Shënime për populizmin: Njerëz me tronditje të trurit

 

Në dëshpërimin e saj, propaganda mediatike e pushtetit akoma nuk dorëzohet! Tani, risia e fundit, kanë një taktikë të freskët me marifet: përnjëherë, duan të zhvillojnë debate televizive me “palën tjetër”.

 

Shkruan: Sasho Ordanoski

 

Çdo demisionim i cilit do qoftë regjim jolegjitim është punë kaotike. Nëse largimi zgjat një kohë më të gjatë, ndodhin gjëra të çuditshme me njerëz të ndryshëm. Një pjesë prej tyre e kupton vonë se çka është duke ndodhur. Disa të tjerë e kuptojnë me kohë, mirëpo nuk ka kthim prapa. Të tretët heshtin dhe presin të shohin se si do të zhvillohen ngjarjet, shohin që dikush tjetër ta kryejë punën, e ata në fund të kapen në valle. Mirëpo, ka edhe të atillë për të cilët çdo ditë plus në pushtetin e regjimit të “trullosur” është edhe nga një qindëshe më tepër (në mijëra euro, kuptohet), kështu që për ata vazhdimi i agonisë ka një logjikë të fortë të përfitimit. “Pozitat e tyre rezerve” janë të përgatitura, ata shpresojnë se do të mund të durojnë një dimër edhe më të gjatë se ata të zakonshmit për këtë lloj të llohës politike, dhe më vonë përsëri do të avancohen “si të rinj”, të pastruar nga bashkëpjesëmarrja në keqbërjet e kaluara. Në fakt, do t’u  vijë pak era naftalin, mirëpo do të lundrojnë fortë që të kyçen.

Megjithatë, ka gjëra që ndërlidhen me gjithë këtë skandal të madh rreth demaskimit të mafisë e cila me vite sundon në Maqedoni, me këtë striptiz të plotë moral-politik që në porcione të padurueshme, me javë të tëra zhvillohet para veshëve dhe syve tonë, të cilat ngapak më hutojnë. Domethënë, jo se jam krejtësisht i hutuar, mirëpo, disi, kam pak dyshim, kujtohem, mendohem…

 

TË DËSHPËRUAR, MIRËPО SFIDOJNË!

Në dëshpërimin e saj, propaganda mediatike e pushtetit akoma nuk dorëzohet! Tani, risia e fundit, kanë një taktikë të freskët me marifet: përnjëherë, duan të zhvillojnë debate televizive me “palën tjetër”. Javën e kaluar mu paraqitën nga tre televizione të ndryshme (duke përfshirë edhe TVM-në) që të më ftojnë në debat me ndonjërin nga mbrojtësit e regjimit të Gruevskit – domethënë, Gruevski nëntë vite nuk dëshiron të ballafaqohet me askë që mendon ndryshe nga ai, mirëpo tani, në disa javët e fundit, propagandistët e tij do të na e kompensojnë atë mungesë elementare demokratike, me atë që duhet të pranojmë të ulemi në tavolinë të njëjtë dhe të këmbejmë urtësi për, supozoj, arritjet e pushtetit dhe për mizerinë e opozitës! Ja, mu kështu: duhet t’i harrojmë të gjitha ofendimet, shpifjet dhe kërcënimet që me vite – mua me emër, ju faleminderit për pyetjen, e poashtu edhe derisa e shkruaj këtë nuk ndërpriten – që na i hedhin mbi kokë, dhe tani, shpesh herë edhe me ata më të zëshmit, ata që kanë shkruar më së shumti, në atë det pa bregje të gjuhës së urrejtjes, duan të ulemi para kamerave dhe të bëhemi sikur jetojmë në një vend demokratik në të cilin “duhet të dëgjohen të dyja palët”. Çka do të thotë vetëdijësimi demokratik: përderisa është duke i përgatitur valixhet për shkak të dëshpërimit nga ballafaqimi me të vërtetën, pushtetit përnjëherë iu kujtua se paska edhe “palë tjetër”.

Mirëpo, të mos ketë huti, nuk do të kërkonin ata tani debat sikur të mos u dridheshin këmbët. Si ta kuptoj ndryshe ftesën që të debatoj në televizion me njërën nga zonjat kryesore të propagandës së ndytë të regjimit, e cila për çdo natë ulet në tavolinat e njëjta  me ata që – mua, ta përsëris, me emër, ju faleminderit për pyetjen – më porosisin se do të më groposin dy metra nën tokë, me pllakë të përforcuar të betonit mbi gropë?! Më intereson, thjesht në aspekt të produksionit, a do të thotë kjo se kam privilegj të fitoj toki-voki në gropë dhe prej atje të zhvilloj debat të barabartë televiziv me këtë zonjë? Ose do ta hiqnin pllakën e përforcuar të betonit mbi mua dhe, për nevojat e zhvillimit të debatit korrekt, zonja do të zbriste në gropë, dhe kur do të përfundonte transmetimi televiziv, ajo do të dalë nga gropa që t’u bashkangjitet bashkëmendimtarëve të saj në njërën nga “kafenetë” e Shkupit që të festojnë me disa gota uiski, ndërsa pllakën e përforcuar të betonit do ta kthenin mbi mua në gropë – deri në debatin e ardhshëm, ndoshta?

Nuk bën kjo punë… Vazhdoni ju me uiskin edhe pa debat, po ta shohim deri kur.

 

ME KË JE, I TILLË JE?

Gjëja tjetër që më çon të mendoj është fakti se, nëse hiqen anash disa budallaqe të qarta dhe disa përfitues eklatantë nga shoqëria propaganduese e pushtetit, për motivet e të cilëve është e pakuptimtë të flitet, atje aktivë janë edhe pesë-gjashtë njerëz për të cilët do ta kisha marrë guximin të them se stërqokat, në ndërkohë, aq shumë ua ka pirë trurin dhe me siguri e kuptojnë se për çfarë vjedhjesh dhe për çfarë keqpërdorimesh të rënda dhe të shumta nga ana e familjes bëhet fjalë në bisedat e publikuara telefonike. Ku shkoi niveli i tyre intelektual dhe profesional me të cilin në korr e ritregojnë konstruksionin idiotesk propagandues se bisedat kanë qenë të “krijuara” nga shërbimet e huaja të cilat duan ta shkatërrojnë Maqedoninë?! Ma merr mendja, këta për të cilët flas, nuk besojnë edhe vetë se ka ndonjë shërbim të huaj? Ja, tregoni: Mosadi, CIA, FSB-ja, Sekuritate-ja, Shtazi, UDBA? E cila mund të “krijojë” biseda të tilla gjeniale dhe të detajuara mafioze ndërmjet Miles dhe Grujos për uzurpimin megaloman në Vodno! Sipas kësaj, çfarë motivesh kanë këto pesë-gjashtë njerëz që ta arsyetojnë pasurimin milionësh të familjes dhe ta “mbulojnë” travestinë demokratike që e bën regjimi i Gruevskit? Për çfarë shërimi të frustracioneve bëhet fjalë te këta njerëz që t’i pështyjnë karrierat e tyre shumëvjeçare, gjatë të cilave kanë dhënë kontribut sado qoftë të madh, e disa prej tyre edhe kontribut të rëndësishëm për ndërtimin e demokracisë jo të përkryer në Maqedoni në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar dhe në fillimin e viteve të dymijëta të këij shekulli? Gruevski dhe familja, këtë jam i sigurtë se e dijnë edhe propagandistët, do të largohen në mënyrë famëkeqe në historinë maqedonasemirëpo me çka do të arsyetohen ata të cilët tani i mbrojnë para viteve dhe gjeneratave që do të vijnë?! E cili është formati politik, moral ose cili do qoftë i ndonjë Gordana Jankullovskës ose ndonjë Mile Janakieskit që mbi ta të harxhohen karrierat e disa profesorëve të dalluar më parë dhe të disa, gazetarëve, të respektuar më parë?

A ka nevojë të përmend emra ose të gjithë e dini se për kë bëhet fjalë? A arritën që Llatasi, Milenkoja dhe Jankoha të jenë shoqëria e tyre e mirë në jetë?! Po kjo nuk është rënie prej kali të gomar – kjo më tepër i ngjan sikur kanë rënë prej kalit drejt e në kojë dhe kanë fituar tronditje të përhershme të trurit!

 

TË TURPËRUAR

Dhuna mediatike të cilën me vite të tëra e realizon regjimi i Gruevskit në Maqedoni do të jetëë subjekt jo vetëm i hetimeve penale, por, në një të ardhme të afërt, do të bëhet fushë legjitime edhe për hulumtime shkencore. Disa studentë të mi theksojnë se do të donin që punimet e tyre të magjistraturës ose të doktoraturës t’i bëjnë në këto tema. Do të ulen hulumtuesit dhe do t’i sisematizojnë këto ngjarje, do bëjnë kronologjinë, do t’i rilexojnë artikujt, do t’i shohin emisionet përsëri, do t’i analizojnë fjalimet. Do të duhet të sqarohet mirë se pse dhe si na ndodhi e gjithë kjo dhe cilët kanë qenë protagonistët kryesorë mediatikë, të cilët, objektivisht, na e bënë jetën leckë dhe kush janë ata që nëpër media ndihmuan në kryerjen e vjedhjes së shekullit.

Është e kotë atëherë që të sqarohet se zonjës së përmendur ia kanë punësuar djalin në një kabinet të rëndësishëm, pastaj…; se një ditë, në moshë të shtyer, ka fituar pozitë këshilltari që të përhapë koncepte liberale, pastaj…; se një tjetër, pasi i ka ndërruar të gjitha partitë dhe të gjitha funksionet, ka dashur që përsëri të kthehet në politikë, mirëpo nuk ka ditur mënyrë më të mirë, pastaj…; se një i tretë këshillonte për përhapjen e konzervativizmit, që tani të vozitet me xhip dhe të ketë banesë të re në një ndërtesë të dalluar funksionarësh, pastaj…; se njëri, politikan asnjëherë i realizuar i qeverisë, e prishi karrierën e tij të respektuar joqeveritare që të harrohet se gjendet në grupin e krimit të një kryetari të një komune të Shkupit, pastaj…; se…

Atëherë këto arsyetime – sikurse edhe tani – do të duken të zbrazëta dhe qyqare, dhe do të mbeten veprat për të cilat, mos u mërzitni, do t’u përkujtojmë sa të jemi gjallë. Që ta mbani turpin me shëndet.

Lajme të ngjashme

Back to top button