Basha: Vlora do t’i japë përgjigjen e duhur oligarkisë Rama-Meta

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar nga Vlora sot se ky qytet do të dijë ti japë përgjigjen e duhur oligarkisë Rama-Meta, e cila nuk i llogarit qytetarët.

“Më 21 qershor, Vlora që është gjykatëse e rreptë, do të dijë ti japë përgjigjen e duhur një oligarkie që nuk i llogarit qytetarët dhe i ka fshirë sikur të mos ekzistonin. Rama ka humbur mbështetjen e socialistëve që nuk kanë asnjë lidhje me malavitën. I kanë rënë kuotat në fund. Përballja me votën e qytetarëve është makthi i tij, makthi i mashtruesit kur përballet me të vërtetën. Nuk shpëton dot nga ankthi e ballafaqimi me të vërtetën. Koalicioni i PD është me qytetarët e këtij vendi. Kjo është aleanca jonë, kudo me njerëzit dhe për njerëzit”,- deklaroi Basha nga Vlora.

Më herët ai u shpreh se dinjiteti dhe e ardhmja e Vlorës sot janë të shkelura dhe të nëpërkëmbura nga qeveria e lakut në fyt, nga qeveria e krimit në sistem, nga qeveria Rama- Meta. Kreu i opozitës deklaroi se në çdo shtëpi ku ka shkuar, po shkon dhe do të shkojë, ka prekur dhe po prek me fjalë dhimbjet e njerëzve, revoltën kundër padrejtësisë së një qeverie që grisi dhe hodhi në kosh me të kaluar lumin, premtimet me të cilat mori votën.

“Revolta është mbarëqytetare, kombëtare. Dallga e saj po ngrihet kudo. Shqiptarët po bashkohen pa dallime politike me Partinë Demokratike, e cila do të drejtojë revoltën kundër pakënaqësisë. Sot, këtu në Vlorë, dua t’ju rrëfej shqiptarët kudo ku jam ndalur, po shikojnë e po pyesin: Çfarë thotë Vlora? Çfarë do të bëjë Vlora? A do të reagojë Vlora? A e pranon Vlora politikën e varfërisë dhe dajakun? A e gëlltit Vlora arrogancën e Ramës e të Metës? Shqiptarët presin çfarë do ti thotë Vlora këtyre mynxyrave? Rama-Meta ik! Kështu thotë Vlora, kështu thotë opozita, kështu thonë gjithë shqiptarët”,- ishin fjalët e Bashës.

Kryedemokrati u shpreh në vijim se Vlora nuk mund të shkelë mbi veten e saj dhe se po e jep e do ta japë shembullin e qytetarisë deri në një, me votë kundër gënjeshtrave dhe zullumeve.

“Kryeministri premtoi në zgjedhje një kataklizëm, se do ta kthente Vlorën përmbysë dhe do të ndodhte mrekullia. Vlora u kthye përmbys, por mrekullia nuk ndodhi. Asnjë vend i ri pune. Dyshja Rama-Meta ju kanë braktisur. Nuk u gjendën këtu as në ditët e fatkeqësisë natyrore. Nxorën në rrugë të madhe banorët e lagjes “Kushtrim” dhe deri më sot nuk kanë asnjë plan për strehimin e rregullimin e tyre. Ka bërë hi mundimin e një jete. Ka bërë atë dëm që nuk e bën asnjë tërmet. Qeveria ka mbërritur me metoda të tjera ndëshkimi të qytetarëve”,- tha z. Basha .

Në vijim të fjalës së tij, ai shtroi pyetjet: “Kush e rriti faturën e energjisë? Kush i rriti taksat? Kush jua merr një pjesë të madhe të mundit e djersës tuaj? A njihni një njeri të lumtur në rrethin tuaj shoqëror, demokrat, socialist, pa parti?” .

Sipas Bashës, kjo është kronika e dramës së madhe që ka zënë këtë vend, ku kryeministri dhe kryetari i parlamentit janë përfshirë kokë e këmbë në afera mafioze.

“E kanë hapur krimin kudo. A meritojnë këtë pasiguri, varfëri, dëshpërim Vlonjatët dhe shqiptarët? Unë them jo! Ky shesh sot thotë jo!”,- deklaroi kreu i opozitës nga qyteti i flamurit.

Sipas tij, Vlora është në këmbë dhe Vlora do të ngrejë Shqipërinë në këmbë. Për Bashën, Vlora refuzon krimin, skamjen.

Lajme të ngjashme

Back to top button