Zaev ftohet në prokurori për mitmarrje

Kreu i partisë opozitare maqedonase LSDM-së Zoran Zaev është marrë në pyetje për më tepër se 3 orë , në Prokurorinë Publike, nën dyshimet se ka kërkuar 200 mijë euro ryshfet nga një biznesmen nga Strumica.

Zaev ka bërë të ditur se rasti në fjalë është tentativë për kurdisjen e mitmarrjes, e porositur nga pushteti. Megjithatë ai shton se i është përgjigjur ftesës së Prokurorisë për shkak të respektit ndaj Kushtetutës dhe ligjeve.

“Ky është rasti i parë në të cilin nuk ka para, ndërsa dikush ndiqet për para. Rast që unë e kam ndërprerë dhe kam informuar publikisht për emrin dhe mbiemrin e personit që tentonte me muaj të më bëjë kurth, për arsye që mund vetëm ti parashikoj. Por gjithsesi, pasi kanë vendosur të ngritin padi, në frymën e asaj që duam ta respektojmë Kushtetutën dhe ligjin, ne kemi ardhur këtu”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Zaev gjatë një tubimi partiak kishte bërë publik edhe emrin e biznesmenit që është përdorur për këtë kurdisje. Kryetari i LSDM-së do të kthehet në Prokurori sërish të hënën, për të dhënë deklaratë për akuzat lidhur me rastin “Puçi”, ndërsa të martën do të vazhdojë marrja në pyetje për rastin e ryshfetit në Komunën e Strumicës.

Ai akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Strumicës ka kërkuar 200 mijë ryshfet nga një biznesmen, për legalizimin e një parcele ndërtimore.

Kruse gjatë ditës së djeshme  nga MPB bënë të ditur se kanë filluar të punojnë në përpilimin e një padie të re penale kundër personit i cili deri më tani dyshohet për “Dhunë ndaj përfaqësuesve të organeve më të larta shtetërore” dhe “Mitmarrje”.

Lajme të ngjashme

Back to top button