100 ditët e qeverisjes, Mustafa e përfundoi raportin në Kuvend

Debati, i zhvilluar prej dy ditësh nga deputetët e Kosovës, për 100 ditët e Qeverisë së kryeministrit Isa Mustafa ka përfunduar pa ndonjë rekomandim të miratuar për Qeverinë.

Kjo, pasi deputetët e koalicionit qeveritar votuan kundër rekomandimeve të shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Rekomandimet e Vetëvendosjes, që kishin të bënin me detyrimin e Qeverisë, për të mos bërë marrëveshje me Serbinë duke anashkaluar Kuvendin, si dhe për të publikuar kontratën e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit dhe për të rritur punësimin e luftimin e evazionit fiskal, morën vetëm mbështetjen e deputetëve opozitarë.

Kryeministri Isa Mustafa është pyetur nga deputeti Daut Haradinaj, se deri ku shtrihet sovraniteti i Kosovës pasi, siç ka deklaruar Mustafa, Forcat e Armatosura të Kosovës nuk do të mund të shkojnë në veri të vendit.

Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi tha se Qeveria ka hequr dorë nga territori i komunave veriore të Kosovës në fushën e sigurisë, pasi atje nuk ka asnjë repart dhe asnjë kazermë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Pasi ka dëgjuar kritikat e deputetëve për dy ditë me radhë, kryeministri Isa Mustafa është paraqitur në foltore duke mbrojtur programin e tij qeverisës, ndërsa ftoi opozitën që të mbështesë temat kombëtare.

“Është e saktë deklarata, që kam dhënë lidhur me FSK-në dhe lidhur me Forcat e Armatosura, por ky nuk është qëndrimi im. Ne kemi pasur përkrahjen e NATO-s, SHBA-ve dhe anëtarëve të tjerë të NATO-s në çlirimin e Kosovës dhe themelimin e shtetit tonë. Ndaj dëshirojmë ta zhvillojmë më tej partneritetin me NATO-n dhe me anëtarët e aleancës, por dhe me SHBA-të. Ne, këtë partneritet do ta ndërtojmë edhe nëpërmjet ndërtimit të ushtrisë së Kosovës. Ne, Forca të Armatosura jashtë këtij partneriteti nuk shohim, kemi KFOR-in këtu, i cili ka mision paqësor. Ne kemi pajtueshmëri, që unë e kam trashëguar, që themelimi i ushtrisë së Kosovës të bëhet në bashkëpunim me NATO-n dhe në bashkëpunim me SHBA-të dhe aleatët tanë strategjikë. Ndaj, unë si kryeministër e vlerësoj si një rrugë, që ne duhet ta vazhdojmë. Kjo, asesi nuk kupton që një ditë FAK të mos dalin në tërë territorin e Kosovës, asesi nuk nënkupton që ne po heqin dorë nga sovraniteti ynë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Mustafa ka mbrojtur edhe vendimet e Qeverisë së tij, sa i përket kombinatit “Trepça”, duke thënë se Kosova është e pasur me minerale, por duhet të gjejë formën e finalizimit të tyre, për të përfituar sa më shumë prej tyre. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button