla dhe Kosturi. Pas mundjes së Boemundit te Larisa në vitin 1084, ushtritë normane ishin të detyruara të tërhiqen së pari prej Maqedonie,[1] e pas dhjetë vitesh u dukën kryqëzorët nga fushata e parë kryqëzore (kryqëzata e parë). Ata u dukën në vitin 1096 dhe 1097 dhe duke shkuar rrugës Via Egnatia nëpër Shqipëri depërtuan në Maqedoni dhe vazhdoi për Azi të Vogël. Në vitet 1096 e 1097 nëpër Shqipëri dhe Maqedoni kaluan edhe kryqëzorët e Francës Jugore, të udhëhequr nga konti Rajmund Tulloni dhe ipeshkvi i Podisë, Ademari.[2]

Porsa kaloi rreziku prej kryqëzorëve, mbi Shqipëri dhe Maqedoni u shfaq rreziku i ri, respektivisht depërtimet e reja normane. Boemund Tareni nuk pajtohet me mendimin e të mos e pushtojë Shqipërinë dhe Maqedoninë prej Bizantit, prandaj u orvat përsëri në vitet 1107 dhe 1108. Sipas njoftimeve të Ana Komnenit, perandori bizantin Aleksej Komnen I, prisit të vet ushtarak Mihal Kekevmen i dha urdhër me ushtri të forta ti ruajë qytetet shqiptare: Durrësin, Vlorën, Lerihon dhe Kaninën. Fortesën Petrula që e mbronte rrugën Arbanon-Durrës, e mbronte Mav Nikeriti. Prisi ushtarak Evstanij Kamica u vendos afër Arbanonit. Forcat kryesore i qenë besuar Aliatit, kurse vetë perandori vendosi kampin në fortesën Devolli, që gjendej midis lumit Shkumbin e Devoll. Në vjeshtë të vitit 1107 dyzetepesëmijë ushtarë të Boemundit zbarkuan në Vlorë; qytetin e pushtuan lehtë dhe u drejtuan kah Durrësi, por nuk mundën ta pushtojnë. Pushtuan qytetin Arbanon dhe arritën deri në Dibër, që po ashtu e pushtuan. Mirëpo, i rrethuar nga të gjitha anët prej ushtrive Bizantine, Boemund Tareni nuk mundi të qëndrojë shumë kohë në Shqipëri dhe në lumin Devoll u lidh traktati i paqes në vitin 1108. Sipas këtij traktati Boemundi u tërhoq në Itali.[3] Kësodore pushuan depërtimet e mëtejshme normane e të kryqëzorëve në Shqipëri. Ky sulm i parë i riterëve nga Evropa Perëndimore e Jugore në Shqipëri nuk la shenja më të ndjeshme heraldike për shkak se normanët dhe kryqëzorët nuk qëndruan shumë kohë në Shqipëri, pastaj edhe për shkak se heraldika ka qenë në fazë të parë të zhvillimit edhe te normanët e kryqëzorët, prandaj, nga kjo kohë nuk ekzistojnë gjurma heraldike në Shqipëri.

Dallga e dytë heraldike u ndie në Shqipëri prej vitit 1204, kur kryqëzorët e Kryqëzatës IV e sulmuan Stambollin dhe formuan “Perandorinë latine”. Ata pushtuan edhe Selanikun ku krijuan “Mbretërinë e Selanikut” me Bonifaci Monteferantin në krye. Në atë kohë Epiri, Moreja dhe Shqipëria u takuan fisnikëve frëng që sollën edhe zakone heraldike. Në vitin 1264 perandori bizantin Balduni II, pas marrëveshjes në Vierb, ja fali të drejtën e vet mbi Morenë e Epirin Karlo Anzhuit I, mbretit të dy Siqelive.[4] Në atë kohë për herë të parë u shfaq koncepti “shteti shqipëtar” ose “mbretëria Shqipëtare” (regnum Albaniae).[5] Në vitin 1274 fisnikët shqiptarë njohën Karlon I, e kështu Shqipëria u hap gjerësisht për ndikimin heraldik nga Evropa Perëndimore.[6] Mirëpo, edhe kjo dallgë e dytë heraldike nuk la gjurma më të thella në stema shqiptare familjesh, qytetesh ose territoriale. Vërtet, nën ndikimin e këtyre ushtrive evropiane, që sollën tradita heraldike në Shqipëri, edhe fisnikët shqiptarë filluan të përdorin stema dhe në këtë mënyrë të pësojnë ndikim, por me ardhjen e turqve, edhe ky proces që ishte në fillim, u ndërpre.

Dallga e tretë e ndikimit heraldik në Shqipëri ndihet në kohën e luftës që zhvilloi Skënderbeu kur edhe Venediku e mbante Durrësin. Nga koha e Skënderbeut ekzistojnë edhe stemat e para të shtypura, siç është ajo në librin e Barletit, ku gjenden dy stema të Gjergj Kastriotit. Ky ndikim edhe më shumë ndihet pas pushtimit definitiv të Shqipërisë nga ana e turqve (1479), kur një numër i madh feudalësh shqiptarë emigruan nëpër qytete italiane; ata ranë nën ndikimin heraldik dhe nisën të shkruanin memoare e histori të familjeve feudale shqiptare ku i shtypnin edhe stemat e këtyre familjeve. Ata feudalë shqiptarë që mbetën në Shqipëri pas ardhjes së turqve, ose morën fenë myslimane ose u zhdukën, e procesi heraldik kishte filluar edhe te ata, u ndërpre. Te ata feudalë shqiptarë që kaluan në Itali, procesi heraldik vazhdoi, madje edhe u zhvillua dhe prandaj trashëgimtarët e Kastriotit në Napul kishin shqiponjë dykrerëshe të zezë në fushë të verdhë,[7] kurse nipërit e Skënderbeut në Venedik po ashtu shqiponjë dykrerëshe.[8]

Prej krejt kësaj shihet se stemat tipike shqiptare hasen vetëm kah fundi i shekullit XV, e ato janë stemat e para familjare të Kastriotit, Dukagjinit dhe Muzakës. As në Shqipëri, që deri me ardhjen e turqve ishte e ndarë në më shumë sundime feudale, nuk ka pasur stemë të formuar shtetërore e territoriale, e cila në mënyrë heraldike do të përfaqësonte Shqipërinë si vend dhe popull. Stema territoriale shqiptare u duk, si do të shohim, vetëm kah fundi i shekullit XVII, madje jo në Shqipëri, por jashtë saj. Ardhja e turqve edhe në Shqipëri e ndërpreu këtë proces heraldik që më ndërprerje kish filluar prej fillimit të shekullit XI.

Kështu, pas rënies së Shqipërisë nën pushtetin turk, stemat e fisnikëve që morën fenë islame ose u bënë rajë, u harruan. Kontinuiteti qëndroi vetëm te ata fisnikë që ikën para turqve në vende të tjera, si në Austri, Republikë të Dubrovnikut, Romë, Napul, Venedik, Gjeneve dhe në qytete tjera italiane. Disa nga këto qytete ua vërtetonin fisnikërinë, por kjo nuk ish punë e lehtë. Republika e Dubrovnikut, për shembull, një kohë mbante qëndrim që të mos i miratonte askujt fisnikërinë përveç fisnikëve të saj. Vendet e tjera ua njihnin fisnikërinë feudalëve shqiptarë, por vetëm në qoftë se mund ta vërtetonim këtë me dokumente.

Edhe pse në kohën e sundimit turk në Shqipëri nuk ka pasur manifestime heraldike, prapëseprapë përmendet një nga korriku i vitit 1593 kur krerët shqiptarë i shkruanin papës Kliment VIII se të gjithë shqiptarët do të ngrenë krye kundër turqve. Kjo letër ka qenë e vulosur me vulën që kish këtë përmbajtje: “Sigillum Regni Macedoniae et Albaniae”.[9] Në vulë kish stemë, e mbi stemë kurorë princërore. Por për këtë stemë nuk ka të dhëna të hollësishme se si është dukur, çfarë amblemi ka pasur dhe për elemente të tjera të stemës.

 (VAZHDON)

Aleksandër MATKOVSKI

Autoriteti i padiskutueshëm i historiografisë maqedonase dhe ballkanike, autori i monografisë së famshme “Dervish Cara”, akademik Aleksandar Matkovski, që flet për kryengritjen më të madhe të shqiptarëve kundër Perandorisë turke në fillim të shekullit njëzet, shkroi një libër për stemat shqiptare, të titulluar STEMAT SHQIPTARE NË TË KALUARËN. Vepra u botua si separat i revistës shkencore Gjurmime albanologjike 2, 1969, në Prishtinë. Ky hulumtim është interesant jo vetëm pse është i pari i këtij lloji (dhe edhe pas botimit të saj nuk kemi të dhëna të jetë marrë kush në historiografinë shqiptare me stemat), por edhe për stilin dhe seriozitetin shkencor me të cilin autori i qaset historisë shqiptare. Portali ynë do ta botojë veprën në disa vazhdime dhe besojmë se kështu do ta zgjojmë kureshtjen e lexuesve e veçanërisht të studiuesve edhe për punën e historianit të madh Aleksandar Matkovski, por edhe për lëndën e cila trajtohet në këtë vepër.


 

[1] Istorija na makedonskiot narod, I. Institut za nacionalja istorija, Skopje 1969, 171.

[2] Po aty, 173, 174.

[3] Po aty, 174, 175.

[4] Vep. e cit. 11.

[5] Stanoje Stanojeviq, narodna enciklopedija srpsko-hrvatsko-slovenacka, Zagreb, 38.

[6] Novakoviq, vep. e cit. 11.

[7] Du Cange, Historia byzantina, Paris 1968, 350.

[8] Solovjev, Istorija srpskog grba, “srpska misao” Melburn 1958, 143.

[9] Horvat, Novi historijski spomenici za povijest Bosne i susjednih zemalja Glasnik zemaljskoga mezeja u Sarajevu XXI (1909), 14.

Lajme të ngjashme

Back to top button