Gruevski vazhdon luftën me maniret e diktatorit, a do të jenë protestat goditja e fundit?

Përleshjet politike mes taborëve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, gjithnjë e më shumë po bëhen më intensive. Në mungesë të një zgjidhje institucionale dhe juridike të problemeve aktorët politik pretendojnë në një luftë të pa kompromis për të përvetësuar opinionin.

Lufta politike po zbret qytet më qytet, pas mohimit të çdo afere korruptive nga piramida qeveritare e inkorporuar në afera kriminaliteti që vështirë se do të rezistonte në ndonjë vend tjetër.

Kjo aspak nuk është e rastësishme thonë analistët, sepse Nikolla Gruevski vazhdimin e luftës po e bënë me ët gjitha maniret e një diktatori dhe në kushte të tilla diktatorët nuk japin dorëheqje , por ata mposhten.

Mersel Bilalli thotë për Portalb se beteja politike ka  marrë të gjitha përmasat e një lufte për të përvetësuar opinionin. Sipas tij kjo është e pritshme sepse asnjë diktaturë nuk largohet me dorëheqje, por ata rrëzohen nga pushteti.

“Për opozitën është shumë ma mirë që diktatori të mposhtet. Mendojë se edhe bashkësia ndërkombëtare ka dhënë sinjalet. VMRO-DPMNE duket dukshëm e dëshpëruar. Javëve që vjen do të ketë kthesa më të mëdha, largim më të madh të opinionit nga VMRO-DPMNE dhe nëpërmjet protestave të mëdha, diktatori do të largohet”, thotë Mersel Bilalli.

Lufta politike mes LSDM-së dhe VMRO-së që ngjason me një fushatë të vërtetë elektorale ndërkohë që ende ndodhemi larg saj, shtonë shqetësimet për skenarët më të dhimbshëm.

Ismet Ramadani thotë për Portalb se taborët politike janë hedhur në një garë për të demonstruar se cila ka më shumë elektorat. Sipas tij kjo është shumë e rrezikshme sepse antagonizmat dhe përplasjet në masë mund të shkaktojnë konflikt. Ramadani thotë se pikërisht për këtë gjithnjë e më shumë shtohen zërat e atyre që mendojnë me kokë të ftohtë se duhet të intervenohet në mënyrë diplomatike nga jashtë tek kryeministri Gruevski për të stabilizuar situatën politike.

“Gjithçka duhet të fillojë me dorëheqjen e Prokurorit publik dhe sistemimin e pushtetit gjyqësorë në mënyrë që kriza politike të marrë një epilog në aspektin juridik. E gjithë kjo bëhet me një qeveri kalimtare, por nëse gjërat rrjedhin në këtë mënyrë siç është duke shkuar atëherë mund të ketë ndonjë konflikt. Dorëheqja e kryeministrit Nikolla Gruevski nuk po ndodh sepse tek ai nuk dominon morali dhe përgjegjësia politike, por mundohet ende që të demonstrojë forcë”, thotë Ismet Ramadani.

Lajme të ngjashme

Back to top button