Qeveritë Kosovë-Maqedoni së shpejti takim të përbashkët

Qeveria e Kosovës pritet të zhvillojë takimin e parë të përbashkët me qeverinë e Maqedonisë.

“Është përgatitur edhe takimi i përbashkët me qeverinë e Maqedonisë për të arritur marrëveshje në fusha me interes të përbashkët, sidomos ato të sigurisë, në kalimin më të lehtë të kufirit dhe në tregti dhe në fushën fiskale”, theksoi kryeministri Isa Mustafa në Kuvendin e Kosovës, transmeton Shekulli.

Mustafa e bëri këtë deklaratë gjatë seancës plenare, ku u diskutua lidhur me punën e realizuar në këto 100 ditë dhe programi i qeverisës.

Gjatë një takimi dje, ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi dhe ambasadori maqedonas në Prishtinë, Ilija Strashevski, vlerësuan se mbledhja e përbashkët e qeverive të dy vendeve, Kosovës dhe Maqedonisë, do të jetë një hap i rëndësishëm për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e bujqësisë, por edhe në fusha të tjera.

Dy shtetet fqinje, Maqedonia dhe Mali i Zi e kanë njohur Kosovën në të njëjtën ditë, më 9 tetor 2008. Deri tani, pavarësia e Kosovës e shpallur më 17 shkurt 2008 është njohur nga 108 shtete anëtare të OKB-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button