Totalitarizmi dhe pluralizmi

Te shumica e qytetarëve pluralizmi është përcjellë gabimisht si një term që nënkupton ekzistencën e shumë partive ndërsa monizmi ekzistencën e një partie të vetme. Në fakt nuk është kështu, monizmi duhet të nënkuptohet si ekzistencë e një ideologjie të vetme e të pakundërshtueshme, ndërsa pluralizmi duhet të nënkuptojë lejimin e shumë ideologjive  dhe pranimin e diskutimit apo kritikës në mes tyre, në raport me interesat e shtresave apo teorive që ato përfaqësojnë.
Vetë ideologjia si term popullor ka marrë një kuptim negativ, dhe njerëzit e shohin si fjalë thuajse-tabu, pa qenë të vetëdijshëm që në fakt jetojnë e veprojnë brenda një të tille, dhe nuk mund të bëjnë ndryshe, pasi çdo forcë qeverisëse aplikon ideologjinë e vet, nëpërmjet të cilës rregullon marrëdhëniet sociale e ekonomike dhe i normon ato. Monizmi totalitar e meritonte atë emër që kishte, ai lejonte vetëm një ideologji, dhe me anë të forcës i shtypte të tjerat, sa herë që ato tentonin të lindnin. Ndërsa sot, në sistemin pluralist demokratik ka shumë parti, por në rast se konsiderojmë alternativat politike që ato sjellin, do të ngelnim të zhgënjyer.

Në një masë të madhe partitë e sotme janë thelbësisht njësoj, ato qëndrojnë për të njëjtën bashkësi vlerash politike, kryesisht liberale sa i përket ekonomisë (privatizim, investim në infrastrukturë, zvogëlim i pranisë së shtetit, dobësim i lëvizjeve sindikale dhe konsumatore, favorizim i biznesit, integrimi, hapja e tregut, etj.) dhe kryesisht pragmatiste për sa i përket politikave sociale, arsimore, kulturore apo artistike (plani i vetëm për to është kryerja e veprimit që sjell më shumë vota, ose i asaj që kërkohet nga jashtë).

Nuk mund të tregosh ndonjë diferencë të vërtetë mes politikave të shprehura nga partitë tona, dhe realisht cilido prej eksponentëve kryesorë të tyre, do të mund të ndërronin partitë me njëri-tjetrin e sërish të vazhdonin të përdornin të njëjtën retorikë, duke rezultuar po aq të suksesshëm. Ekzistenca e një alternative të vetme politike bën që edhe pse formalisht jetojmë në një regjim që lejon pluralitetin, faktikisht kemi të bëjmë me monizëm. Po njëlloj si në monizëm, ideologjia është e padiskutueshme, vetëm se emri i saj ka ndryshuar, dikur quhej “komunizëm”, sot quhet neo-liberalizëm i servilosur ndaj ndërhyrjeve tjera.Ndryshimi duket si radikal, prej një partie të vetme sot kemi shumë, mirëpo fatkeqësisht, ndryshimi është thjesht formal.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button