Përse ndonjëherë lejleku vonohet?

Ndodhë shpesh që shtatzënat bëhen shumë merak nëse kalojnë disa ditë pas terminit të lindjes dhe dhimbjet nuk fillojnë. Akoma nuk dihet se cili faktor (ose cilët janë faktorët) të cilët e iniciojnë lindjen.

Tash e kemi marrë vesh si bëhen bebet, por kur kemi qenë të vegjël na është thënë që lejleku fluturon mbi kulmin e shtëpisë dhe e lëshon ngadalë beben në pragun e shtëpisë. Pastaj, nëna del e merr beben dhe e gjithë familja gëzohen dhe janë të lumtur që e kanë edhe një motër ose vëlla në familje.

Ndoshta me këtë tregim edhe tash shtatzënat iu shpjegojnë fëmijëve më të vegjël se si vjen në shtëpinë e tyre motra ose vëllai i tyre. Por, ndonjëherë ndodhë që lejleku të vonohet!

Në ditët e sotme gjithçka, secili veprim që bëjmë është i planifikuar dhe përpiqemi që të jemi sa më të saktë. Duhet të zgjohemi herët nga gjumi për të mbërritur me kohë në punë, duhet të përpilojmë raportet e punës në afatin e caktuar, bile edhe kur takohemi me shoqëri për kafe e caktojmë në ç’orë fillon takimi dhe kur pritet të përfundojë ndeja. Problemi lind nëse ne presim që edhe bebja të jetë e saktë dhe të lind atëherë kur ne e presim. Është e zakonshme që termini i lindjes nga shtatzëna dhe familja e saj përcaktohet si datë kur duhet të lind bebja dhe nëse nuk ndodhë lindja atëherë ata shqetësohen dhe duan të dinë arsyen se përse nuk po ndodhë lindja.

Për ta llogaritur terminin e lindjes mjeku bazohet në ditën e parë të menstruacioneve të fundit të cilës datë i shtohen 280 ditë ose 40 javë; mënyrë më e thjeshtë është nëse ditës së parë të menstruacioneve të fundit i shtohen 7 ditë dhe i hiqen tre muaj. Psh nëse menstruacionin e fundit e keni pasur me 1 shtator, atëherë termini i lindjes do të jetë me 8 qershor. Kjo llogaritje bazohet në ciklin menstrual 28 ditësh, por nëse cikli juaj menstrual është më i gjatë se 28 ditë, atëherë ju mund të lindni më vonë se termini i caktuar i lindjes dhe anasjelltas, nëse cikli menstrual është më i shkurtër, atëherë pritet që të lindni më herët.

Për të kalkuluar terminin e lindjes më të besueshme janë matjet të cilat bëhen në ekzaminimin ultrasonografik të tremujorit të parë. Gjatë këtij ekzaminimi mjeku e mat gjatësinë e embrionit dhe madhësinë e qeses së shtatzënisë. Këto matje në fillim të shtatzënisë janë shumë të sakta, prandaj edhe termini i lindjes i përcaktuar në këtë mënyrë është më i besueshëm.

Pa marrë parasysh së në ç’mënyrë caktohet termini i lindjes, mos pritni që do të lindni saktësisht në atë datë që ka përcaktuar mjeku juaj. Ne akoma nuk e dimë se cili është ai faktor që e nxit fillimin e lindjes.

Rreth 80% e grave lindin në periudhën prej javës 37 deri 41. Nga 20% i mbetur rreth 11% lindin para kohe (prematur).

Ndodhë shpesh që shtatzënat bëhen shumë merak nëse kalojnë disa ditë pas terminit të lindjes dhe dhimbjet nuk fillojnë. Po e përsëris se akoma nuk dihet se cili faktor (ose cilët janë faktorët) të cilët e iniciojnë lindjen. Dihet që gratë më të reja se 30 vjeç zakonisht kanë shtatzëni më të gjata. Nuk është fakt shkencor, por është vërejtur se bebet djem lindin më vonë se bebet vajza.

Gjatë terminit të lindjes (pra nga java 37 e tutje) e sidomos pas javës së 40 ju duhet të jeni në përcjellje të afërt të mjekut. Është shumë me rëndësi që të përcillet pjekuria e placentës dhe vëllimin i lëngut amnial. Nëse te bebja fillojnë të punojnë zorrët, atëherë ajo do të defekojë (jashtëqitja e fetusit quhet mekonium) dhe lëngu amnial do të bëhet mekonial (lëng i dendur me ngjyrë intensivisht të gjelbër). Pikërisht në këtë kohë bebja fillon “të bëjë ushtrime të frymëmarrjes” dhe është e mundur që të aspirojë në mushkëri lëngun mekonial. Nëse ndodhë një gjë e tillë mund të rrezikohet mirëqenia e bebes. Pikërisht për këto arsye mjeku mund t’ju rekomandojë që pas javës së 41 nëse nuk kanë filluar tkurrjet e mitrës të fillohet indukimi i lindjes.

Nuk ka rëndësi se a do të ndodhë lindja në javën 38, 39 apo 41. Nëse lindja ndodhë spontanisht kjo nuk ndikon aspak në mirëqenien e bebes, por është shumë e rëndësishme që pa kaluar 41 javë të mos indukohet lindja (nëse nuk ka ndonjë indikacion tjetër). Nëse lindja paraprake është kryer me prerje Cezariane dhe ju keni vendosur që edhe këtë lindje ta kryeni me operacion, atëherë rekomandohet që lindja me operacion të kryhet pasi të kompletohen 39 javë të shtatzënisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button