Shqiptarët në raport me të tjerët

Në historinë e marrëdhënieve ndërshtetërore (ndërkombëtare), shqiptarët – paraardhësit e tyre, patën mundësi tepër të kufizuara të shpalosin aftësitë diplomatike. Mundësitë e këtilla shqiptarëve iu dhanë në tri periudha të shkurtëra: në shek. IV-III para erës së re, në shek. XV dhe së fundi në periudhën bashkëkohore.

Në periudhën antike në rajonin e Ballkanit Perëndimor u ngritën Mbretëritë Ilire, të cilët mbanin marrëdhënie me shtetet greke, me Maqedoninë e vjetër, me etnitë tjera barbare, sikurse dhe me Romën. Mirëpo, kjo e fundit shumë shpejt i zotëroi territoret ilire duke vendosur sistemin romak. Edhe përkundër këtij fakti, brenda sistemit romak u zhvillua një bazë e fuqishme etnike e shqiptarëve antikë – Ilirëve.

Në periudhën e “kaosit”, pra në periudhën e dyndjes së madhe të fiseve barbare – shkatërrimit të Perandorisë Romake dhe më pas vendosjes së Sllavëve në Ballkan, baza etnike e shqiptarëve antikë (Ilirëve) ishte tepër e fuqishme për t’u shfarosur tërësisht. Кјо ishte periudha kur harta etno-kulturore në Ballkan pësoi ndryshime të theksuara.

Në aspektin politik, shqiptarët hynë në kuadër të sistemit bizantin, kufijtë e të cilit ishin përcaktuar sipas “linjës së Teodosit”. Kjo do të thotë se shqiptarët e provincave perëndimore (Bosnjës së sotme, Kroacisë, Dalmacisë, Istrisë, Panonisë), mbetën në sistemet e shteteve barbare që u krijuan ndërkohë.

Historioshkruesit gjatë periudhës së “kaosit” e vunë theksin e tyre tek ngjarjet më të rëndësishme të kohës, pra te lëvizja e barbarëve në trojet e Ballkanit dhe më pas edhe te vendosja e sllavëve në trevën ballkanike. Ilirët e dikurshëm te këta historioshkrues ose u vendosën në plan të dytë ose u “harruan”. Ishte kjo periudha kur Ilirët e lashtë u zhvilluan nën hijen politike të Bizantit. Mirëpo, duke e pasur bazën e fuqishme etnike dhe vlerat dalluese nga helenët e lashtë dhe etnitë tjera të sapoardhura në Ballkan, pas një “pauze” prej rreth 1000 vjetësh sërish dalin në skenë Ilirët e dikurshëm, por tanimë të transformuar me emërtime tjera, si Albanoi. Në të vërtetë, autorë bizantinë, në shek. XI i dallojnë pjestarët e njërës nga etnitë më të lashta të Ballkanit, me rastin e kryengritjes që filluan në Durrës kundër perandorit të Konstantinopolisit.

Rrethanat e dobësimit të pushtetit qendror të Perandorisë Bizantine u shfrytëzuan nga sllavët (bullgarët dhe serbët), të cilët në kurriz të këtij procesi krijuan mbretëritë e fuqishme. Në shek. XIV serbët krijuan mbretërinë e Car Dushanit, por që zgjati pak kohë. Gjysma e dytë e shek. XIV dhe shek. XV e më tej i takon “erës” së Perandorisë Osmane.  Pikërisht gjatë kohës së dy sulltanëve më të fuqishëm të kësaj perandorie, S. Muratit II dhe birit të tij Mehmetit II, u krijua Mbretëria Shqiptare e Gjergj Kastritotit – Skënderbeut. Periudha prej çerek shekulli (1443-1468), ishte periudha e dytë e përpjekjes diplomatike dhe ushtarake kur shqiptarët treguan vlerat e një etnie gjeniale evropiane, vlera që i vërejtën historioshkruesit më të mëdhenj të kohës dhe për të cilat, jo vetëm që u shkruan shumë vepra, por edhe u lanë shumë dokumente, të cilat duhet të hulumtohen.

Pas rënies së Mbretërisë Shqiptare të Kastriotit, vazhdoi të mbijetojë baza etnike shqiptare në kuadër të sistemit osman. Koncepti politik i shtetit osman dallohej shumë nga koncepti i shteteve evropiane. Ndër shqiptarët, koncepti osman mori fund pas Luftës së Parë Ballkanike.

Vlen të theksohet se sundimet shekullore të sistemeve të huaja (romake-bizantine-osmane) edhe pse vazhduan të mbeten prezente shumë zakone të të huajve, por gjithnjë dominante ishin vlerat e një populli me tradita shumë lashta, të cilat kishin mbijetuar në të gjitha sistemet pushtuese.

Në periudhën bashkëkohore, kombi shqiptar zhvillohet përkrah kombeve tjera evropiane në tri shtete: Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, me një diasporë tejet të fuqishme, në Evropë dhe në Amerikë. Kombi shqiptar dhe klasa politike dhe intelektuale shqiptare, krahas përpjekjeve për përmbylljen e procesit të formësimit të Shtetit Etnik duhet të zhvillojë edhe marrëdhënie të shkëlqyeshme me kombet tjera, pa sindromin e “inferitoritetit”, sepse shqiptarët sa herë që patën mundësi treguan se janë popull liridashës.

Zhvillimet historike në Ballkan dëshmojnë se shqiptarët ishin të vetmit ndër popujt e Ballkanit që u angazhua vetëm për LIRI!

Lajme të ngjashme

Back to top button